Rilindja e Arsimit Profesional

23/10/2013 at 08:40 Leave a comment

Arsimi Profesional krijon shkëputjen e tij të parë nga “ministria mëmë”, që ka qenë përherë ajo e Arsimit, për t’u vendosur, në kuadër të Rilindjes, në një dritë të re varësie e manaxhimi: nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe e Rinisë.

Nuk është fjalë që mund ta marrë era, sepse ideja, drafti, marrëveshja mes ministrive, kalimi i buxhetit, më tej i kompetencave dhe i manaxhimit të këtij sistemi të ri, përfshin 42 shkolla publike në vend, rreth 23 mijë nxënës të regjistruar në shkollat profesionale, qindra mësues, instruktorë, staf administrativ që punon për këto shkolla, etj. Eshtë një sipërmarrje e madhe që kërkon kohë, kosto dhe sigurisht, ide të qarta për arsimin profesional. Të gjitha këto duket se po marrin formë në një draft në hartim e sipër për këtë stad të ri të zhvillimit politik për arsimin dhe formimin profesional, dhe janë të shprehura edhe në formën e objektivave kryesore parqitur në programin e miratuar të qeversisë së re.

Kjo pikë kyce e arsimit në vend, që lidh jo thjesht nxënësit e shkollat, por konceptualisht, ofruesit e shërbimeve të nesërme me konsumatorin, 30% të të rinjve shqiptarë, shtresën e mesme të popullsisë, me nevojat e tregut të punës në vend, përmendet në programin e Rilindjes me trumpetim të madh, por edhe me kundërshti që duhen parëme kujdes qysh në fazat e para të nismës së re.

Fjalia nga programi për arsimin thotë: “Riorientim tërësor i arsimit profesional drejt nevojave reale të tregut dhe kthim i shtetit në financuesin e mbështetësin kryesor të aftësimit profesional”, e më tëj “ Sistemi mbi të cilin kjo reformë do të bazohet është sistemi dual gjerman që karakterizohet nga një ndërthurje e mësimit teorik me punë praktike”.

Që në fjalinë e parë, ligjikisht, pjesët e bashkërenditura kundërshtojnë njëra-tjetrën. Orientimi i arsimit profesional drejt tregut të punës është sfidë me të cilën janë ndeshur të gjitha qeveritë që nga viti 1991. Pse? Se ai është edhe viti i fundit kur politikat për hapjen e shkollave, degëve apo profileve të reja, bëheshin në bazë të kërkesës që vinte nga tregu i punës për agronomë, bujq të kualifikuar, zooteteknikë apo industrialistë e teknikë të mesëm.

Pas ndryshimit të kursit ekonomik, shkollat profesionale ngelën në vend numëro. Shumica e tyre u shndërruan në gjimnaze, të tjerat, mezi kanë arritur të mbijetojnë duke ndërruar emërtimet apo duke shfrytëzuar në maksimum njohjet me politikën. Kurse lidhjet me tregun e punës, akoma nuk janë të forta. Këtu nuk është tërësisht faji i shkollave apo i politikave të qeverive të ndryshme që nga 1991. Ngërçi më i madh është që nuk kemi një treg pune të konsoliduar, që do t’i rriste edhe vlerën arsimit profesional. Pra së pari, edhe si ogur i mirë që arsimi e formimi të jenë nën të njëjtën cati, vëmendja duhet kthyer edhe tek mënyra se si tregu i punës sillet dhe e trajton kontigjentin e AFP-së.

Pjesa e dytë e fjalisë së programit të qeverisë për kapitullin e arsimit thotë: “Kthim i shtetit në financuesin e mbështetësin kryesor të aftësimit profesional” Politikisht, e majta nuk mund të shprehej më qartë e më saktë se kaq. Qëndrim i pastër majtas. Korrekt. Problemi është se ky objektiv, as financiarisht, as konceptualisht, nuk përputhet aspak me fjalinë para saj për ta orientuar arsimin drejt tregut të punës, e as me fjalinë më pas, që thotë se ky orientim i ri, do t’i përngjasojë atij dualit në Gjermani.

Sistemi dual në vendet gjermanisht-folëse nuk lidhet vetëm me filozofinë e ndarjes së kohës deri ne 70/30 % në favor të qëndrimit në praktikën në shkollë apo pranë bizneseve, me kohë të plotë e jo gjysëm ditë të nxënësve, por nënkupton gjithashtu që rolin kryesor në arsimin dhe formimin profesional nuk e luan shteti, por biznesi. Ai është përfituesi, ai shndërrohet edhe në investitorin më të madh të AFP-së. Logjikë jo e majtë. E qartë. Por shans tjetër që të funksionojë sistemi dual, nuk ka. Sepse, nëse qeveria aktuale pretendon se do ta marrë vetë përsipër të gjithë barrën e financimit të arsimit dhe formimit professional, i ka hyrë një rruge pa krye për një arsye të thjeshtë: Arsimi professional është shumë i shtrenjtë. Po flasim për cilësorin. E duke qenë i tillë, i vetmi që mund ta përballojë, (e të nxjerrë përfitime të menjëhershme prej tij), është biznesi. Ai duhet të investojë në shkolla, që të marrë nxënës me njohuri e përgatitje të mjaftueshme për t’i pranuar në praktikë si cirakë të përgatitur kënaqshëm, t’i bëjnë punën e mirëfilltë të një ndihmësi me pagën modeste të një nxënësi, e të marrë përfitimin maksimal nga performanca e tij.

Shkolla duhet të dijë nga ana e saj të kërkojë “shpërblim” për cilësinë që nxjerr në këtë treg praktike me nxënësit e saj, duke i kërkuar biznesit financimin e pajisjeve të fjalës së fundit të teknologjisë. Por jo vetëm. Biznesi duhet të ketë mundësinë të thotë fjalën e parë, por edhe të fundit në kërkesat për degë, profile, cilësi, kompetenca dhe paketë aftësish që duhet të ketë nxënësi pas cdo niveli. Shkurt, të mbajë timonin e arsimit dhe formimit profesional, sepse është në dobi të tij, e si rrjedhim, duhet të ndërgjegjësohet për koston fillestare që duhet të paguajë, në këmbim të një produkti cilësor që do të dalë edhe nga duart e tij (nxënësi i mirë-përgatitur), që më shumë se të gjithëve, i sjell fitime biznesit vetë.

Por, nëse biznesit sot i serviret ideja se arsimin profesional do ta financojë tërësisht shteti, marrdhëniet mes palëve komplikohen që në nisje. Praktika tregon që në raste të tilla, biznesi jo vetëm ulet e pret radhën e përfitimit nga ky financim publik, por fillon e shndërrohet nga një partner, në një barrierë për arsimin profesional. Si? Ashtu siç ka bërë të gjitha vitet e fundit, teksa gjen vështirësi në cdo hallkë bashkëpunimi me AFP-në. Teksa kërkon që qeveria të subvencionojë bizneset që pranojnë praktikantë; kërkon reduktim taksash, pagesë siguracionesh nga familjarët, shpërblim nga drejtoritë arsimore në forma të tjera (tendera apo favorizime), kërkon financime në emër të të mirës publike e nuk ofron asnjë qindarkë investim për AFP-në. Jo vetëm kaq, por as nuk kujdeset për standartin e praktikës profesionale të nxënësve nëpër biznese ndërtimi, bujqësie, turizmi apo shërbimesh.

Një nga ngërcet më të mëdha që ndesh ekonomia shqiptare sot është pikërisht brishtësia e biznesit në masën më të madhe të tij, që është kryesisht familjar apo shumë i ekspozuar ndaj rrezikut të falimentimit. Përherë nën presion të uljes së fitimeve apo mbijetësës. Si të tillë, bizneset në Shqipëri e kanë shumë të vështirë të kuptojnë rolin që pritet prej tyre në arsimin profesional, apo të marrin përsipër përgjegjësi sociale për këtë sektor. E po panë një pikë burimi financiar publik për shkollat apo qendrat profesionale, në mos do i braktisin, patjetër do t’i neglizhojnë edhe më tej ato. Biznesi ka nevojë për mundësi përfitimi, e ky bizensi shqiptar e do edhe brenda natës e pa lodhje, mundësisht të ardhur edhe nga buxheti i shtetit. Kjo pikë, duhet shmangur me shumë kujdes. Dhe duhet bërë që tani, në nisje, teksa nismat e reja ligjor e institucionale, akoma nuk kanë marrë formë.

Shfrytëzimi i shkollave si qendra multifunkiosnale apo edhe dëshira e vazhduar për t’i përqëndruar ato gjeografikisht në qendra kompetencash, duhet shoqëruar patjetër me një përqasje të kujdeshme jo thjesht në autonominë e shkollave dhe përdorimin e të ardhurave të tyre, por mbi të gjitha, me formulime të kujdesshme mbi financimin e institucioneve arsimore profesionale dhe me rolin që do luajnë në të gjithë sistemin e ri biznesi dhe partnerët e tjerë socialë.

Bëhet fjalë për përgatitjen e shtresës së mesme, që është leva kryesore e ekonomisë jo vetëm në vendet në zhvillim. Lavdia e universiteteve është dukshëm në rënie. Familjet dhe fëmijët e diplomuar shumë shpejt, do fillojnë të mendojnë për punë, jo për diplomë. Të orientohen drejt saj, punës. Ndaj ky është momenti më i mirë që politikisht, t’i paraprihet të gjitha këtyre zhvillimeve që shteti bën shumë mirë që i mundëson, por patjetër, me mekanizmat deri tani të fshehura të bashkë-financimit. Rruga është e gjatë. Suksese!

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Parlamenti që meritojmë (?) Arsimi: punë, jo diplomë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2013
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

%d bloggers like this: