Po si ta kuptojmë arsimin?

06/09/2012 at 15:20 Leave a comment

Diplomë, apo njohuri ? Doktoraturë, apo katrahurë ? Master, apo thellim njohurish e kontribut në fushën e zgjedhur ?

Javën tjetër fillon mësimi nëpër shkolla e njëkohësisht, shpallen edhe fituesit që do të ndjekin njërën nga degët e shumta që hapen çdo vit në universitetet publike e ato private në vend. Të gjithë në Universitet. Të gjithë me Master. Shumë pak të pajisur me dije. Akoma më pak të aftë të punojnë vërtet, në mënyrë të pavarur dhe efiçente.

Me diplomën në gojë e status social të vetë-fryrë, të diplomuarit kërkojnë menjëherë punë, duan të bëhen juristë, ekonomistë, diplomatë, zyrtarë e drejtorë.

Dhe, kërkojnë edhe shërbim përulës e luksi nga kamarieri, nga kuzhinieri, nga tekniku i kondicionerit, nga mekaniku i makinës, nga hidrauliku që prish në vend që të ndreqë rrjedhjet, e nga elektricisti, që i bën lidhjet prehistorike e tela-tela.

Nga e tyre, të gjithë këta zanatçinj, shërbejnë gjithaq me nerva e pa dëshirë, sepse janë po ashtu të bindur se meritojnë të jenë juristë, ekonomistë, zyrtarë e drejtorë. Shembujt i kanë të gjithë përpara syve, kështu që nuk fajësohen dot për ëndrrat që ngrenë.

Fatkeqësia që i bashkon të dy grupet, është mungesa e cilësisë në përgatitjen e tyre. Ata që kanë mbaruar studimet e larta zor se mund të klasifikohen si akademikë, përderisa edhe shqipen e shkruajnë me gabime, e pak janë në gjendje të mbajnë edhe një axhendë, e jo më të bëjnë analiza e të japin rekomandime (pjesëza që kërkojnë lexim, me të cilin shqiptarët i kanë marrëdhëniet mirë vetëm në vetë-vlerësim, por jo në kohë reale të shpenzuar me studim/lexim).

Kurse zantaçinjtë, nuk janë cilësorë në punën e tyre, sepse ose dalin nga shkolla pa shumë praktikë, ose janë aq të vjetër në zanat, saqë nuk ua dinë hilet zhvillimeve të reja teknologjike. Në mes, kemi një boshllëk njerëzish të kualifikuar, që i mungojnë tregut të punës. (që kërkon një trajtim më vete si problem).

Pra, cilësi nuk ka. Pse? Sepse të gjithë duam statusin, jo dijen. Duam vendin e punës, jo punën. Duam universitetin, jo shkollën profesionale.

Do ndalem tek kjo e fundit, sepse me universitetet na i mbylli analizat diploma e Renzo Bossit dhe apatia institucionale që e shoqëroi (Asnjë pasojë në këtë aspekt për skandalin rreth tij).

Arsimi Profesional:

42 shkolla publike në vend, 10 qendra profesionale , 21 fusha profesionale, rreth 20 mijë nxënës të regjistruar në arsimin publik (shkollat e mesme profesionale), që përbëjnë rreth 10% të të regjistruarve në shkollë të mesme (pjesa vjetër, 90%, shkojnë në gjimnaz).

A mundet 10% e një grup-moshe të na përballojë në mënyrë profesionale me shërbimet që kërkojmë, që nga hoteleria, deri tek mirëmbajtja? Edhe mundet, po qe se ky 10%-ësh do të ishte cilësor.

Po si janë shkollat profesionale?!

Me kontingjentin më të dobët të 9-vjeçarëve, me fëmijë që vijnë nga familje të varfra, me nxënës që jeta i ka trajtuar më keq se të tjerët. Në rastin më të mirë (shkollat ekonomike dhe ato për IT, nxënës që duan ta përvetësojnë sa më shpejt profesionin, e të futen me njohuri formale në punë).

Pse nuk preferohet Arsimi Profesional?

Arsimi i mesëm është falas në vend dhe e drejta e ndjekjes së tij është e lirë. As kritere, as  kontroll me provime pranimi për standardet më minimale të performancës, para se të pranohesh në gjimnaz. Kjo ndikon direkt në nivelin e maturës si pikë dalëse nga arsimi i mesëm dhe ushtron presion të konsiderueshëm në arsimin e mesëm profesional. Në kontekstin ku pranimi në arsimin e mesëm është i lirë, arsimi profesional nuk është perceptuar si alternativë e mundshme për punësim. Madje, edhe brenda tij, shumica e nxënësve pretendojnë të shkojnë në maturë e në Universitet.   Prirja sociale në vend është pajisja me diplomë universitare, ndaj edhe nxënësit dhe prindërit janë gati të sakrifikojnë gjithçka në emër të këtij paradoksi.

Por, edhe në rastin e atyre që janë, përse calon arsimi profesional?

Dikur, ky arsim ishte i lidhur me shtyllat kryesore të ekonomisë: bujqësi, blegtori, industri. Ndaj edhe kishte shkolla të mirëfillta bujqësore, zooteknike dhe industriale. Për të hyrë me këto të fundit, duhej jo vetëm mesatarja, por edhe biografia e mirë. Sot, shkollat industriale në vend, vuajnë për mbijetesë, sepse nuk kanë nxënës.

Por, thelbi është se sot, ekonomia shqiptare, tregu ynë i punës, nuk ka asnjë lidhje me sistemin arsimor. Jo vetëm me atë profesional, por me të gjithë arsimin në tërësi. Sigurisht që është më e qartë se kristali e vërteta e mbingopjes së tregut me juristë e me ekonomistë kolegë të Renzo Bossit, por ama sërish, prirja ngelet universiteti.

Të gjithë në kërkim të diplomës!

Kurse Arsimi profesional vazhdon të vuajë sepse kontigjenti është i dobët, reputacioni është i varrosur, konkurrenca me arsimin e lartë është absurde. Arsimi profesional është i shtrenjtë dhe kërkon pajisje, që në as në vendet klasike ku ai lulëzon (në vendet gjermanisht-folëse me sistem dual, ku në shkollat profesionale shkojnë 60% të nxënësve e në gjimnaz vetëm 40%), ky arsim mbahet gjallë nga bizneset. Investimet në pajisje bëhen prej bizneseve, e madje, edhe kurrikulat dhe programet shkollore hartohen nën udhëheqjen e njerëzve që vijnë nga bota e biznesit. Për më tepër, kompanitë kanë marrëveshje me shkollat, sepse gjatë vitit iu kërkojnë kursantë, gjysëm të përgatitur teorikisht, pra gjysëm  të gatshëm, i paguajnë me rrogë modeste, dhe i mbajnë nga disa javë, në disa muaj në vit në punë si ndihmës. Kështu, kur të mbarojnë shkollën, kompania t’i ketë gati për veten, ose edhe për analoget.

Punë mentaliteti? Më shumë, përfitimi.

Në Shqipëri ka vite që hidhen mijëra euro në përpjekjet për ta rimëkëmbur Arsimin Profesional. Por, në baltën e keqe ku e kanë zhytur atë universitetet, mania për diploma, mungesa e besimit, dëshirës dhe mundësive që t’i japim një shans vetes për shërbime më të mira përmes njerëzve të kualifikuar që mund të na sjellë kjo pjesë e arsimit, përmirësimi i imazhit të tij bëhet i vështirë.

Ama, nevoja për të na vret, edhe pse guxojmë të gënjejmë veten tjetërqysh.

Entry filed under: Arsim. Tags: .

Frymën… Zhytur në krim. Sa bukur na rri!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

September 2012
M T W T F S S
« Jul   Oct »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930

%d bloggers like this: