Kur votuesi parakalon politikën

09/07/2013 at 09:48 1 comment

C’e përcaktoi votën e 200 mijë shqiptarëve që e lanë LSI-në në pushtet? Si arritën shkodranët ta balancojnë votën? Pse Vlora nuk arriti dot të njëjtën maturi elektorale? Si ka mundësi që kaq shumë votues kuptuan lojën politike e me votë, zgjodhën që edhe ata të ngelen në pushtet, njëlloj si LSI?

Mes shumë risive të pritura ose jo, votimi pragmatist në mbarë vendin, kryesisht për të ruajtur vendin e punës, është ai që s’i ka ardhur akoma koha të shihet me ftohtësi. Ndodhën disa cudira me votën në Shqipëri dhe për këtë sjellje të elektoratit, as fituesit vetë nuk u dukën të përgatitur.

Me largimin e Berishës dhe nevojën për Rilindje po merret shtypi dhe politika gjerësisht. Por me zgjuarsinë e elektoratit, vecanrëisht në disa qarqe, jo. Akoma është e paqartë, apo edhe e pabesueshme që sovrani, në fakt, sapo e ka parakaluar politikën në lojën e saj të pushteteve. A është koha për rregulla të reja?

Këtë do ta shohim në sjelljen e aleancës fituese, që me sa duket, është gjendur e surprizuar dhe akoma nuk ka filluar të mendojë seriozisht për pasojat e kësaj vote fituese. Mbështetësit e PS-së presin punë. Por, punë rrezik të mos ketë, sepse administrata, të punësuarit dhe familjarët e saj kanë votuar për LSI-në. Kanë votuar për të mos ikur as ata nga pushteti i tyre i vogël.

Si ndodhi kjo? A nuk ishte vota ndëshkim për Berishën? A nuk ishte ajo dëshirë për Rilindje? Po, ishte. 66 me 48. Pjesa tjetër, si më poshtë:
Faktorët që përcaktojnë sjelljen e votuesit përpara fletës me emrat e shumë partive, janë sa specifike, aq edhe përsëritëse të prirjeve në sisteme të ngjashme votimi apo stade zhvillimi demokracie.

Në fillim të fushatës, votuesi ka një qëndrim të caktuar, që nuk është e thënë të përputhet me vendimin e tij tek kutia. Pse ky ndryshim?

Psikologjia e zgjedhjes dhe ndryshimit partiak luajti rol vetëm në mendjet e 120 mijë pragmatistëve të rinj që votuan qëndrimin në vendin e punës, duke e nënshkruar kërkesën përbri numrit 26. Numri i të majtëve që i qëndruan besnikë Partisë Socialiste ishte pak a shumë ai i pritshmi, pa surpriza të mëdha (nëse nuk quhet i tillë një mandat më shumë krahasuar me zgjdhjet e vitit 2009). Studiuesit që e kanë shpenzuar jetën e tyre akademike duke parë me lupë sjelljen elektorale në vende e sisteme të ndryshme, sugjerojnë se lidhja psikologjike me emrin e një partie të vetme, është shumë e ngushtë në një pjesë të madhe të votuesve. Nëse partia përkatëse është e aftë të gjejë telat e zemrës rast pas rasti të elektoratit, e t’i cojë për votim kandidatë që i përshtaten fesë, grupit social apo interesave komunitare, kjo lidhje bëhet edhe më e fortë. Nëse këtyre iu shtohen edhe takimet dorë më dorë e ballë për ballë, biseda e ndërveprim aktiv me votuesit gjatë fushatës, atëherë vota bëhet edhe më e palëkundur.

Por, këta janë votuesit klasikë, e vec tyre, është edhe grupi përcaktues, të cilin e ndeshëm në mëyrë të vecantë në Shkodër.

Studiuesit e kanë ndarë sjelljen e votuesit në tre kategori: modeli socio-logjik, modeli psiko-social dhe teoria e zgjedhjes racionale ose pragmatiste (respektivisht, shkollat e Kolumbias, Michinganit dhe Rochester, që kanë botime të zgjeruara për secilën teori). Sipas këtyre ndarjeve, në mendjen e votuesit ndikojnë sipas renditjes së modeleve: 1) faktorët socialë; 2) identifikimi me një parti të vetme; 3) situata ekonomike, racionaliteti, pragmatizmi, zgjidhja e probleme të menjëhershme, paqartësia dhe informacioni.

Pra, për dy kategoritë e para, zgjidhja është e thjeshtë: në rastin e parë, duke marrë për bazë statusin social, voton për të majtën ose për të djathtën, duke e identifikuar veten si votues të shtresës së mesme e lart apo të mesme e poshtë (rast që nuk gjen aplikim në Shqipëri, përderisa lista e të majtëve ka më shumë njerëz të pasur sesa ajo e të djathtëve). Në rastin e dytë, votuesi është pa asnjë arsye thelbësore besnik i njërës parti dhe voton për të me sy mbyllur, pa qenë i interesuar të dijë as programin, as kandidatët. Kështu janë sot votuesit në qarkun Vlorë. Kështu ishin deri më 23 Qershor edhe votuesit në qarkun Shkodër.

Por, votat e asaj date treguan një zhvillim të ri në vend: Teksa në Vlorë vota u bë edhe më e skajshme për PS-në (kandidati i së cilës për bashkinë e qytetit ka fituar pa asnjë mundim tre mandate radhazi), në Shkodër, balancat u prishën. Pas disa përmbytjeve radhazi, shkodranët nuk i hëngrën më përrallat me Venecia e gondola nëpër rrethin e tyre, ndaj një pjesë e mirë e elektoratit mori një vendim që i habiti edhe vetë palët: ndëshkoi PD-në. Votoi majtas. Votoi PS-në. Por ndjeshëm e dukshëm, votoi LSI-në. Në terma konkretë, shkodranët iu larguan ndarjes 1 dhe 2 të teorive politike dhe shkuan tek e 3-ta: pragmatizmi. E lidhën votën me nevojën imediate: qëndrimin në punë. E dhanë votën për arsye ekonomike, sigurie, racionaliteti dhe perspektive sado afatshkurtër të përfitimit personal.

Parë në këtë këndvështrim, votuesit shkodranë janë treguar pararojë në kuptimin e sistemit dhe kanë luajtur ashpër dhe fare papritur lojën e tij. Në Shkodër fitoi mendja qytetare dhe finoke e njerëzve që dinë të bëjnë analizë dhe ta vendosin veten disa muaj përpara në kohë.
Vlonjatët bënë të kundërtën. Thelluan hendekun mes dy kampeve, duke rrëmbyer në mënyrë jo fort të nevojshme titullin e bastionit të majtë. Shkodra e kishte këtë pseudonim për të djathtën, por diti ta shkëpusë veten prej saj, e të mendojë për veten, rrethin, bahcen e saj.

Po c’e dallon këtë votim? Në njërin kah thellim, e në tjetrin largim nga të qenit bastion? Studiuesit vijnë sërish në ndihmë kur spjegojnë se preferncat e votuesve për partitë politike janë analoge me ato të shijeve kulturore në muzikë, letërsi, aktivitete jo-profesionale, veshje, etikë, komunikim, sjellje sociale, etj. Të gjitha këto e kanë origjinën tek traditat dhe përkatësia krahinore, tek shtresa përkitëse dhe tradita familjare. Si preferencat kulturore, ashtu edhe ato politike shfaqin qëndrueshmëri dhe rezistencë të lartë për ndryshimet individuale në njërin krah, por edhe fleksibilitet dhe përshtatje pas cdo brezi, në kahun tjetër (rasti i Shkodrës).

Megjithatë, si preferencat kulturore, ashtu edhe ato politike, duket se bazohen më shumë në ndjenja dhe oportunizëm më shumë sesa në arsyetime e logjikë të thellë për fushat. Të dyja reagojnë ndaj ndryshimeve të kushteve tek ajo që zgjedhin, nuk preken kollaj nga argumentet e drejtpërdrejta, por as nuk durojnë dot ndikimet e tërthorta sociale. Të dyja karakterizohen më shumë nga besimi sesa bindja për njërën preferencë politike apo tjetrën, dhe zgjedhjen e bëjnë bazuar në dëshira e pritshmëri, më shumë sesa në parashikimin e kujdesshëm të së ardhmes apo të pasojave të votës së tyre.

Shkodranët e kuptuan këtë dhe kanë arritur më shpejt se gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë në atë që në shkencat politike quhet “mobilizim njohës” (cognitive mobilization), që përfaqëson një përmirësim të pavarësisë politike dhe inteligjencës së votuesve, të cilët sot janë edhe më të arsimuar, edhe më të informuar sesa një brez më parë. Këta votues, që janë edhe të mirëinformuar, edhe më të pavarur, e kuptojnë politikën shumë më shpejt nga c’do dëshironin politikanët vetë, dhe zgjedhin të votojnë duke mbajtur parasysh nevojën e tyre, jo të partisë. Ndaj, edhe e kanë më të lehtë të ndryshojnë sërish partinë në zgjedhjet e tjera, sepse nuk e lidhin votën përjetë me një parti të vetme, por me kauza të ndryshme, të cilës i shërbejnë edhe personalisht.

Këta janë edhe votuesit që do të përcaktojnë fituesit e zgjedhjeve në Shqipëri edhe në zgjedhjet në vijim. Nëse deri më sot kemi pasur bastione dhe votë të prerë me thikë, 17 mandatet e LSI-së treguan se zgjedhësit po ecin njësh me hapin e politikës, për të qenë edhe ata përfitues. Ndaj, loja me votën, direkt nga Shkodra, do bëhet në vijim më interesante dhe përcaktuese se asnjëherë tjetër më parë. Votuesit po zgjohen.

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Kroacia në BE: I fundit mbyll derën? Requiem mjekësisë

1 Comment Add your own

  • 1. Fan Fan Tulipan  |  09/07/2013 at 16:57

    LSI nuk lexohet duke u krahasuar me 2009, por me 2011.
    E kam fjalen qe duhet lexuar “zgjimi” i votuesit ( pragmatizmi ) qe ne kohen kur ka ndodhur. Ne kete kuptim rritja e LSI eshte normale.
    Por komenti juaj ne pergjithesi eshte realist.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

July 2013
M T W T F S S
« Jun   Aug »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: