Fitoi paraja

28/06/2013 at 08:23 1 comment

A fitoi vërtet e majta në Shqipëri? PS ka vetëm një mandat më shumë se në 2009-ën, kurse LSI nuk dihet më c’identitet ka. Ndaj, qeveria që do dalë nga këto zgjedhje, zor se mund të quhet e majtë. Qeveri votash pragmatiste po. Mund të quhet dhe me plot gojën madje.
Pyetja që shqetëson moralistët dhe idealistët shqiptarë është: Si ka mundësi që rreth 200 mijë shqiptarë votuan korrupsionin, dështimin e drejtësisë, shpërdorimin e administratës, kërdinë, d.m.th. LSI-në?

Përgjigjia është e thjeshtë: LSI-në e votuan shqiptarët e djathtë që nuk duan të humbasin vendin e punës. Po. Vota është pjekur e djegur fare madje, teksa qytetarët janë bërë kaq pragmatistë sa mendojnë për efektin e menjëhershëm të saj. 80 mijë votuesit e saj besnikë, LSI-së i mbetën të sistemuar, të papërzënë e papërzier nga buzëqeshja e pas 1 Prillit, teksa Ilir Meta dilte nga zyra e kryeministrit. E bukura është se atë buzëqeshje e kapën, kuptuan e përkthyen në votë edhe 120 mijë të djathtë, të lëkundur, gri apo pa ngjyrim politik fare që janë në punë, e duan të ngelen aty, edhe me ndërrimin e pushtetit. E që të ndodhte kjo, barka e shpëtimit është ajo që vetë nuk u mbyt kur e hodhën në dallgët e kodit të cuditshëm elektoral: LSI.

Analiza për këto zgjedhje ka shumë. Hamendësime gjithashtu. Befasi për Ramën që më në fund do e plotësojë ëndrrën e tij sa një dekadë. Befasi edhe për Ilir Metën që nga grevist i dëshpëruar, koalicionist i betuar, zv.kryeministër i dorëhequr e publikisht i parë, por kurrë i dorëzuar si protagonsit filmash amatorë me dallavere e para, shndërrohet në heroin që rikthen të majtën në pushtet, e e sheh veten në krye të një shpure prej 14 LSI-stësh që i vijnë nga pas në rrugën drejt rikthimit në parlament.

Simpatizantët dhe miqtë e majtë nuk do e pëlqejnë këtë konstatim, por kështu është. Shqiptarët votuan kundër keqmanaxhimit të pushtetit nga ushtarët që Berisha dhe Meta mbollën në sektorin publik. Por ama, votuan pro qëndrimit në vendin e tyre të punës, dhe ata që kanë bërë diferencën në përcaktimin e pushtetit të ardhshëm, janë pikërisht ata që nuk duan të largohen prej tij. Zgjedhjet nuk i ka fituar as PS, as LSI. Zgjedhjet i ka fituar pragmatizmi shqiptar i lidhur drejtpërdrejt me nevojat imediate të votueseve, të cilët, duke qenë se nuk besojnë më në përrallat e majta e të djathta, që janë të gjitha njëlloj, zgjodhën të ruajnë vendin e punës, e të ndryshojnë për këtë partinë.

Në raste të vecanta në numërimit të votave, kur komisionerëve iu thahej goja duke përsëritur vetëm 29, të krijohej përshtypja se shqiptarët e kishin kthyer përfundimisht partinë në fe, i luten, besojnë e lartësojnë vetëm atë, pavarësisht mungesës totale të provave nëse partia e tyre fe ekziston dhe i përgjigjet ndonjë lutjeje me raste festash. Por, sa herë që dëgjohej numri 26 e në sallë kishte psherëtima lehtësimi nga grupe që njihen si mbështetës të së djathtës, paradoksi për lidhjen votues-parti në Shqipëri bëhej edhe më i madh.

Shqiptarët ishin vërtet të lodhur nga arroganca e Berishës dhe njerëzve që shërbenin e abuzonin në emër të tij. Por, shuplaka mund të ishte e njëjtë, në mos edhe më e rëndë për protagonistin e video-skandalit e pazareve të publikuara. E jo vetëm që nuk ndodhi kështu, por grupimi i emërtuar si partia e korrupsionit, minimit të drejtësisë, SHPK, agjensi punësimi, 20 përqindshi, e me radhë, katërfishoi numrin e përfaqësuesve të saj në parlament. Analizën për cilësinë e kandidatëve dhe deputetëve që kjo parti na sjell në foltoren vendimmarrëse po ia lë njohësve të mirë të labirinteve nënujore të politikës. Por votën me të cilën i cuam me duart tona në parlament këta përfaqësues, nuk mundet askush të mos kërkojë ta kuptojë.
Ajo është vota e qëndrimit në punë, e bezdisjes nga përpjekjet për t’u sistemuar, e frikës nga përjashtimi prej komoditetit të zyrave e pozicioneve ku nuk ndodh asgjë, e dëshirës për të cimentosur emrin në borderonë zyrtare, e moskokëcarjes për bindjen politike, e shërbimit më të paktë që mund t’i bëjnë vetes 120 mijë votuesit që krejt papritur, u gdhinë LSI-stë.

Politikën kanë filluar ta kuptojnë tashmë fare mirë edhe mbështetësit dhe qytetarët. Ashtu si edhe analistët madje, me 4 ditë përparësi, votuesit nuhatën ku po frynte era e pushtetit dhe zgjodhën atë, pa asnjë emocion partiak, sic bëjnë në mënyrë të përsëritur udhëheqësit e partive që ata bëjnë sikur besojnë apo i përkasin.
Qytetarët bënë pazar me votën. Njëlloj si pushtetarët. Këta nënshkruajnë marrëveshje bashkëqeverisje, para apo pas zgjedhore “në të mirë të Shqipërisë”, e tashmë, edhe qytetari vërtetoi se është në të njëjtën linjë, ndaj votoi LSI-në “për hir të punësimit, mirëqënies dhe integrimit personal”
Në 23 Qershor shqiptarët votuan për dy arsye: të largonin Berishën dhe të ruanin vendin e punës. Më zgjuar se kaq, nuk kishin si të silleshin.
Zgjedhjet e vërteta, sikundër janë parashikuar nga orakujt e huaj e shqiptarë që pëlqejnë të merren me treguesit e cilësisë e të standarteve, do të fillojnë të ndodhin në 2021. Edhe dy legjislatura. Pastaj parlamenti do të jetë pastruar nga këta që po hyjnë dhe qytetari do votojë për atë që i siguron jetën e familjes së tij më të madhe nesër, e jo thjesht vendin e punës sot.

Deri atëherë, është mirë të mos thellohemi në detajet e atyre që do marrin vendime për ne. Sepse mund të mallkojmë votën.

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Hajde fushatë. Fushatë për të tërë. Kroacia në BE: I fundit mbyll derën?

1 Comment Add your own

  • 1. Bunker  |  01/07/2013 at 16:25

    Qytetarët bënë pazar me votën. Njëlloj si pushtetarët. Këta nënshkruajnë marrëveshje bashkëqeverisje, para apo pas zgjedhore “në të mirë të Shqipërisë”, e tashmë, edhe qytetari vërtetoi se është në të njëjtën linjë, ndaj votoi LSI-në “për hir të punësimit, mirëqënies dhe integrimit personal”

    Unë, personalisht nuk do t’u vija ndonjë përgjegjësi morale. Mendoj se një “shitje” e tillë votash, është plotësisht e legjitimuar nga veprimi para pak mujor i Ramës kur i propozoi Ilir Metës aleancë parazgjedhore.

    “Po pse, ai po e ne jo?”, kane menduar.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
June 2013
M T W T F S S
« May   Jul »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930

%d bloggers like this: