Frymën…

19/07/2012 at 22:01 1 comment

A është e rrezikshme të të mbahet fryma? Mbase po. Por për mua, ky rrezik është çlirues, jo bllokues.

I tillë ishte moment i sotëm në zyrat ky siç e quaj vetë, mbaj edhe frymën time: tek Fryma e Re Demokratike.  Një zonjë me një emër shumë të veçantë, Elnara, kishte  dëshirë të më takonte. Vajzat e përgjegjshme dhe shumë të komunikueshme që FRD ka fatin të ketë në staf si vullnetare, mundësuan përputhjen e orareve dhe atmosferën miqësore për zonjën.

Për emrin që ka, mosha e saj më çuditi. Dukej tek të 60-at, por vërtet me një pamje, qëndrim e sjellje fisnike. Me historinë e familjes së saj të persekutuar, e me të qenit pasardhëse e njërit prej nënshkruesve të deklaratës së pavarësisë, me një gjysh mësues të gjuhës shqipe që në vitin 1875 në Shkup, çështja e emrit nuk kishte si të ishte më një çudi.

Elnara jeton në SHBA, por donte patjetër që në vizitën e saj të shkurtër, të vinte në zyrat e FRD-së:

“Ju kam si fëmijët e mi. Mos ma shuani shpresën. Në dritë të syrit e shoh atë Oketën kur e nxjerr televizori. Më shpesh duhet të dalë. Më shpesh.  I qetë, i edukuar, i matur, di ç’flet. E pse nuk e meritokemi ne shqiptarët atë, por duhet të durojmë 8 vjet komunistët e majtë, e 8 vjet gjoja të djathtët?  “.

Elnara ka ritëm e nerv ftues në të folurën e saj. Ka shumë zhgënjim të akumuluar, pritje të bartur, shpresa të vrara, por edhe shpresë të ringjallur.

“Më fal që po flas kaq shumë. Mos po flas shpejt? Po edhe 5 minuta. Pastaj do të dëgjoj ty. Faleminderit që buzëqesh. Do të thotë që unë s’po flas kot”

E ndjek me shumë vëmendje. Ajo nuk e fal dot momentin kur i kanë thënë se si ish-pronarë, grupimi i saj nuk ka rëndësi, përderisa aty nuk gjendet as 5% e elektoratit. I skuqen tëmthat kur nxjerr një nga një të gjitha dokumentat që vërtetojnë pronësitë dhe prejardhjen e saj prej të paktave familje fisnike në vend.

Flet edhe 15 minuta të tjera, mes të cilave, përveç buzëqeshjeve, e ndërpres edhe me ndonjë miratim të zëshëm. “Aman se në sy ju kam. Shiko, ka ardhur koha. Ka ardhur koha. Njerëzit e duan këtë frymë. Duam një shpresë të re. E meritojmë. Mos ndryshoni. Se mos ndryshoni, se na vratë fare. Pashë në televizor se ishit në Lushnjë të hënën. Edhe ata që keni zgjedhur atje, të qetë dukeshin. Qytetarë në të folur. Bravo, se na ka ikur durimi edhe për të dëgjuar, ndaj bëni përshtypje ju. Na duket maturia e huaj tani, se jemi mësuar me të bërtiturat e politikanëve për 22 vjet. Po jo. Ju jo. Qytetarë, kështu vazhdoni. Se ashtu është e ardhmja. E shoh edhe tek vetja, edhe tek fëmijët e mi. Do vij prapë. Do vij prapë, t’i takoj të gjithë”.

E përcjell me shumë dashuri në buzëqeshjen time, sepse energjia e saj është si burim vale. U përhap menjëherë në gjithë selinë.

Më pas, një zonjushë e re, studente, vjen të më rrëzojë një nga një të gjitha skepticizmat e mia për mënyrën se si perceptohet sot prej të rinjve formimi akademik, leximi, konsultimi, e sigurisht politika, hierarkia (ajo njerëzore, profesionale dhe ajo e vlerave), se si interpretohen prej tyre mundësitë e dhëna dhe mënyra si duhen shfrytëzuar ato; se si ajo e sheh FRD-në si institucion ku pret të kontribuojë, e jo të përfitojë; si vendi ku gjen veten dhe ku nuk rri dot gjatë pa ardhur “Thjesht sepse ndihem shumë mirë. Gjej veten këtu, mes jush, mes mënyrës suaj të të menduarit e të vepruarit”.

Me të punojmë për një tekst të shkurtër FRD-ist, dhe sytë e qeshur tregonin se siguria e saj për ç’ndodh dhe ç’përfaqëson FRD, është shumë më e madhe sesa çdo pasiguri tjetër në lidhje me një tekst apo një strukturë.

Më tej, një zotëri me dy fëmijë shumë kureshtarë për dore, me kokën përpjetë drejt germave të Frymës së Re Demokratike në rrugën “George Bush”, shfaqet shumë më i sigurt se unë në deklaratat e tij momentale: “ Ju do bëni aleancë pas-zgjedhore me PS-në. Ja do shohim”.

Buzëqeshja ime në këtë rast nuk është më ajo që më shoqëronte gjatë bisedës me Elnarën. “Faleminderit zotëri. Siguria në fjalë dhe në mendime është shumë e vlefshme. Edhe e vlerësueshme këtu në FRD. Por, kur  i shtohen notat e një qëndrimi zyrtar, askush nuk flet dot sot në emër të FRD-së, e as FRD-ja nuk flet dot pa ditur më parë mendimin e mbështetësve dhe simpatizantëve të saj. ”

Fëmijët e tërheqin për krahu: “ O ba, ky këtu është syth që po hapet”.

Janë vërtet të ëmbël.

“Unë nuk kam bindje politike. Por më pëlqen pozitiviteti juaj. Vërtet, frymë e re. Mirë ia keni gjetur edhe emrin. Shumë mirë madje”.

Zotëria ia le vendin bisedës tjetër të gjatë për sugjerimet dhe diskutimet se si mund të përcjellim mesazhin, që në thelb, i përshtaten rekomandimit shumë miqësor të para disa ditëve:

“Qëlloni ndonjëherë edhe me gurë, se Shqipëria do zhurmë”.

Po rreth FRD-së nuk ka gurë🙂

Ndaj po diskutonim se linja klasike, lineare dërgues-mesazh-marrës, përtej logjikës “Kush i thotë çfarë kujt nëpërmjet ç’kanalesh komunikimi”,  duhet të adresojë mjedisin ku noton mesazhi. Theksi, gjuha, fokusi, fotoja, fjala, ndriçimi, radha, krijimi i identiteteve, i marrëdhënieve, i hapësirës, i pushtetit dhe dominancës në një mesazh, duhen parë të gjitha me rëndësinë dhe peshën e madhe që ju takon.  Kështu të paktën sugjerojnë ata që me komunikimin, kanë lënë gjurmën e tyre ndër 7 miliardët që jetojnë sot mbi tokë.

Dhe e mbyllim pasditen e jashtëzakonshme në FRD me një numër telefonatash që venë e vinë nga Shkodra dhe për Shkodrën.

Të shtunën, Belma do na presë në shtëpinë e saj FRD-iste në Shkodër. Fotografi ynë, Klodiani, mori porosinë që të mos përsërisë gabimet e Vlorës, por ta fokusojë dërguesen e mesazhit, që ta çojmë atë nga Shkodra, në të gjithë hapësirën shqipfolëse në botë (përmes medias tradicionale e asaj të resë).

Grupi i të rinjve gjithashtu filloi të organizohej, në mënyrë dinamike e shumë profesionale, siç dinë të bëjnë përherë duke më surprizuar. E pa asnjë minutë të humbur kot, u ra dakord për nisjen nga FRD, grupuar sipas makinave, vullnetarë të mëdhenj e vullnetarë të vegjël, në 09.00, nga selia e qendrës, drejt Shkodrës së Belmës.

Fryma e Re Demokratike!

Pa asnjë dyshim, e meriton të gjithë frymën time🙂

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Pse Frymën e Re Demokratike? Po si ta kuptojmë arsimin?

1 Comment Add your own

  • 1. Reonald  |  19/07/2012 at 23:57

    Me FRD do fillojme te rimarim fryme sepse kjo politike e “qelbur” po na asfikson.
    Zoti na ndimoft

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

July 2012
M T W T F S S
« Jun   Sep »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: