Parlamenti që meritojmë (?)

11/09/2013 at 09:44 1 comment

“Të rikthejmë besimin e qytetarëve tek politika” ose ndryshe “Hajduti thotë ‘Kapeni hajdutin”. Ky duket se ishte refreni i seancës së djeshme të parlamentit shqiptar, teksa u bëmë me një kryetar të cilit kjo thirrje i buron nga zemra; me një anëtar fare të thjeshtë të opozitës, i cili dha dorëheqjen si kryeministër fare butësisht “në respekt të Kushtetutës”; më një votim ku konsensusi për kryetarin e ri i kapërcente jo vetëm numrat e mazhorancës së re, por edhe imagjinatën e asaj të vjetrës, që e pati kryetarin e sotëm zëvendës-kryeministër të sajin për shumë muaj rrjesht. Cfarë fati! A jemi akoma në Shqipëri?

Ish-kryetarja e parlamentit duket e qeshur dhe e lumtur në rolin e ri të nxënëses së zellshme, shumë pak javë pas luftës së saj të gjithanshme për ta ngritur veten në kult jo vetëm aty ku lindi, por edhe ku u bë shembulli i djegur i politikës për gjininë femër. Kurse kryetari i ri i parlamentit, që do mbajë ndezur zjarrin e shpresës shqiptare për rilindje në 44 vitet e ardhshme, dukej aq i sinqertë në fjalimin e tij rastësor të marrjes së detyrës, saqë është pothuajse mëkat të mos e besosh cdo fjalë të tij.

I “surprizuar” nga votëbesimi i atyre që s’lanë grevë e lëvizje pa bërë për ta demaskuar, “tradhëtari i së majtës, fajtori i 21 Janarit, e keqja e Shqipërisë”, u bë papritur udhëheqësi i 139 shokëve e miqve të tij dhe të kryetarëve të tjerë. Guri që hodhën poshtë, u bë guri i qoshes. Tenderat, Ziverët, filmimet, Fiks-faret, aferat, u harruan. Blerja e votës u zhduk si me magji. Kryetari i ri, me ndërgjegjie të larë e madje edhe me pamje të re, u zgjodh si udhëheqësi shpirtëror i frekuentuesve të internet-kafe “Kuvendit”, që do na zbukurojë jetën në 4 vitet e ardhshme.

Dhe salla duartrokiti e mallëngjyer, nxitur nga një prej deputetëve të tij, ish-socialist, ndoshta demokrat i ardhshëm, sic e kërkon moda, anëtar i komisionit të votimit, që iu bënë duart flakë të kuqe nga forca me të cilën i përplaste, i gëzuar si fëmijë. Kryetari i partisë iu zgjodh kryetar parlamenti. Makthet mbaruan. Jeta e re filloi. Vjedhjet, blerjet, shantazhet, tradhëtitë, shitjet, abuzimet u fshinë si me magji. Kryetari hipi në karrigen më të lartë. “C’nuk të vret, të bën më të fortë”.

Propozimi për kandidaturën e tij kryesohej në firma nga Edi Rama. Në votim, mori 9 vota plus që i erdhën nga opozita e anëtarit të thjeshtë Sali Berisha. Nga të gjitha ekranet që jepnin drejtpërdrejt seancën, me gojën kycur e sytë të shqyer nga habia, ndiqnin shfaqjen pa ditur ku të fshiheshin nga bumerangu politik e mediatik familjarët e Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës. Po, po, janë thjesht katër emra, popull, histori e mbyllur tre vjet më parë dhe nuk kanë rëndësi krahasuar me nevojën që vendi të eci përpara, të integrohemi e të shpallemi zgavra me njerëzit më të zgjuar në planet.

Por deri atëherë, ajo c’ka i bëhet familjarëve dhe gjithë shqiptarëve të tjerë, është deformim i normalitetit mendor, të sjelljes, pritshmërive, kuptimit, reagimit, kërkesës që gjërat të ndryshojnë dhe aftësisë për ta bërë këtë. Se tani kemi 200 mijë votues me sindromën e Stocholmit, që janë të dashuruar aq shumë me tutorin ziverian e 21 janarian, saqë i dhanë votën. E janë aq të zënë me kultin piktoresk, saqë adhurojnë bashkë me të lartësimin e “tradhëtarit të së majtës”. E po kaq të tjerë në kahun tjetër janë kaq të inatosur me plakjen e parakohshme të udhëheqësit shpirtëror, saqë edhe ata kundrojnë gjithë gëzim votimin për kryetarin e ri të ish-krytarit të tyre.

E të gjithë shohin, dëgjojnë, komentojnë, në telefon, facebook apo faqe gazetash online, duke bërë pa fre të mencurin, të mirin, të larin, shën-Mërinë mashkull, predikuesin femër, gjykatësin e gjithësisë, që i di të tëra edhe pa ditur asgjë. Të aftë të gjykojmë, përflasim, përgojojmë e shkatërrojmë me guxim të cartur qënien e cdokujt që na sheh syri e s’na rrok mendja.

140 deputetët e parlamentit të ri, mes tyre me hajdutë, kriminelë, me dosje a pa dosje, të akuzuar nga vetë ata për njëri-tjetrin për zhvatje e abuzime, falsifikues diplomash e personalitetesh, jo vetëm që nuk janë aty rastësisht, por janë edhe përfaqësuesit që përshtatur me filozofinë e Churchill: “Janë deputetët që meritojmë”. E po në të njëjtën logjikë, këta deputetë, do të drejtohen gjithaq “nga kryetari që meritojnë”.

Ndaj, ashtu si në parlament, edhe ne duhet të jemi të gjithë të qetë, të lumtur e të sigurtë se nesër, sic na thonë fjalimet e zjarrta, nisemi për në Europë. Do hamë me lugë të florinjtë; do e kemi të gjithë pa përjatshtim rrogën mbi një mijë euro (minimalja kjo) e pensionet do jenë rreth 800 euro. Në spital s’do ketë më asnjë radhë për asnjë shërbim, mjekim e ilac. Ti kërkon, ilaci mbin, mjeku e infermieri vepron para se të kërkosh ti. Universitetet private do mbyllen. Vetëm ata konkuruesit në treg do mbijetojnë, e diplomën do t’jua japin vetëm pasi të keni mësuar të shkruani e të lexoni. Publiku do rrisë konkurencën brenda llojit e kjo do ju forcojë më shumë për në tregun e BE-së ku jemi nisur. Shtëpitë do të jenë të gjitha të sistemuara brenda sipas dëshirës suaj e jashtë sipas planit urban, që ka për të ndryshuar faqen e cdo cepi formal e informal në vend. Industria e bujqësia s’do bëjnë pushim as natën, as ditën, as në dimër e as në verë. Turizmi nga Puka në Librazhd s’do njohë sezon. Administrata jonë do jetë më e kërkuara në gjithë BE-në për efikasitetin, mendimin e thellë dhe saktësinë e pakrahasueshme në punë, e do rrezikojmë të kërkojmë punëtorë nga rajoni që të mbushin zyrat tona, ngaqë neve do na përthithë tregu europian, kryesisht Brukseli dhe Strasburgu.

E kështu, 80% e këtyre gjërave do ndodhin në 4 vitet e para, e 20% tjetër në 44 vitet e dyta të pushtetit.

“Unë do jem një zë i fortë për opozitën dhe avokate e palëkundur e saj, sepse vetëm kështu vendi mund të integrohet i sigurt në BE” – thoshtë në këtë linjë ëndrre katër vjet më parë Jozefina Topalli, ditën e parë të legjislaturës së kaluar.

Sot, me po atë ton optimizmi zyrtar, kreu i ri i parlamentit na thotë se do rikthejë besimin e qytetarëve tek politika. Si jo? Madje, të kthyer e kemi. Të gjitha palët, që në konsensus të frikshëm, që në seancën e parë, votojnë atë që 5 vite më parë, donin ta hiqnin qafe politikisht. Kurse sot, të gjithë i kanë sytë nga ai, personazhi i Fiksit, që rrezik, edhe nga arkiva e ka fshirë ngjarjen.

Eshtë e vështirë të kuptosh se nga duhet nisur rruga e ndryshimeve pozitive në Shqipëri, sepse të gjithë, me radhë, jemi herë aktorë, e herë spektatorë nxitës të një komedie të shpifur që po luajmë me veten, si personazh kryesor të saj. Ndaj s’ka pse kryetari apo parlamenti i ri të lodhen shumë për të rikthyer besimin e qytetarëve tek politika. Qytetarët e kanë besimin të palëkundur. Ndaj në krye kemi sa më sipër. E do qëndrojnë gjatë!

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Pse arsimin? Rilindja e Arsimit Profesional

1 Comment Add your own

  • 1. Mario  |  12/09/2013 at 08:12

    Interesante analiza. Mendoj se eshte pamje deri diku realiste e aktualitetit politik dhe ngjarjeve te fundit, mendoj gjithashtu se 8 vjet ne pushtet u be “dicka” ne lidhje me integrimin ne Europe por shume pak jashte ketij plani.

    Problemet qe linden nga “duart e pastra” te 2005 dolen edhe me te medhaja se pislleku qe i kishte munduar njerezit. Thene kete, nuk duhet ti ngrejme pritjet per qeverine e re, por mendoj se e meritojne nje shans ne emer te demokracise dhe pluralizmit qe perpiqemi te kemi.

    Shans te cilin, diktuar edhe nga kriza financiare dhe jo vetem bashke me te cilen trashegohet pushteti, por edhe nga pamundshmeria e premtimeve me te cilat “e blene” pushtetin, do ta harxhojne si mos me keq dhe do deshtojne ne shumicen e objektivave te vendosura.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

September 2013
M T W T F S S
« Aug   Oct »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  

%d bloggers like this: