Hajde fushatë. Fushatë për të tërë.

23/05/2013 at 09:13 3 comments

Pra sot, niska zyrtarisht fushata? Si ta bëjmë dallimin? Se fushata s’është ndërprerë asnjë sekondë që kur janë shtuar televizionet si kërpudhat pas shiut. Mbaro një palë zgjedhje, merru me rezultatin, kontesto, protesto, dil para makinave (Shaban Memia), poshtë tyre (Krenar Ahmeti), në shesh (Sali Berisha), bëj përshesh (Edi Rama), në grevë (Erjon Velia d.v.), në protestë (mundësuar nga Ilir Meta), në bulevard (ça horrash), gjithandej ku ka kamera (hë, keni ardhur të gjithë?).

Nuk mbaron ky kalvari, por, afrohen zgjedhjet e tjera, dhe grevat mbarojnë, makinat shpërndahen, vdekjet harrohen, të gjithë pajtohen, bëhen miq, puthen si vëllezër e kaluar vëllezërve, grusht bashkuar rreth Shqipërisë aman, se do e çojmë në Europë, e me zemër të këputur, fillon fushata tjetër. Asnjë ditë pushim. Çdo dy vjet zgjedhje. Një vit e harxhojmë me ato që s’pranojmë, një vit tjetër me ato që përgatisim. E kështu, arrijmë në 23 Majin e 2013-ës.

Femra me shumicë. Edhe ato që u vlerësuan si të pagueshme me gjobë, pretendimet nuk i kanë keq. Në lista kandidatësh s’janë, po në listë pritje po. Që ç’ke me të.

Të rinj me bollëk. Prapë aty, në ndonjë skenë, pas ose anash kandidatëve. Pa flamuj, se u bie personaliteti, por, me duart rrasur thellë në xhepa. Në pritje të mrekullisë së radhës.

Pleq, për marshallah. Jo vetëm pensionistët e PS-së. Këtë radhë, janë shpërndarë në mënyrë më të ekuilibruar, e i gjejmë në çdo cep e çdo ngjyrë. Për respekt, disa përfaqësojnë edhe vetë pasardhësit e tyre.

Burra pa fund. Në krye të çdo liste. Nga 816 kandidatë që zënë vendet e para për 68 parti në 12 qarqe, 808 janë burra. Pra, kryesojnë 99.01% të listave. Plot nga puna jonë.

Media me teka e me preferenca, sa të duam. Hap gojën, plotësohet dëshira. Selektivë subjektivë më të hallakatur se kurrë më parë. Më pëlqen, s’më pëlqen. Kungulleshka sikur të ishte shpikur ekrani sot, jo një shekull më parë. Prona ime, vendos unë. Po mirë, kështu është, edhe pse licencat jepen kundrejt detyrimit t’i shërbesh publikut.

Drejtues emisionesh, lajmesh, programesh e skeçesh si të na dojë e bardha zemër. Kriteri bazë ngelet (mos)pëlqimi personal për individin, partinë, prirjet, bindjet, çorapet që vesh apo buzëkuqin që përdor, po pak më shumë, për pozitën, interesin dhe potencialin për të përfituar gjëkafshë, (pavarësisht se askush nuk është i sigurt çfarë).

Opinionistë më të pavarur se çdo herë tjetër, pavarësisht se që nga televizioni apo emisioni ku shfaqen më shpesh, marrin edhe etiketën përkatëse. Argumente aq bindëse, të shëndosha, të mirëmenduara e të qëndrueshme, saqë po t’u kërkosh t’i përsërisin, ngatërrohen me fjalët e tyre, se ndërkohë, kundërshtari përballë ka shtuar një fjalë kafeneje që ti s’e dije. Plus, ti kontrollon live dhe sheh se në facebook është hedhur një status i dyshimtë që t’i lëkund argumentat, dhe në sms, një burim i sigurtë pranë partisë x, drejtpërdrejt nga makina ku po udhëton me kryesinë, të thotë të bësh kujdes, se nuk i ke solide fjalët. Ndaj, argumentat e njërit, përfundojnë pronë e tjetrit me vështirësinë e kalimit të shiut nga baça e komshiut, tek jotja.

Sondazhe, sipas dëshirës. Fik e ndez celularin, voto prapë, bëje gjithë ditën. Ulu edhe në 5-6 kompjutera në një qendër interneti, voto një herë nga eksplorer, një nga moxilla, e një nga google crome, e ja, 3 vota të ndryshme për një minutë. Bëje 10 herë, 30 vota. Në fund, PS fiton në Tropojë me 90%.
Ose, paguaj një kompani asnjanëse, tregoji anën tënde, tremb një herë ata që të bëjnë numra, pastaj manipulo ata që s’të duan, e në fund, futi një të buzëqeshur, se vota në Shqipëri dihet, e nuk ka nevojë për asnjë sondazh.

Udhëtime nëpër Shqipëri: teatër më vete. Nuk përshkohet ndonjëherë vendi më dendur sesa këtë periudhë. Ideale për të shijuar Tiranën. Makinat e zeza dhe 700 shoqëruesit e tyre derdhen rretheve. Mund edhe të takohen në Tepelenë për një drekë, në Shkodër për një krap apo në Vlorë për ndonjë koce. E në përgjithësi, për të pasur edhe mundësinë e mbulimit live nga të gjitha televizionet e dashura, lëvizjet bëhen në të njëjtin drejtim, jo në të kundërt. Se s’ka dhe lezet. Opozitarë, por vëllezër.

Takime pa fund. Shtrëngime duarsh. Dëshirë e madhe e ëndërr e mezi-mbajtur në sirtar për t’u bërë fermer, zetorist, traktorist, për të jetuar në fshat, për të bërë një rrugë, për të ngrënë pak bukë, djathë e domate në tryezën e fshatarit. Mes njerëzve të thjeshtë. Gju më gju me popullin…..

E foto në facebook. Kryesisht me njerëz që dëgjojnë gjithë vëmendje. Me habi. Me kureshtje. Mendueshëm e plot inat me veten: “Si s’e kam ditur më parë unë që ekziston ky? Që qenka kaq burrë i mirë? Do ta votoj se s’bën? Ja, sa t’i marr plakës dyqind lekë për cigare, e do kthehem prapë”.

Shfaqje, koncerte, drita e fishekzjarre në Pallat të Kongreseve (shyqyr që ka parti, se si do mbahej ai Pallat? Deri sa të fitojmë Eurovizionin, pa ta shohin partitë pastaj). Nga qepa e fshatarit, tek efektet dhjetëra mijëra euroshe të dritave e ekraneve në këtë pallat. Gishta lart, grushta lart, kuqe, vjollcë, rozë e blu. Shqipëria gati-tu. Sot është 23 Maj dhe tani duhet të fillonte, por të gjitha këto, i kemi parë.

E gjitha, një luftë për të futur në parlament 120 e ca burra e 20 pa ca gra, me moshë mesatare dyfish sa ajo e Shqipërisë (jemi akoma nën 28 vjeç në mesatare), që do zihen, o Zot, për të mirën tonë. E nga pak, edhe për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tyre.

Që sot, deri në 23 Maj të vitit tjetër, do merremi me këto zgjedhje. Pastaj, na fillojnë lokalet.

Ja suksese, për të tërë. Hajde zgjedhje. Zgjedhje me shumicë.

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Fushatë absurdesh Fitoi paraja

3 Comments Add your own

  • 1. shinasi  |  24/05/2013 at 17:33

    Reblogged this on Rrethi i Ferrit and commented:
    NJe shkrim interesant qe ve ne dukje disa probleme themelore te sistemit politik.

  • 2. Xhafer Rakipllari  |  24/05/2013 at 18:00

    Reblogged this on Xhafer Rakipllari and commented:
    Fushatë?!

  • 3. Ana  |  07/06/2013 at 10:19

    ..oh ç’u kenaqa…..shkrim per te tërë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

May 2013
M T W T F S S
« Feb   Jun »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  

%d bloggers like this: