Kokë-prerë

14/10/2012 at 16:16 Leave a comment

Ai 80  vjeç, ajo 18.

Ai në qendër të postimeve e gjykimeve, ajo pa kokë.

Më ta më nisi dita, me ta edhe po mbaron. U masakrua një vajzë e re, që thuhet se ishte edhe shtatzënë. Nuk është e para për këtë vit. Ka nisur me Liljanën nga Korça, vijoi me Fatjolën nga Librazhdi, tani Aishja nga Durrësi. Të vrara nga meshkujt që dikur i përdornin, e më pas, i therin si bagëtinë.

Cilën anë të kapësh më parë në këtë makabritet?

Të tria rastet kanë në mes hendek moshe mes viktimave dhe vrasësve. Gjakftohtët e krimit shfaqen të jenë të moshuar, abuzues, maniakë, xhelozë dhe vrasës që nuk mendohen dy herë para krimit.

C’tregues është ky? Duke qenë se psikologjia është një fushë akoma në zhvillim në Shqipëri, mbetet të kërkojmë shpjegim në makabritete të ngjashme, të përsëritura e të shfaqura edhe në shoqëri të tjera në zhvillim.  Pothuajse të gjitha kërkimet shkencore që mund të lexohen online, sugjerojnë se marrëdhëniet e një çifti ku diferenca e moshës është e madhe, janë në zonë të madhe rreziku për të përfunduar në mënyrë tragjike.

Tjeërkund në botë, vajzat e reja mund të pranojnë lidhje të tilla për shkaqe financiare apo synime karriere. Edhe në Shqipëri mund të ketë raste të tilla, por, tre viktimat e mësipërme, apo edhe rasti i Nazmies nga Krraba, (që 18 vjeç ishte edhe viktimë e abuzimit seksual, edhe autore e vrasjes së abuzuesit të saj), tregojnë se lidhjet nuk kanë nisur për arsye financiare. Viktimat rezultojnë të jenë abuzuar seksualisht në moshë shumë të vogël, e po për shkak të moshës, bien më shpejt pre e sindromës së Stokholmit (viktima ushqen ndjenja për agresorin).  Po ashtu, të gjitha të masakruarat, vijnë nga zona rurale, të izoluara dhe ekonomikisht të rrënuara. Si rrjedhim, ekzistenca e shoqatave në mbrojtje të grave, apo psikologët, këshilluesit e punonjësit socialë me kohë të pjesshme, as që hyjnë fare në botën e izoluar të viktimave të këtij shkrimi, e të të tjerave që janë në rrezik të hapur, çdo sekondë, teksa avullohen këto radhë.

Lajmet e kronikës së zezë, për fatin tonë të zi, na janë bërë pjesë e pandarë e konsumit të përditshëm mediatik.

Apatia ndaj tyre, ashtu si për shumëçka tjetër që na rrethon, na është bërë po ashtu pjesë e përditshmërisë. Rrimë, dëgjojmë, lexojmë, e rrimë prapë. Presim. Një Zot e di se çfarë. Por, presim. Dhe shajmë njëri-tjetrin në rrjetet sociale, me mënyrën tonë të shëmtuar të komunikimit. Me narcizizmin që është aq i fryrë, sa s’na lë të nxjerrim kokën nga vetëkënaqësia e papërballueshme. Apatikë. Dembelë. Të paaftë. Ndryshe, do kishim reaguar. Do kishim kërkuar më shumë. Do kishim refuzuar të zëmë vendin e tjetrit, nëse nuk e meritojmë, apo do kishim kërkuar të përmirësohemi, përpara se të urdhërojmë “Ngrihu prift, të ulet hoxha”.

Ka viktima çdo ditë në Shqipëri. Çdo ditë. E kryefjala jonë mbetet vetëm politika. E qeverisë, e opozitës, e partive, e medias, e punës, e shtëpisë. Konsumojmë pa fund politikë, si opium i skaduar. Në varësi të plotë të saj. Nuk flasim për kohën. Koha jonë është politika.

U pre një kokë vajze 18-vjeçare.

Politika hesht.

Shoqëria hesht.

Aishe të tjera jetojnë fshatrave të Shqipërisë. Në pritje për të qenë viktima. Duke u lutur “larg meje”, por fenomeni është aty. Bashkë me varfërinë, c’ekuilibrin mendor, maninë e vrasësve, mungesën e ndëshkimeve, mos-njohjen e forcës së ligjit, përsëritjes në shkeljet e tij.

S’më gjen gjë në Shqipëri. Këtu mund të vrasësh 26 veta njëherësh. Mund të vjedhësh 700 mijë apo milionë euro. Mund të nxjerrësh njerëz për gjah e t’iu rrokullisësh makinën. Mund të shesësh e të blesh 28 mijë km² për 1 euro. Asgjë s’të gjen as për kaq, e jo për një gjë të vogël, siç është marrja e një jete.  – Ja kështu gjykojnë vrasësit (nëse gjykojnë). Ndryshe, si mund të kemi kaq shumë vrasje në vend?

Shembuj të mos-ndëshkimit ka me shumicë. Përse të tremben? E kur të lirohen nga akuzat e pseudo-gjyqet, vrasësit futen sërish të jetojnë mes njerëzve në një shoqëri totalisht apatike. Pa asnjë shqetësim, motivim, pasion apo arsye për të reaguar. Bëjnë sërish vend, kryejnë sërish një krim, e rrethi vicioz funksionon i pa shqetësuar.

U pre një kokë këtë fundjavë.

Më dhemb koka! Shumë.

Entry filed under: Sociale. Tags: .

Zhytur në krim. Sa bukur na rri! Ah, shqipe!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2012
M T W T F S S
« Sep   Nov »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: