Kroacia në BE: I fundit mbyll derën?

02/07/2013 at 09:53 Leave a comment

Jo. Politikisht nuk artikulohet e as publikisht nuk ka gjetur vend kjo shprehje, edhe ose “lodhja nga zgjerimi” e ka kapluar prej kohësh evropianin e thjeshtë, mbështetur nga justifikimi për krizën ekonomike që po kalojnë vendet e bashkësisë.

Ama Kroacia, zyrtarisht pjesë e BE-së që nga e hëna e 1 Korrikut 2013, e fundit në radhë jo, por ajo që i mbyll derën përkohësisht anëtarësimeve, po, është. Pse?

Duke dashur t´i gjeja përgjigje sado të shpejtë e të thartë kësaj pyetje, përzihesha në turmën gati të heshtur të kroatëve që kishin dalë në sheshin kryesor të Zagrebit mbrëmjen që ndërronte jo thjesht Qershorin nga Korriku, por edhe qenien politike të Kroacisë nga një vend ballkanik, në një vend anëtar të BE-së. Asnjë flamur i BE-së në duart e festuesve. As i Kroacisë. S´pati valë duartrokitjesh. As entuziazmi. Kontrolli policor që na lajmëruan se do na pengonte të hynim lirshëm e në kohë në sheshin që do qenkej plot, vërtetoi se ishte një kontroll rutinë, akoma më i qetë se përpara një ndeshje futbolli.

Personalitetet vendase e ato ndërkombëtare që i flisnin popullit dukeshin po aq të vakët në ndjesinë që përcillnin për këtë bashkim. Njëlloj sikur kjo natë të ishte një rutinë që përsëritej në secilën prej 4380 netëve që Kroacia kishte pritur gjatë 12 vjetëve t´i bashkohej BE-së. Për hir të së vërtetës, syri të thotë që Kroacia nuk duhet të kishte pritur kaq gjatë. Politikisht më poshtë, por vizualisht, Zagrebi dhe Kroacia kanë ngjashmëri natyrale me pjesën të cilës iu bashkuan. Jo vetëm infrastruktura, por edhe muzika dhe mënyra e festës, me nota klasike e të shtruara, të thoshte në mënzyrë fare të natyrshme: Mendon se ke ardhur në Ballkan? Jo. Je në Europë.

Po, a është Kroacia ndryshë nga vendet e tjera të rajonit? Si?

Kanë ngelur vetëm 6 vendet e Europës Juglindore (për ata që nuk pëlqejnë të quhet Ballkan pjesa jonë e botës): Serbia, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova . Secila ka problemet e veta për të zgjidhur para se t´i hapet drita e anëtarësimit, ama rruga e tyre ngelet njëjtësisht e gjatë.

Jo vetëm për problemet e shumta që kanë për të zgjidhur së brendshmi, por edhe sepse dëshira e vendeve në bllokun e 28 vendeve, përfshirë edhe vetë Kroacinë e sapo-anëtarësuar, ka shkuar nën zero. Me gjithë përpjekjet e zyrtarëve të BE-së për të mbajtur gjallë shpresat e ballkanasve për zgjerimin e mëtejshëm, duket se premtimet kanë humbur besueshmërinë në të gjitha nivelet. Jo vetëm tek ballkanasit që mezi presin anëtarësimin edhe pse akoma nuk e kanë të qartë nëse është apo jo karamelja që iu shitet nga politikanët vendas, por edhe nga qytetarët e vendeve të BE-së, që kanë një problem të pazgjidhur me besueshmërinë ndaj entitetit të cilit i përkasin qysh prej pranimit në gjirin e tyre të Bullgarisë dhe Rumanisë në vitin2007.

Të dyja vendet u pranuan nga Brukseli akoma pa i përfunduar reformat e tyre në drejtësi, me shpresën europiane se kjo do të ndodhte bashkë me anëtarësimin. E vërteta është se dëshira e të dy vendeve për të luftuar korrupsionin, u shua që ditën e pranisë, duke shkaktuar probleme të rënda në marrëdhëniet mes BE dhe anëtarëve të saj të rinj. Akoma sot e kësaj dite, as Bullgaria, as Rumania nuk janë pjesë e zonës Schengen. Ndaj, për të mos përsëritur gabimin me to, BE u tregua më e rreptë me Zagrebin, jo vetëm duke i dhënë të gjithë kohën e duhur për reformat, por edhe priti që ato të fillonin vënien në jetë, të mbikëqyrur përherë nga europianët.

Kroatët nuk u treguan shumë entuziastë mesnatën e kalimit nga Ballkani në pjesën e rëndësishme të përkatësisë europiane. Ndër ballkanasit, ata shfaqeshin madje për të tre vitet e fundit nga sondazhet e bëra si më pak të interesuarit për futjen në BE. Dëshira dhe kurioziteti për bashkësinë u venit me kalimin e viteve dhe për shkak të kërkesave të shumta që vinin nga Brukseli e që nga njerëzit t e thjeshtë përgjigjigjës të sondazheve, jo gjithmonë u mirëpritën, u kuptuan apo u mirëkuptuan si vërtet të mirëqëna. E megjithatë, serioziteti kroat në bërjen e reformave u bë i dukshëm në momentin kur për anëtarësimin dhe reformat nuk po flisnin më politikanët, por administrata, drejtuesit , specialistët, teknicienët që punonin drejtpërdrejt me reformat e “lakun e vënë në fyt” për t´i mundësuar ato.

Kroatët vetë e parashikonin që nuk do kishte entuziazëm e flamuj të BE-së në sheshin kryesor të Zagrebit. As nuk iu lëshuan duart flak për të duartrokitur Barroson apo burokratët e tjerë që erdhën për të përshëndetur njësimin. Kuptohet kjo ventije, përderisa rruga e tyre që nga nënshkrimi i MSA-së është jo pak, por 12 vjeçare. Që nga ajo firmë, kroatët thonë se vendi ka ndryshuar tërësisht. Zemërgjerësia evropiane u bë e mundur falë një konsensusi të të gjithë shoqërisë, sipas zyrtarëve. Gjithkush u ndje i përfshirë në proces, shoqëria civile, biznesi, sindikatat, shoqëria në tërësi, duke përshpejtuar kështu procesin, pa pengesa tipike ballkanase, me gjithë momentet e zvarritjes dhe të bezdisë që iu dha mijëra kroatëve që punuan për të dokumentuar ndryshimin kërkuar. Më i vështiri, sipas medias kroate të mëngjesit të parë ku ata u gdhinë si europianë, ishte kapitulli 23. Reformat në drejtësi. Thembra e Akilit për të gjithë Ballkanin. Kroatët pohojnë se mbështetja nga Komisioni Europian dhe vendet anëtare në këtë kapitull erdhi në momentin kur vetë kroatët pranuan se kishin vështirësi në bërjen e reformave dhe plotësimin e kushteve të vëna nga BE në këtë sektor. (Sa larg nga ky pohim është Shqipëria?)

“Fillimisht ishim të lidhur me emocionet tona kombëtare e politike, por, kur biseda filloi të bëhej teknike, atëherë shumë prej qëndrimeve tona të para, ndryshuan. Europa vijon të jetë pjesa më e qëndrueshme sot në planet, ndaj, Kroacia nuk do të kishte asnjë arsye të mos këmbëngulte që të bëhej pjesë e këtij grupi” – tha dje për median ndërkombëtare gjatë festimeve të pakta të popullit të tij presidenti i vendit.
Po përtej Kroacisë, për çfarë ka nevojë Europa sot, kur në plan të parë del mbingopja nga zgjerimi? Kroacia nuk ka problemet e vendeve të tjera që patën vështirësi tí bashkohen BE-së. As nuk ka humbur sovranitetin, identitetin kombëtar apo pavarësinë. Përkundrazi. Kroatët e thjeshtë do të kenë mundësinë të përfitojnë nga fondet evropiane pa pasur pengesat e deritanishme.

“Edhe maturia juaj do të vijë ngadalë, me ndryshimin e mentalitetit, marrjen e përgjegjësisë e profesionalizmin në administratën publike. Vetëm ata mund të bisedojnë seriozisht për çështjet teknike. Ndaj, lufta më e madhe që ju pret, është ajo” – sqaron një zyrtar kroat një grup miqsh nga vendet aspirante të Ballkanit.

E c´rol do ketë Kroacia në BE? Madhësia e vendit apo e popullsisë nuk duket të ketë rëndësi të madhe, po të mbahet parasysh fakti se vota kroate, duke filluar që nga kjo javë me miratimet në BE për emetimet e transport, do të jetë e njëjtë si ajo e vendeve të mëdha të bllokut. Sa i përket Ballkanit, Kroacisë i intereson të ketë fqinj të qëndrueshëm dhe të zhvilluar dhe mund të jetë edhe mbështetësja kryesore e vendeve me të cilët ndan gadishullin.

Presidenti Ivo Josipovic u citua shpesh nga media perëndimore kur tha: “Nuk ka president, kryeministër apo ministër që mund ta kthejë timonin mbrapsht”.
Deklarata dhe anëtarësimi vjen në një kohë kur Kroacia është në recesion ekonomik për të katërtin vit radhazi dhe me papunësinë që e ka kaluar tashmë shifrën 20%. Po kështu janë edhe disa nga vendet anëtare të BE, që kanë pasur të njëjtën ftohtësi në mikpritjen kroate sa edhe vetë bashkimi jo-emocional që ndodhi dy netë më parë në Zagreb.

Kroacia nuk do të përfitojë pak. Duke filluar që nga shkurti i vitit të ardhshëm, fondet rajonale të BE-së do të mbulojnë gati 70% të investimeve publike në vend. Gjithashtu, sa i përket vendeve të punës dhe rritjes ekonomike, pritet që rezultatet të jenë të dukshme shumë shpejt.
Për politikën që Kroacia do të ndjekë tashmë që i la pas vendet e tjera të Ballkanit, presidenti kroat ka deklaruar publikisht se vendi i tij nuk do të luajë kartën e bllokimit për anëtarësim, siç bëri Sllovenia për disa vjet për një rrip kufiri detar. “Në do t´i mbështesim të gjitha vendet e rajonit, madje do i nxisim reformat e tyre” përmendi si diplomat i ri evropian që është .

Po c´do të thotë ky anëtarësim për Kroacinë? Përveç përfitimeve të sipërpërmendura, anëtarësimi është edhe çështje statusi në arenën ndërkombëtare. Është simbol ky anëtarësim, sepse i prezanton kroatët aty si një vend dhe shoqëri që i përket principeve dhe vlerave evropiane. Pas 3-5 vite, Kroacia do të zëvendësojë edhe kunën me euron dhe kështu, anëtarësimi do të jetë edhe më i plotë.

Anëtarësimi nuk i zgjidh brenda natës problemet, as të Kroacisë, as të 6 vendeve të tjera që synojnë t´i bashkohen bllokut. Por, anëtarësimi ngelet mundësia më e madhe për këto vende, ndaj, e mira është të ndiqet shembulli i Kroacisë e të përfitohet sa më shumë prej këtij njësimi me BE-në, edhe pse për 10 vitet e ardhshme, BE ka dhënë shenja se dëshiron të marrë pushime për anëtarësimet. Deri sa të zgjidhë problemet e veta. Ndaj, 6 vendet e ngelura, duhet të praktikojnë durimin e të bëjnë tifo për Kroacinë.

Entry filed under: BE, Politikë. Tags: .

Fitoi paraja Kur votuesi parakalon politikën

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

July 2013
M T W T F S S
« Jun   Aug »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: