Fushatë absurdesh

19/05/2013 at 13:20 1 comment

Është e madhe konkurrenca në vend për paradoksin më të madh të këtyre zgjedhjeve. Goxha lart në garën për titullin e bllofit më grotesk qëndron me meritë Ilir Meta. Pas kalvarit qeverisës, maksimumit të shikueshmërisë për “Fiks Fare” ndjekur me minimumin e reagimit të drejtësisë ndaj çështjes, por me gjithë përfshirjen e palëve në një protestë ku të humburit e vetëm, atë ditë dhe sot ngelen 4 të vrarë nga turma e familjarët e tyre; pas zaptimit me sukses të 20% x 2 në secilin sektor që dëshiroi; pas ngjalave të shijshme e 1 Prillit kryeministror, Meta ka gjithë të drejtën e Zotit të pretendojë titullin e qenies më paradoksale politike në Shqipëri.

Miqtë LSI-stë do vërtiten me reagime e komente për të na mbushur mendjen sa i mirë dhe i drejtë është Meta dhe partia e tyre. Mund edhe të kenë ndonjë sukses me like tek-tuk, por nuk kanë për të arritur shkallën e reagimit që do të vijë e rilindur, e ringjallur dhe e ridegjeneruar drejtpërsëdrejti nga Twiter. Në fakt, ka bërë disa ditë pushim kënga e zogut qëkurse lëviz nëpër atdhe autobusi i rilindjes. Ama po qe puna për reagim, ciu-ciu do të vijë se s’bën, duke na pritur me këmbët e para.

Që nga mos-kandidimi për deputet para katër vitesh, në 18 muajt e bojkotit parlamentar, në grevën e urisë ku njerëzit dolën më të shëndoshë sesa hynë, e deri tek humbja e Bashkisë së Tiranës me stilin “S’ka gjë mos u mërzisni, se do të ulem në karrigen e kryeministrit në 2013-ën”, e bëjnë edhe Edi Ramën kandidat të denjë për titullin e Mister Paradoksit. Kontributet e tjera në luftën e tij për titull kanë bashkautor Metën, (ah ngjalat, ngjalat), e në disa raste edhe vetë Berishën (Na e bëj hallall Ziver, po kështu e deshën ca punë). Fushata e tanishme është disa gramë më ndryshe se ajo përtacja që Rama bëri në 2011-ën në Tiranë.

Është e vërtetë që sipas statistikave, e majta mund të mos ketë nevojë fare të bëjë fushatë. Të flenë gjumë mbuluar me çarçafë me nuancë manushaqeje deri në 23 Qershor, e po deshën, mund edhe të çohen vonë nga gjumi krerët, si e diel që është. Populli i majtë, në orën 07.10 minuta të mëngjesit, do e ketë kryer detyrimin e tij të votimit në të gjithë Shqipërinë. Ama, princeshat që flenë mbi bizele nga e majta, harrojnë se të votosh është vetëm një pjesëz e procesit. Të numërosh e më pas, të përcaktosh cili numër është më i madh, është pjesa më e rëndësishme e tij. Dhe për këtë, ligjin në dorë e ka Maliqi. Maliqi mund të ishte edhe Rama, por për momentin, ka bërë mirë që ka zgjedhur të strehohet në Vlorë.

Maliqi. Kandidati numër 3. Më i forti për të qenë Mr. Paradoksi. Më i forti? Mbase edhe jo. Do i kthehemi sërish më poshtë. Po cilat janë pikat e pathyeshme të tij? Buzëqeshja! Vendi digjej, ai rizgjidhej president. Njerëzit vriteshin me çadra e stilolapsa në bulevard, ai gjente lavire dhe horra, përherë me buzëqeshje. Refuzimi numër tre për t’u quajtur kandidatë, ai prapë na buzëqeshi gjithë siguri kur na tregoi se fajin e kishte gjithë bota, vetëm ai, larg qoftë, jo. Veshi e zhveshi me pushtet presidencën, kryeministrinë, parlamentin, gjyqësorin, kushtetuesen, KQZ-në, gjithçka që i doli përpara në këta 8 vjet perandori.

Të gjitha me buzëqeshje na i ka dhuruar.

Ndonjëherë, në këto buzëqeshje e kanë shoqëruar edhe miqtë e tij të pandashëm të idealit, Nano, Rama e Meta. Por këta ngërdheshen me radhë, në dorëzim titujsh, ndryshime kushtetute, nënshkrim qeverie apo pafajësie. Kurse Maliqit, s’ia heq dot kush buzëqeshjen nga fytyra, për asnjë çast.

Shpoi male për tunele, fusha për naftë e lugina për krom. Hiç. Buzëqeshja aty. Vijmë pas Gjermanisë për rritje ekonomike e për çmimet e kripura të naftës e të produkteve të shportës. Hiç. Buzëqeshja aty. Minë me sahat universitetet private dhe papunësia e analfabetëve me diplomë. Hiç. Ai buzëqesh e ne duartrokit. Qendra tregtare në lindje, perëndim, veri e jug të Tiranës. Reklama e përdorime private të fondeve publike për to. Jo vetëm hiç, por më shumë duartrokitje nga ne.

Dhe sot, me ushtarët e tij të wannabe-ve, kryesuar nga Rama dhe Meta, kthen herë pas here kokë pas, për t’u siguruar që po e ndjekin. Sigurisht buzëqesh, shkel syrin dhe u thotë: “Hë pra, cmon, follow me”.

Dhe me vrap këta, të rilindin. Duke na thënë se për katër vjet, Maliqi nuk na siguroi dot punësim, mirëqenie dhe integrim.

Iliri thotë se këto dështime të Maliqit, që ndodhën duke filluar nga ora 13.30 e datës 01 Prill 2013, kur ai doli nga kryeministria e pas, do t’i realizojë menjëherë sapo të vijë edhe një herë në pushtet, po këtë radhë me Ramën, se tani nuk janë më si do vite më parë. Tani jo. Kanë rënë dakord për pjesën e tortës që i takon secilit.

Po është edhe turp t’u kërkosh votën njerëzve kur as vetë nuk e di në cilin krah të ylberit je. Po meqë si koncept, “turpi” është alien për politikën tonë, i bie që të paktën t’u skuqet faqja kur iu dalin njerëzve përpara e iu thonë: “Ku e keni inteligjencën ju? Se na dilet pak jashtë”.

E kërkojnë edhe votë!

S’ka më “ E keqja më e madhe, e keqja më e vogël”. E keqja është njësuar. Edhe të kërkosh votë në emër të këtyre njerëzve është paradoks, jo më t’ua japësh atyre.

Gurin, njëri prej tyre e mban në dorë. Tjetri shpiku rregulla të reja loje. E i fundit vazhdon të qajë, se do t’ia japin gurin se s’bën, edhe pse akoma nuk është i qartë se kush e ka dhe ku e mban atë gur.

C’Albanistan? Absurditan me gërma kapitale. Dhe jemi në euforinë e përzgjedhjes së absurditetit më të madh.

“…Po sot, Shqypni, pa m’thuj, si je? Porsi kur lisi i rrxuem përdhe”

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Arsimi, ofrimi, përfitimi dhe diskurset rreth tij Hajde fushatë. Fushatë për të tërë.

1 Comment Add your own

  • 1. Mario  |  19/05/2013 at 17:23

    Shume e bukur pervec se e sakte dhe koherente. Ka disa te verteta apo fakte te patjetersueshme, si psh qe e majta ka gjysmen apo me shume te votave te gjithe Shqiperise. Dhe qe nuk do ndryshojne zgjedhjen e tyre edhe nese ne krye ve nje matuf po edhe nese ky matufi i merr pasurine, punet, mallin edhe ne fund gjysmen e tyre e shpall armik dhe e vret pa meshire(Diktatura docet). E ne fund ka disa qe do dalin kunder por sa kohe te kene gjysmen apo diku afer saj, e thene me nje shprehje ketu lart do ishte: “..hic, buzeqeshja aty, ai buzeqesh e ne duartrokit

    “Power tends to corrupt, and absolute power corrupts absolutely”

    Lord Acton

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

May 2013
M T W T F S S
« Feb   Jun »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  

%d bloggers like this: