Kanceri s´flet. Vret!

29/10/2013 at 10:31 1 comment

“E kuptova doktor. Tumor. Agresiv. Kjo që po përkthen është vajza ime e madhe. Kam kohë ta shoh si do shkojë në një rrugë që ka nisur? Kam edhe të voglën merak. Më ngelen aq vjet sa të gëzoj për të?” Nënë karakteristike shqiptare. Shikimi im ishte gati kërcënues, jo qortues. Kurse mjeku buzëqeshi profesionalisht, siç edhe e kuptova më vonë e më qartë.

“Ju jeni shumë e re zonjë. Plaga është vërtet në një fazë disi të avancuar, por do të fillojmë menjëherë me kemioterapinë, kontroll pas katër seancash e sërish pas katër të tjerave. Kur të jeni gati, do t´ju operojmë e pastaj mund të shkoni e qetë në shtëpi. Sigurisht, do të jeni nën mbikëqyrjen tonë të vazhdueshme, çdo muaj”.

Gjuha e tij ishte aq profesionale sa dukej pothuajse e besueshme se fjalia që tha, ishte e vërteta e padiskutueshme. Kështu donim të besonim ne. Por gjërat rrodhën ndryshe. Në 11 muaj, tumori i gjirit u bë aq i paparashikueshëm dhe agresiv, saqë nga kemioterapitë, tek operacioni, metastazat dhe shuarja e jetës së re dhe energjike të sime´ mëje, ishte si një ortek që nuk diti të ndalej. E na vuri përpara të gjithëve.

E kur vëzhgoj mënyrën si bëhet fushata e ndërgjegjësimit gjithë muajin tetor për kancerin e gjirit, më duket se e humbas time´ më përditë. Sërish nga pak. Akoma më shumë.

Fjongoja e vendosur në foton e profilit nëpër rrjete sociale nuk mjafton. As emisionet sporadike, me të ftuar të rastësishëm e me bisedë sipërfaqësore nëpër studio. As kronikat e vagëta nëpër media, insertet me informacion sipërfaqësor apo intervistat në vrap e sipër me njerëz që edhe kanë, edhe s´kanë lidhje me sëmundjen e flamosur.

Një muaj i tërë do kishte mjaftuar që edicionet e lajmeve të hapeshin, minimalisht në fundjavë, kur politika i lë të marrin frymë, me kronika nga Onkologjiku. Çdo herë nga një aspekt: jetën e një pacienteje, ta ndjekin atë. Brenda një muaji mund t´i takojë të bëjë dy herë kimioterapi. Të shohin vështirësitë e ardhjes, udhëtimit, jetesës me plagën, shpresën, dëshirën për të ditur, kufizimin në të njohurin e sëmundjes, mënyrës si trajtohet ajo. Ta ndiqnin në procesin e marrjes së mjekimit, bisedës me mjeken (kur ndodh), çuditë në procedurën e qarkullimit të dosjes, ilaçeve, sjelljes së stafit, familjarëve e kureshtarëve ndaj të prekurave me tumorin e gjirit.

Një tjetër aspekt që rrit vizibilitetin, të kuptuarin dhe impaktin e vërtetë ndaj sëmundjes do ishte procedura e kontrollit. Sistemi i lajmërimit apo i referimit për të bërë mamografitë apo ekografitë. Se nuk është një fjalë e thjesht goje t´i thuash një gruaje nga zonat e thella të Gramshit, pasi ka pritur deri në orën 14.00 “Echot për sot mbaruan”, e ajo s´ka as fugon të kthehet mbrapsht, as lekë të vijë edhe një herë, as teprica luksi të flejë në hotel. Dhe ul sytë e thotë: “Po mirë. Mbaruan, mbaruan. I hyra kësaj rruge unë tani. Të dalë ku të dalë”.

Dhe le ta ndjekë kamera këtë grua të mjerë, shoqëruar nga dy vajza me duart akoma me dhé nga puna për të mbajtur veten gjallë e me dinjitet. E le të bëhet emisioni me to. E vëmendja le të jetë aty, tek sëmundja që po merr jetë e pseudo-vëmendje, por kaq pak përkujdesje e veprim të vërtetë. Sa paciente me kancer të gjirit pashë këtë muaj në ekran? Nuk duan të flasin? E pa-saktë. Duan që c´ke me të. Të flasin e t´u flasësh. Të ndjehen të mirëkuptuara, e jo të vendosura për fundi nga debati për 50 apo 70 njerëz që duan të martohen brenda gjinisë. Se për ata ka debate, avokatë e emisione të kushtueshme. Kurse për të prekurat nga kanceri, jo. Maksimumi emisione mëngjesi e pasditeje, por jo mbrëmjeje. Se puna e martesave gaz na del më e rëndësishme sesa lufta për jetën.

C´muaj sensibilizimi ishte ky, kur shërbimi akoma është fundor e kur në emër të tij bëhen pazare të lira politike, mediatike apo publike? Emisionet dhe “specialistët” apo personat që paskan kaluar me sukses histori të kancerit të gjirit, nuk kanë pse ta shesin sapunin për djathë në komunitetin frikshëm në rritje të atyre që janë infektuar nga kanceri i gjirit. Është i rrezikshëm, është në rritje, është prezent në shkallë të lartë rreziku tek shumica dërrmuese e femrave në grup-moshën 40-55 vjeç. Është i ashpër, nuk trajtohet me përkujdesjen e duhur, abuzohet me shërbimin e tij dhe jo, nuk është fushë me lule as ndërgjegjësimi, as parandalimi, aq më pak, kurimi i tij.

E pse duhet të jetë kaq e vështirë të jesh i drejtpërdrejtë dhe i vërtetë? Kanceri i gjirit është jashtë kontrollit për numrat që ka dhe për mënyrën si trajtohet. Pacientët trajtohen në mënyrë mjerane , qajnë, vuajnë e nuk janë të qetë me shërbimin që marrin. Këshillimi mungon e informacioni vjen me pikatore, vetëm nëse e kërkon. Ka sjellje të izoluara mjekësh që janë miq të mirë e me humanizëm të mbetur akoma në këmbë, por ngelen ishuj të vegjël që nuk akomodojnë dot gjithë dhimbjen dhe tragjedinë e asaj që shkakton kanceri në gji.

Është muaji i sensibilizimit, jo i gënjeshtrave, fshehjes pas gishtit, të qenit sipërfaqësor apo lojës për të kënaqur gjithkënd. Kanceri i gjirit është po aq serioz dhe i natyrshëm sa moskokëçarja e medias dhe shëndetësisë për të. Nuk kalon me fjalë apo me fjongo dhimbja dhe detyrimi për të. Që nga thirrja për kontroll, mundësimi që të bëhet fakt i detyruar mjekësor me Pap test nga mosha 25 vjeç e me Mamografi që nga mosha 40, e deri në lehtësimin e mjekimit në të gjitha etapat dhe aspektet për ato që preken nga tumori.

E mbi të gjitha, qëndron informacioni. Komunikimi. Koha e plotë, e qetë dhe e përsëritur që duhet kaluar me pacientët dhe me të afërmit e tyre, për t´i thënë hapur, por me shumë kujdes, humanizëm, profesionalizëm e madje, edhe me shpresë e me dashuri, se cila rrugë i pret, sa kohë dhe si mendohet të kalojë, c´implikime ka, cilat mund të jenë efektet anësore, sa zgjasin, si mund të anashkalohen e c´mund të bëhet për të lehtësuar dhimbjen, frikën e ankthin në secilin hap.

Kemioterapia, operacioni apo radioterapitë nuk duhet të vinë si furtunë apo më keq akoma, të bëhen pothuajse sekret, meqenëse “mjeku i di të gjitha e pacienti nuk mbush, ndaj të mos harxhojmë kohën për të folur me të”.

Në një nga spitalet perëndimore, teksa shoqëroja një paciente të prekur nga kanceri i gjirit, më bëri përshtypje tjetërsuese shërbimi tejet miqësor, informativ, përkujdesës dhe dashamirës në repart. E mësova përse-në. Një nga drejtueset e pavionit, mjeke onkologe, po kurohej vetë nga kanceri i gjirit. Kjo kishte kthyer përmbys të gjithë ftohtësinë, burokracinë dhe falsitetin në pavionin në emër të të cilit guxojmë të pretendojmë se po bëjmë sensibilizim në Tetor.

Kanceri vret. Që ta sfidojmë, duhet t´i shkojmë në shtëpi. Ky tetor mbaroi. Tjetrin, në s´ka nismë më krijuese rreth tij, ajo që mund të bëjmë është t´i lëmë të prekurit rehat, pa kërkuar publicitet në emër të tyre.

Entry filed under: Sociale. Tags: .

Publikut, televizionin që i takon Shterpë martesat apo debati?

1 Comment Add your own

  • 1. Atena Bishka  |  12/11/2013 at 03:33

    Edlira, te falendoroj shume per shkrimet qe i ke kushtuar kesaj teme! Me vjen keq per humbjen e mamase per shkak te kancerit te gjirit dhe perpiqem te imagjinoj dhmibjen tende. Vleresoj fort qe ndihmon publikun duke ndare pervojen personale. – jo vetem kaq por edhe qe sidomos ngre zerin per kushtet skandaloze mjekesore e sanitare, kulturen e mentalitetin e komunikimit, informimit dhe trajtimit te pacienteve. Une kam qene tek spitali onkologjik i Tiranes ne vitin 1995 per te vizituar nje te afermen time, qe u nda ne moshe te re nga jeta. Jam tronditur shume me kushtet higjienike, dhomat mjerane dhe menyren e sjelljes ndaj pacienteve. Nje mjerim total qe e shumefishonte fatalitetin dhe e shkermoqte dinjitetin njerezor! Aq shume me derrmoi psikologjikisht ajo pervoje saqe e perjetova me muaj e vite edhe permes endrrash te perseritura qe me zgjonin me lebeti. Fotografite e tua, 18 vjet me vone, te cilat qelloi t’i shihja ne emisionin Wake Up (ne internet) tregonin te njejten gjendje, ne mos me keq!
    Te falenderoj edhe nje here sinqerisht per kete sherbim te cmuar publik!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2013
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

%d bloggers like this: