Arsimi, ofrimi, përfitimi dhe diskurset rreth tij

01/02/2013 at 23:25 Leave a comment

Arsim privat për të mirën publike, apo arsim publik për interesa private? Debati për këtë ndërvarësi është i nxehtë sot në qarqet që mundohen të rregullojnë  ofrimin e arsimit përmes politikave dhe shembujve globalë, rajonalë apo lokalë. Marrëdhëniet dhe raporti mes publikes dhe privates në Shqipëri nuk mund të jenë shumë të ndryshme nga panorama që shfaqet në rajon apo më gjerë, me gjithë specifikat që shfaq vendi ynë.

Privatizimi dhe partneriteti publik-privat, po ndodh në forma nga më të ndryshmet, është dukshëm  i pranishëm në numër dhe në frekuencë, e prapë se prapë, për të pak flitet, debatohet apo reflektohet në nivele publike e politikë-bërje.

Që nga hapja e një numri të konsiderueshëm çerdhesh e kopshtesh për fëmijë me emra tërheqës e me xhama e mure të mbushur me foto e piktura personazhesh për fëmijë, deri tek shkollat fillore, të mesme apo edhe universitetet private, ky fenomen ka hyrë në përditshmërinë tonë fuqishëm. Po a e dimë se ç’do të thotë e gjitha kjo për shoqërinë sot, për nxënësit e studentët që përgatiten aty për të na qeverisur nesër, e për avantazhet apo dizavantazhet që ka me arsimin publik? Diskutim të hapur mbi këtë krahasim nuk duket të ketë. Të paktën jo të asaj shkalle sa të pushtojë familjet shqiptare përmes medias, si kanali i vetëm i komunikimit të pashmangshëm e si ndërmjetësi i vetëshpallur mes politikës dhe medias.

Edhe publikja private?

Përtej diskutimit që rri si çekan mbi kokën e prindërve shqiptarë (ku ta çoj fëmijën, në shkollë publike, apo në shkollë private?), pyetja që kërkon përgjigje është: Çfarë ka ngelur publike dhe çfarë është private sot në arsim? Reputacioni për ofrimin  arsimit është i ndryshëm për nivele të ndryshme të tij. Shkollat fillore dhe ato të mesme private nuk vuajnë për imazh e perceptimi për to është i përcaktuar më qartë, kurse universitetet private vijojnë të perceptohen me shumë skepticizëm, e akoma konsiderohen si zgjedhja e detyruar e atyre studentëve që nuk arrijnë dot të fitojnë degën e preferuar në sistemin publik. Pse ky perceptim, është një tjetër çështje. Ama ndryshimi i tij për nivele të ndryshme arsimore, çon përsëri tek pyetja: C’është private e ç’është publike në arsim, veçanërisht në atë para-universitar?

Pse kjo pyetje? Faktet tregojnë që prindërit shqiptarë janë përballë dy zgjedhjeve, që në fakt, financiarisht, të çojnë në të njëjtin përfundim: Ose e regjistron fëmijën në shkollë private dhe paguan gjithçka që në fillim të vitit; ose e çon në shkollë publike dhe paguan për orë shtesë e mësime private në lëndë të ndryshme gjatë vitit. As kostoja nuk është e njëjtë, as familjet nuk janë të gjitha në gjendje që të kontribuojnë në këtë mënyrë në arsimimin e fëmijëve të tyre. Ama dëshira për ta bërë këtë, ngelet e madhe. Ndaj edhe i shohim të gjithë maturantët të shkojnë në universitet, me apo pa pagesë qoftë ai.

Por, le t’i kthehemi raportit të privates me publiken në këtë temë. Ku fillon njëra e ku mbaron tjetra? Institucionet private që ofrojnë arsim, në të vërtetë i shërbejnë të mirës publike. Apo janë ato vatrat ku prodhohet elita e vendit? Fare e paqartë kjo pikë, dhe akoma pa asnjë evidencë për t’u pranuar, e as argument për t’u hedhur poshtë. Nga ana e tyre, edhe institucionet publike, nuk ofrojnë arsim vetëm për ata që nesër do të punojnë në administratë apo sektorin publik, por furnizojnë një pjesë të mirë edhe të sektorit privat me të diplomuar të suksesshëm, që në fakt, së pari synojnë pikërisht këtë treg. Duke marrë në konsideratë edhe dëshirën e mirë të prindërve shqiptarë për ta arsimuar fëmijën sa më mirë, duket qartë se të dyja llojet e institucioneve, në fakt, i shërbejnë një të mire të vetme: asaj publike.

Po si, në çfarë mase? Me çfarë cilësie? Më çfarë kostoje dhe ku kthehet kjo kosto? Kush e përdor më vonë atë? Mekanizmat dhe instrumentet për ta matur dhe përkthyer këtë çështje në  fakte, në debat e në reflektim politikash, akoma janë në fazën identifikuese.

Kutia bujare e Pandorës – mungon vetëm aftësimi dhe dija.

Që arsimi privat të konsiderohet si ndihmës apo shërbyes i të mirës publike, duhet parë shkalla e rëndësisë që i kushton përfitimit financiar institucioni që e ofron, në raport me investimet që ai bën me të ardhurat nga nxënësit.  A janë institucionet private ndërtesa të mira, të ngrohta e të mirë-pajisura, dhe në i zgjedhim për komoditetin, duke cenuar kështu cilësinë? Apo janë ato të keq-gjykuara për mënyrën si i pranojnë nxënësit e studentët, si i vlerësojnë ata, si e lëshojnë certifikatën apo diplomën në krahasim me institucionet publike, e kështu me radhë.

Për sa kohë që matja e cilësisë është vetë çështje që shoqërohet nga një pikëpyetje e madhe, është e parakohshme të  mbahet një qëndrim i prerë për sa më sipër. Zgjerimi i ofrimit të arsimit shitet me të madhe si një mundësi e artë që iu jepet të gjithëve për t’u pajisur me dije apo diplomë. Ama pyetja që shoqëron gjithmonë e më shpesh të gjitha palët, edhe ata që paguajnë kuotat e përballueshme publike, edhe ata që paguajnë për arsimin e tyre privat, e madje, edhe prindërit, si sponsorët që furnizojnë këtë treg, pyesin me të drejtë: ku do të punësohen të gjithë këta të diplomuar? Dhe ja ku jemi përballë të vërtetës. Duket sikur “arsimi për të gjithë” e privatizimi i tij është zgjidhje magjike. Në fakt, nuk është. Nuk është, sepse njerëzit që sot janë në shkollë, nesër do të jenë në rrugë, me një karton në xhep e me pritshmëri aq të larta, saqë çojnë në  presion social e pakënaqësi të vazhdueshme nga dështimi për të gjetur një vend pune në profesionin që thotë diploma.  Ama tregu i punës nuk i përgjigjet numrit e varietetit të diplomave që prodhojnë ndërtesat private (apo edhe disa publike).

Në vendet që kanë kaluar më parë situatë të ngjashme me të Shqipërisë sa i përket masivizimit të ofrimit privat të arsimit, analiza e shkaqeve dhe pasojave sjell në vëmendje dështimin e shtetit në përballimin e situatës. Raportet tregojnë se pamundësia për të ofruar arsimin sipas kërkesave të atyre që e marrin atë, ka çuar edhe në rritjen e institucioneve private. Mënyra se si menaxhohet arsimi ndikon gjithashtu në këtë raport, që sidoqoftë, përcaktohet nga përmbushja ose jo e detyrimeve shtetërore ndaj arsimit publik.

Cili është rreziku?

Arsimi privat në vendet e zhvilluara është sektor që synohet, pranon dhe përgatit vetëm kontingjent nga shtresa e mesme, e lartë ose nga familjet me gjendje të mirë financiare, që kërkojnë të blejnë me para edhe dijen e inteligjencën. Por, s’ka nevojë të shkojmë larg. Edhe në rajon, rasti i Kroacisë, me një  numër tejet të kufizuar shkollash private, tregon se përcaktimin e ekzistencës dhe përdorimit të këtij lloj arsimi, nuk e ka në dorë vetëm përkitja gjeografike, ekonomike apo kulturore. Ama në shumicën e vendeve në zhvillim, privatizimin e fillojnë të parët njerëzit që janë më afër arsimit publik.  Drejtpërdrejt apo tërthorazi, shteti bëhet privat dhe ofrimi i arsimit bazohet në interesat e një klase të caktuar, duke humbur kështu natyrën e të mirës publike.

Po le të kthehemi edhe një herë tek perceptimet rreth dy llojeve të arsimit. Institucionet private që ofrojnë arsim janë të ngrohta, kanë më pak nxënës në klasë,  i mbajnë fëmijët më gjatë në shkollë, ndihmojnë në lehtësimin e ngarkesës së prindit për kohën që duhet kaluar duke mbikëqyrur fëmijët. Të paktën kështu supozohet.  Por, me çfarë matet aksioma e tyre dhe e fëmijëve vetë, që pretendojnë se të qenit në shkollë private, i bën ata më të zgjuar? (niveli para universitar). Matës të cilësisë nuk ka. Madje, edhe për vetë fjalën “cilësi” debati mbetet e hapur. Jo domosdoshmërisht palët kuptojnë të njëjtën gjë me të. Perceptimi i cilësisë mund të mos ketë madje as ngjashmëri nga këndet si e shohin nxënësit prindërit dhe ofruesit/pronarët e institucioneve private. Nëse pretendohet se cilësia matet, flitet për matje të dijeve, apo të aftësive të fituara? Kjo analizë mungon, ashtu siç nuk është i disponueshëm as ndonjë studim apo raport që evidenton cilësinë e shkollave e të universiteteve (evidencë mbi të cilën duhet më tej të bazohet listimi i ofruesve më të mirë).

Në kërkim të cilësisë. Apo?

Përveç debateve e analizave të detajuara që kërkon dualizmi i ofrimit të arsimit në Shqipëri dhe ndërthurja e interesave e përdorimit të publikes për privaten e pretendimin për të përdorur privaten për publiken, duhet gjetur edhe përgjigjja e një dileme mjaft të thjeshtë për arsimin: Në ç’drejtim po shkohet dhe me çfarë qëllimi?  Dëshira është të supozojmë se përpjekjet të çojnë të gjitha në mbylljen e hapësirës që ekziston midis shkollave të mira e atyre jo shumë cilësore. Gjithmonë nëse shqetësohemi për performancën dhe cilësinë e shkollarëve dhe studentëve që dalin çdo vit në tregun e punës. E akoma më tej, të shihet se si veprohet për të nxitur vijueshmërinë e cilësisë aty ku ajo ekziston, dhe të mundësohet replikimi i saj në raste të tjera. Mekanizma ka, e do ishte absurde nëse nxitja nuk bëhet normë.

Po shoqëria?

Në rastet kur mbështeten apo nxiten inisiativa arsimore, është  e pritshme që vendimet t’i ndjekë vazhdimisht pyetja: C’do të thotë ky veprim për shoqërinë? Veçanërisht për rastet e arsimit të lartë, kur të vijë momenti për të bërë analizën e  fenomenit të masivizimit dhe liberalizimit me kontroll të limituar të Arsimit universitar e pas-universitar, duhet dhënë patjetër përgjigje edhe për pasojat që solli kjo gjendje në administratën publike dhe efektin që pati po ashtu edhe në sektorin privat.

Sërish vjen në vëmendje Kroacia, me revoltën e studentëve të saj një vit më parë, ku nuk pranonin rritjen e tarifave universitare në mënyrë të papritur, e pa u konsultuar më parë më unionin studentor. Pyetja për zyrtarët ishte: “Ju u arsimuat falas. Po ne, përse jo”? Në thelb, kërkohet llogari publike për shndërrimin e universiteteve në organizma fitimprurëse, gjë që dëmton vetë arsyen e ekzistencës së tyre si institucione edukuese, dhe jo përfituese. Por, fenomeni lidhet në Shqipëri në mënyrë të pashmangshme me luftën që hapën në tregun e studentëve universitetet private: sa studentë do të marr unë? Që përkthehet: Sa para do të fitoj? Nuk ka asgjë të keqe me këtë logjikë. Por, kur imitohet edhe nga ofruesit publikë, jo vetëm që tregu bëhet kaotik, por lindin edhe dyshime të forta për arsyet dhe mënyrën se si menaxhohet shtrirja dhe ofrimi i arsimit në vend.

Pse nuk kemi edhe ne reagim studentor për këtë pikë të errët të sistemit? Mbase sepse për momentin, gjëja më e rëndësishme për një student shqiptar është diploma dhe numri i viteve të studimeve të reflektuara në të, dhe jo çmimi financiar apo social që paguan për heshtjen e tij.

Mitet e arsimit. Klishetë e diplomës

Varësia e statusit social nga diploma ngelet në fakt thjesht në mendjet e njerëzve. Nuk ka evidencë që të mbështesë pretendimin se duhet të shkosh patjetër në universitet që ta gëzosh këtë status. E njëjta paradigmë vlen edhe për punësimin, ku nuk është as diploma, as dija që mendon se ke matur përmes notës, që e përcakton karrierën dhe vendin e punës. Janë aftësitë që përcaktojnë punën, rrogën dhe statusin tënd. Pikë.

Çështja e ofrimit privat të arsimit është delikate, shumë e kritikuar e po kaq shpesh, e keqkuptuar, apo keqpërdorur, si nga ata që e licencojnë,ashtu edhe nga ata që e zotërojë, ofrojnë, marrin apo blejnë këtë shërbim, sikur të ishte çdo lloj malli tjetër për shitje.

Sa kohë që arsimi privat merret me shkencat e buta (që janë sidoqoftë jo-efiçente për shoqërinë), mund të vijojmë të jemi “të qetë”. Por, kur mjeku, kirurgu që na hap kokën, stomakun apo zemrën, ndihmës-piloti i avionit apo inxhinieri që drejton punimet në urën mbi Vjosë vijnë nga ato shkollat private ku regjistrohesh sot dhe e merr diplomën pas 6 muajsh, atëherë ndoshta nuk do të jemi kaq pasivë ndaj dukurisë. Por, po, është e saktë. Vetëm kush pëson mëson. E meqë nuk na pëlqen fort t’i marrim parasysh mësimet e të tjerëve, do të presim për pësimet tona. Me shumë durim madje.

Arsimi në Shqipëri është shumë dinamik në problematikën e tij dhe kjo vjen kryesisht për shkak të konfliktit që ka midis dëshirës së madhe të prindërve dhe fëmijëve për të qenë të arsimuar/diplomuar me çdo kusht dhe lëkundjes së imazhit mbi arsimin që kanë sot shtresa dhe breza të ndryshëm në vend. Sa i përket privatizimit, është e dhimbshme të mendosh se sa shpejt e gllabëruan më të shkathtit idenë për t’iu përgjigjur kësaj dëshire të madhe duke i ofruar në këmbim arsim me pagesë. Por, a jemi të qetë po të mendojmë se po shndërrohemi në një shoqëri që mbledh para prej fëmijëve? Kështu është. Ato para, prindërit mund t’i përdornin ndryshe për fëmijët e tyre, nëse arsimi publik do të ofrohej siç tregu e kërkon. C’lloj arsimi duam të promovojmë me gjithë këtë numër të lartë institucionesh private, që nga çerdhet e deri tek  dhomat ku prodhohen doktorë shkencash? Aktivistët e të drejtave të njeriut do hidheshin me të drejtë në debat për të kërkuar llogari mbi drejtësinë sociale, ose mungesën e saj në këto iniciativa. Morali i menaxhimit dhe qeverisjes së arsimit ndikon shumë në drejtësinë sociale.  Ka gjithashtu rëndësi fakti se kush projekton ndryshimet në arsim, ç’tjetër dhe pse?

Arsimi  është kështu në një dinamizëm të madh ngjarjesh e ndryshimesh që na kalojnë para syve cdo ditë. Dhe po kërkon më këmbëngulje të jetë në qendër të vëmendjes. Për të mirën e të gjithëve. Por me sa duket, i duhet akoma edhe pak luftë për të bërë. Dhe çështja është në pritje të debatit, mundësisht publik.

Entry filed under: Analize, Arsim. Tags: , , , , .

Krishtlindje mirditore Fushatë absurdesh

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2013
M T W T F S S
« Nov   May »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728  

%d bloggers like this: