Arsimi: punë, jo diplomë

23/10/2013 at 08:47 Leave a comment

Debati për shkarkimet në masë dhe emërimet me apo pa konkurs ka zënë një pjesë të konsiderueshme të medias dhe bisedave formale e joformale në vend. Pretendimet janë se vihet në pikëpyetje mënyra e heqjes nga puna apo emërimeve të reja duke anashkaluar kriterin më të dëshirueshëm për të mirën e të gjithëve: meritokracinë.

Por, për të bërë avokatin e djallit, duket se interesi i vërtetë i gjithë bisedë-tjerrësve ka shumë pak gjasa të jetë aftësia dhe merita për një vend pune. Në fakt, në qendër të bisedava është puna vetë. Puna. Një vend për të. Mundësisht në administratë. Patjetër në administratë. Kërkesat për t’u sistemuar aty i kapërcejnë disa herë edhe kapacitetet e administratës, edhe mundësitë e përbërësve të maxhorancës të shpikin apo lirojnë një vend pune për të gjithë miqtë, familjarët, kolegët, mbështetësit dhe kontribuesit e fushatës e të vijës politike.

Zgjidhja afatgjatë nuk është punësimi sezonal disa vjecar në administratë, por është arsimimi cilësor, në drejtimin apo profilin e duhur, shoqëruar me kompetencat përkatëse. Vetëm kjo paketë e shpëton palën fituese nga presioni për të punësuar gjithkënd, për të shkarkuar sa më pak e për të pasur sa më shumë cilësi në treg.

Pra, përgjigjia është një: Arsimi.

I ndarë në disa hallka e i copëtuar si mos më keq me abuzimet e bëra në emër të tij në 9 vitet e fundit, arsimi i diplomave tre-mujore e i masterave fantazmë e ka arritur me sukses të plotë prishjen e një brezi të tërë të rinjsh, që janë fryrë me diploma, por jo me aftësi apo dije. Janë kryesisht këta që ose kërkojnë punë, ose nuk duan të largohen nga puna në administratë. Reforma në këtë hallkë do të jetë e gjatë dhe shumë e dhimbshme, sepse efekti i saj është ulur tashmë këmbëkryq në 150 mijë studentët që kanë marrë një karton të bukur e pretendojnë se më të meritojnë të jenë leva e Arkimedit në shërbimin civil.

Ndërkohë, motorët e reformës duket se janë ndezur fuqishëm në një sektor tjetër jetik, edhe pse shpesh të lënë mënjanë në arsim: atë profesional.

I parë shpesh si “alternativa më e mirë” nga vendet që AFP-në e kanë në themel të marrdhënies formim-punësim, arsimi profesional vjen edhe në Shqipëri nën një dritë të re reformuese. Me të drejtë, përderisa është hallka që vë në lëvizje motorin e ekonomisë së një vendi, e në fokus ka arsimimin, formimin dhe pajisjen me paketën e aftësive profesionale për shtresën e mesme të popullsisë. Sfidat për AFP-në janë të shumta dhe komplekse, por duket se zyrtarët e rinj në ngarkim të saj kanë të gjithë kohën, dëshirën, kuriozitetin dhe interesin që ta provojnë kursin e ri politik të AFP-së, duke sheshuar gjatë rrugës pengesat që kanë të bëjnë kryesisht me koston tepër të lartë që ka ky arsimim. Jo vetëm kosto financiare.

Ideja e mbartur për vënien në punë të një numri të përqendruar qendrash kompetence multi-funskionale, maksimumi 15, në vend të 43 shkollave e 11 qendrave aktuale publike, është sa e mirëpritur, aq edhe delikate.

Reduktimi do të cojë patjetër në ristrukturim të shkollave që nuk do të mbijetojnë e nuk bëhet fjalë thjesht për shndërrimin e tyre në gjimnaz, sepse në shumicën e rasteve ato janë ngjitur me godinat e shkollave të mesme të përgjithshme. Por, janë akoma gjallë sepse mbajnë aty të punësuar një numër të caktuar njerëzish, që e kanë shkollën burimin e vetëm të të ardhurave e të jetës sociale, edhe pse për komunitetin, efekti i shkollës mund të jetë shumë afër, në mos edhe poshtë zeros. Pra, reduktimi i numrit të shkollave do të thotë shkurtim vendesh pune e rritje të numrit të të pakënaqurve, familjeve pa të ardhura e qendrave që do t’iu shtohet edhe një tjetër pikë-vdekje, nëse shkollat mbyllen. E prapë, edhe pse i dhimbshëm e me kosto sociale apo politike, ngelet veprim i mirëpritur nëse ndodh, parë nga këndvështrimi profesional e financiar, e në emër të cilësisë në arsim.

Nga ana tjetër, disa grupe po punojnë paralelisht për reformën ligjore, atë institucionale, të financimit e rikonceptimit të ofruesit publik e jo-publik me pjesëmarrje të gjerë. Idetë mund të jenë të gjitha të mira e refren i bukur që pëlqehet prej vitesh, edhe pse vendet e fjalëve brenda vargut mund të tingëllojnë ndryshe. Pritshmëritë për punën e qeverisë së re janë jashtëzakonisht të larta e besimi në të një milionë herë më i lartë sesa secili prej inisiatorëve të secilës ide, qoftë edhe për arsimin profesional.

Ndaj, në diskutimet e fundit për këtë fushë, nevoja për të qartësuar idetë dhe për të hedhur me kujdes jo vetëm hapat, por edhe mendimet, bëhet i domosdoshëm. Natyra politike e kësaj qeverie, që kërkon të shohë mirëqënien dhe punësimin si produkt të shpejtë, (e shkëlqyer si ide), bie ndesh me rrugën e zgjedhur për të adaptuar në arsimin dhe formimin profesional shqiptar sistemin dual, të aplikuar me sukses ne vendet gjermanisht-folëse.

Përpos faktit që ky sistem ka mbi pesë shekuj që bën ligjin në këto vende, duhet mbajtur parasysh edhe fakti që gruri nuk mbillet në gur. D.m.th. fara gjermane e AFP-së nuk zë vend në tokën jo-fertile të kësaj fushe në Shqipëri. Pse? Sistemi dual funksionin vetëm mbi bazën e një vullneti të fortë, shprehur me investime dhe pjesëmarrje direkte të biznesit në arsimin profesional. Akoma më tej, është biznesi që e bën kërkesën dhe ofertën për cdo lëvizje në këtë fushë. Ai është gjyqtari dhe trajneri i lojës fitim-prurëse të aftësimit në tregun e punës, duke investuar në AFP e duke mbajtur pranë vetes nxënësit në fazën e gjatë dhe intensive të aftësimit praktik. Pra, biznesi e drejton makinën e AFP. Dhe me biznes, nënkuptohen të gjitha korporatat e kompanitë e mëdha e të fuqishme gjermane, austriake apo zvicerane, që bëjnë ligjin edhe në tregun europian, edhe në atë botëror.

Kurse në Shqipëri,shumica dërrmuese e bizneseve hyn në kategorinë e SME-ve, sipërmarrje e vogël apo e mesme, ku në rastin më të mirë, përvec nënës e babës, punësohet edhe ndonjë kushëri i afërt. Dhe bizneset e vogla, në asnjë vend të botës, nuk janë as të gatshme, as të afta të përballojnë praktikantë, as t’iu forcojnë atyre njohuritë, as të bëhen faktor në përmirësimin e cilësisë së aftësimit apo punësimit në këtë fushë.

Ama, po, edhe pse jo i tërë e i sjellë sipas prerjes së tij origjinale, në Shqipëri mund të sillen elemente të sistemit dual, që do të mundësonin pastaj frymëmarrjen e financimeve publike në degët dhe profilet ku ky sistem, nuk merr dot as formë, as kuptim.

Shqipëria ka nevojë për shërbime më cilësore. Tregu ka nevojë për forcë punë të kualifikuar. Diplomat e marra brenda natës nuk do ta kenë të gjatë mbijetesën në tregun e ashpër të punës, ndaj nevoja për zanat e aftësi do ta ngrejë vetë kokën shpejt, dhe bindshëm.

Përt’iu përgjigjur kësaj nevoje që shtrihet pas dere, është mirë të punohet së pari në qartësimin e ideve; së dyti në përzgjedhjen e kujdeshme realiste dhe jo-politike të alternativës më të funksionueshme për AFP në Shqipërinë; së treti, puna fillon nga D-ja apo F-ja, e jo domosdoshmërisht nga A-ja për të gjitha hallkat dhe së katërti, formimi të përqëndrohet në qendrat multifunksionale apo të kompetencës, me gjitha plagën e madhe e të përkohshme që mund të krijojë. Por vetëm kështu i jepet vërtet një shans alternativës së punësimit, pajisur meaftësi, jo me kartona diplome.

Predispozita duket dhe është për t’u përkrahur. Me pak kujdes, edhe rruga e zgjidhjes, mund të gjendet, për të mirën e të gjithëve.

Entry filed under: Arsim. Tags: .

Rilindja e Arsimit Profesional Publikut, televizionin që i takon

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2013
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

%d bloggers like this: