Media dhe çështjet sociale: një hap më tej

27/08/2013 at 20:54 Leave a comment

C´ka ndodhur më pas me Nazimen? Po me motrën e Aishes? Me familjet e këtyre vajzave? Me familjet e të tjera vajzave që mund të jenë në të njëjtin rrezik? Ngjarje dhe viktima për vajzat dhe gratë shqiptare ka pasur në mënyrë dramatike në dy vitet e fundit. C´ka ndodhur, e kemi mësuar menjëherë nga media.

Por, pse kanë ndodhur ngjarjet, e kuptojmë pak më mjegullt, ngaqë media përgjithësisht rend pas ngjarjes në çast, por ndal aty. Ndal së raportuari për Nazimen, sepse vjen Aishja. Pa e marrë veten mirë nga Aishja, vritet Valbona. Pa e kuptuar akoma pse-në e madhe të saj, gjymtohet e vritet në mënyrë çnjerëzore Liljana. Pastaj Keta, e me radhë, të gjitha viktimat femërore që ka prodhuar Shqipëria në pak muaj.

Po pse ndal media së raportuari teksa ngjarja është akoma e nxehtë? Sipas këndvështrimit mediatik, lajmi mbaron bashkë me të shtënën. C´ndodh më pas, nuk është interesante për median. Vërtet, se c´ndodh me familjet e dëmtuara nga ngjarje të tilla të rënda pasi kamerat fiken, nuk mund të jetë tërheqëse mjaftueshëm për një edicion lajmesh që ka ritëm, dinamizëm, në ndjekje konstante të asaj që ndodh në çast, dhe një shpurë interesash editorialiste, politike, ekonomike apo pronësie për të përmbushur.

Ndaj, që nuk ka vend në lajme për t´u marrë me “C´ndodhi më pas” në botën e çështjeve sociale, është e kuptueshme. Por media nuk e mban dinjitetin profesional në këmbë vetëm me lajme. Ka edhe emisione, dokumentare, talk show-s apo forma të tjera që mund t´i vënë në dispozicion për t´i shpjeguar publikut çfarë ndodh më pas me familjarët. Po munden edhe të përpiqen të shpjegojnë përse kjo valë dhune ndaj femrës.

Media mund ta ndihmojë publikun të kuptojë edhe arsyet, shembujt, kontekstin, gjasat që ka ngjarja për t´u përsëritur, mjedisin psiko-social ku ka rrezik të përsëritet, vendin që zë situata ekonomike në gjenerimin e ngjarjeve. E mbi të gjitha, këto boshllëqe njohurie duhet të mbushen nga ekspertë të fushave përkatëse, të cilave po, media duhet t´iu hapë derën më shumë sesa po bën tani.

Përse? Sepse asnjë nga rastet e përmendura nuk zgjidhet duke diskutuar pa fund për politikë e në mënyrë kaq retorike sa ndodh në mediat tona. As nuk marrin dot vëmendjen e duhur nëse jepen në programe e orare që e kanë audiencën të kufizuar. Akoma më keq, nuk bëhen dot të kuptueshme mjaftueshëm që të gjenerojnë mendime, politika, reflektime apo zgjidhje nëse për interpretimin e tyre ftohen një numër i kufizuar njerëzish, që më shumë se për punën apo ekspertizën, duket se janë të interesuar për statusin mediatik, vëmendjen dhe statusin e ri publik që fitojnë. E më pas, e përdorin këtë status të fituar për të promovuar veten, në vend që të promovojnë punën që bëjnë apo nevojën që kanë qyetarët për shërbime sociale, psikologjike, sociologjike apo çdo lloj tjetër shërbimi që i ndihmon njerëzit edhe ta kuptojnë gjendjen, edhe ta kapërcejnë atë me ndihmë profesionale. Nëse jo, konfuziteti përshkallëzohet së brendshmi dhe shpërthen në forma të tjera dhune që mund të fitojnë sërish vëmendjen mediatike, në krahun fatkeq të ngjarjeve.

Por në fakt, përtej raportimit, media duhet të përqendrohet edhe tek shpjegimi i problemit e mundësisht, tek parandalimi i ngjarjeve të shëmtuara. Shpjegimin dhe idetë për parandalimin i japin ata që kanë eksperiencën dhe kualifikimin e duhur për ta bërë këtë. Por ama media bëhet ndërmjetësi i këtij procesi, gjithmonë duke mbajtur parasysh të respektohet profesionalizmi, duke filluar që nga përzgjedhja e të intervistuarve deri tek mënyra si fitet apo heshtet për një çështje.

Do ishte lajm i shkëlqyer sikur të fillonim të kuptonim se oreksi mediatik për broçkulla politike po bie, apo se përgjegjësia e gjithkujt që ka akses në media, do ta shfrytëzojë atë për publikun, e jo për të promovuar veten me stilin “A doni më për Belulin” edhe nëse kanë 100 vjet që dalin në ekran për çdo lloj çështjeje.

Nga ana tjetër, profesionistët e fushave të ndryshme mund edhe të bëjnë ndonjë përpjekje për t´i bërë medias dhe publikut të ditur se nuk janë 100% të lumtur me ata që i përfaqësojnë dendur nëpër media. Madje, këta vetë, mund të ndërhyjnë (mënyra ka plot dhe gjenden), që t´i tregojnë publikut se janë edhe ata aty, pas kuintave, pas tryezave, pas dokumentave, diplomave apo dëshirave për të punuar e ofruar ndihmë reale që Nazimet e tjera të zbulohen përpara se të bëhen pjesë e ndërveprimeve fatale

Në mjedise të ndryshme publike, private, kombëtare, ndërkombëtare, akademike ose jo, qarkullon frika e raportimit të cunguar apo të gabuar nëpër media. Cilido që të jetë synimi i inisiativave që bëhen publikisht, media raporton vetëm faktin që aty shkon për vizitë ky apo ai ministër. Madje, thuhet në fund të raportimit për deklaratat boshe politike që lëshohen rëndom, e që përfundojnë me: “Kjo u tha sot gjatë një aktiviteti për rritjen e ndjeshmërisë mediatike ndaj çështjeve sociale”.

Retorika politike duket se do vazhdojë të dominojë, ashtu sikundër tundimi për ta përdorur median për të treguar kush rri më gjatë sipër plehut. Por, ngjarjet që ndodhin nuk ndikojnë vetëm familjet e atyre që preken drejtpërdrejt, por deformojnë e bëjnë të rrezikshme e jo të rehatshme për të jetuar të gjithë shoqërinë. E viktimizimit nuk i dihet. Nesër, kopjac i shpejtë siç është, ai, viktimizimi, mund të bjerë në derën e ndonjërit që sot e ka median në dorë, por zgjedh ta përdorë për fast food politik, e jo si arenë alternativash, shpjegimesh e dritare informimi jo-politik për të gjithë.

Ndaj, një copë vend më shumë për çështjet sociale, me pak më shumë seriozitet e profesionalizëm, do ishin një terapi shumë e mirë kuptuese për publikun në Shqipëri.

Entry filed under: Media, Sociale. Tags: .

Pushime si këto Pse arsimin?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

August 2013
M T W T F S S
« Jul   Sep »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: