Krishtlindje mirditore

01/02/2013 at 23:04 Leave a comment

Ndaj, Krishtlindjet e këtij viti më gjejnë në Mirditë, si në çdo 24 Dhjetor. Tek mundohem të heq një paralele mes festës për lindjen e Krishtit dhe mënyrës se si kremtohet ajo në Shqipëri, nuk mund ta shoh panoramën më të plotë sesa këtu.

Gjithë Shqipëria zbukurohet (në çfarëdolloj kuptimi mund të ketë ky term), kryesisht për Vitin e Ri. Edhe shpenzimet, dhuratat e urimet bëhen për ndërrimin e viteve. Në dy dhjetëvjecarët e fundit, është shtuar edhe Krishtlindja në retorikën e urimeve, por pa pasur ndonjë domethënie të veçantë as për dërguesit, as për marrësit . Ose më saktë, jo atë domethethënie që ka festa që përjetohet në Rrëshen.

Mirdita është rrethi i vetëm në vend ku në çdo shtëpi,  25 Dhjetori ka përparësinë absolute ndaj 1 Janarit. Nuk e bën të mundur këtë thjesht atmosfera  në pamjen e jashtme të qytetit të vogël të Rrëshenit apo në zbukurimet modeste që vendosin banorët nëpër shtëpitë e tyre. Krishtlindjet në Rrëshen i bën tejet të veçanta atmosfera brenda cdo shtëpie mirditore.

Mesha e mesnatës që kremton lindjen e Jezu Krishtit është aq e ndjerë, saqë banorët e gjithë rrethinave zgjedhin pikërisht këtë natë për të dalë me familjarët e tyre, e jo ndërrimin e viteve. Predikimi nuk është rutinë, e rreshtat e parë nëpër Kisha nuk i zënë as politikanët, as të “rëndësishmit” e vendit. Në katedralen e Rrëshenit, vendet i përkasin pa asnjë dallim mirditorëve të thjeshtë, që si sot, ashtu edhe në vitet kur feja ishte e ndaluar nga komunizmi, apo edhe atëherë kur popullsia shqiptare konvertohej me forcë në myslimanizmin e sjellë nga turqit, ditën t’i rezistojnë tjetërsimit.

Erdhi me kosto të lartë kjo ruajtje e origjinës fetare, sepse Mirdita vijoi të jetë e izoluar prej të gjithë regjimeve e pushteteve të cilat ajo vetë, e para, nuk i la ta tjetërsonin.

Rruga e Kombit që kalon përmes saj, është investimi i vetëm që ka mbërritur në Mirditë prej shumë vitesh. Si për ironi të fatit, edhe ndërtimi i hekurudhave të dikurshme, ndali në vend pikërisht kur po ndërtohej vija e hekurt që do të lidhte Milotin me Rrëshenin e me tej, me Klosin. Ajo ndërprerje u duk sikur e konfirmoi edhe më tej ndaljen në vend të kohës së zhvillimit infrastrukturor e ekonomik për të gjithë Mirditën.

Dhe vërtet, duheshin orë të tëra për të mbërritur nga Tirana në Rrëshen deri para pak vitesh. Por, si atëherë, edhe tani,  ka dicka stoike që nuk ndryshon kurrë në atë vend: Kremtimi i festave fetare.

Krishtlindjet mirditore janë sot po njëlloj si atëherë kur asnjë investim nuk binte mbi rrethin me shtrirjen më të madhe gjeografike në vend. Motivet e Krishtlindjes, ngjyrat, gatimi, respektimi i ushqimit të përcaktuar për secilën prej ditëve, 24 dhe 25 Dhjetor, atmosfera familjare, vizitat në shtëpitë e njëri-tjetrit, buzëqeshjet pa fund, trokitjet e gotave me verën apo rakinë e manit e të kumbullave të bëra në shtëpi, ardhjet e të gjithë pjesëtarëve të familjes për të festuar së bashku në darkën e bekuar të 24-ës apo dhuratat që janë patjetër të personalizuara, tradicionale e të bëra me dorë, janë të gjitha elementë  të mrekullueshëm të një feste të vërtetë njerëzore. Festë e kremtim që duket se nuk ka asgjë të përbashkët me komercializmin e qyteteve të mëdha, që e kanë importuar Krishtlindjen për të bërë biznes me atmosferën që sjell ajo.

Në Mirditë, dita e lindjes së Krishtit është ndryshe. Në ka vend në Shqipëri ku ndjehet atmosfera e vërtetë që lidh njeriun me besimin, e përmes tij, me familjen dhe njohjen e vlerave hyjnore që supozojmë se mishërojmë në këtë ditë, kjo është pikërisht Mirdita.

Eshtë po aq bukur të ndjesh aspektin e vërtetë hyjnor e fetar të kësaj feste edhe në të gjitha kishat e tjera në vend. Por, me gjithe popullsinë e saj homogjene katolike, Mirdita rrallëherë e gjen mundësinë të jetë në qendër të vëmendjes, madje, edhe në ditën që i takon. Rrëmbehet fokusi i saj. E përvetëson politika, media apo pseudo-shqetësimet për ndarjen e mos-ndarjen fetare. Asgjë nuk ka për t’u emërtuar si e tillë. Sot janë Krishtlindjet dhe qendra e festimeve të tyre, është këtu, në Mirditën që lindjen e Krishtit, së bashku me ditën e Pashkëve, i sheh si mundësitë e vetme për të shpresuar, lutur e kërkuar dicka më të mirë për të dhe banorët e vet.

Ka festë në Mirditë. Ka shumë gëzim, shfaqje tradicionale të të festuarit, humanizëm, natyrshmëri dhe gjallëri. Në Rrëshen nuk ka lokale luksozë me muzike live që të kërkojnë të festosh me ta Krishtlindjet. Këtu bizneset mbyllen para vaktit të mbrëmjes. Të gjithë festojnë në shtëpi, sic festa e kërkon.

Nuk ka komercializëm në Rrëshen. As politikë. As dhurata e shfaqje disa milionëshe. Por ka dicka që nuk e gjen as në Tiranë, e askund tjetër sonte në vend: njerëz të qeshur, të lumtur, të mbledhur rreth vatrës familjare, të gjithë bashkë, në ruajtjen e traditës  së fortë e të bukur familjare po me aq fanatizëm sa edhe për ruajtjen e fesë. Këtu Jezu Krishti vjen i qetë dhe gjen hapur secilën prej shtëpive të ndërtuara rreth kodrave, brigjeve, rrëpirave e natyrës pak të ashpër mirditore. Brenda cdo shtëpie, gjen shpirtin e vërtetë familjar, që është edhe arsyeja e vërtetë për  të cilën gëzohet çdo Krishtlindje.

Gëzuar të gjithë të krishterëve.

Entry filed under: Koment, Uncategorized. Tags: .

Pavarësisht pavarësisë Arsimi, ofrimi, përfitimi dhe diskurset rreth tij

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
February 2013
M T W T F S S
« Nov   May »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728  

%d bloggers like this: