Shterpë martesat apo debati?

01/11/2013 at 14:18 Leave a comment

Homoseksualët apo kancerin? Tumorin e gjirit apo martesat gay? S’ka më vend për asnjë dyshim. Betejën e fituan ata 50 djem a burra që duan të martohen me njëri-tjetrin. C’rëndësi paskan jetët që merr kanceri çdo ditë, aq më pak në muajin që ishte supozuar të ishte kundër tij? Jo. Martesat gay. Ata janë halli i ditës. Me ta u mor media, kamerat, emisionet e mëdha, ndërkombëtarët, ministrat, qeveria e opozita.

Për ta ka gjithmonë vëmendje e fonde. Me ta iu rrit prezenca mediatike avokatit të popullit (Cilit popull? – ironizonte një koleg me të drejtë). Punët e brendshme dhe dëshirat martesore të një komuniteti të vockël arritën të eklipsojnë rëndësinë e jetës bash në mes të një periudhe të vetme në vit që mund të kishte shansin të fitonte rëndësi e shikueshmëri njëri nga vrastarët më të ashpër të saj, pa u politizuar e pa përfituar prej sëmundjes. Por jo, s’ishte e thënë.

Reth 90 raste të diagnostikuara vetëm në Tetor (muajin kundër tij). Asnjë e dhënë për betejat e humbura. Asnjë filmim në pavionin famëkeq. Asnjë emision nga ata më të ndjekurit ku protagonistet të ishin 6 apo 8 të prekura nga sëmundja, që luftojnë me të. T’i pyesim si ndjehen, sa dinë, ç’presin, ç’dëshirojnë më shumë të ndodhë, cili është ankthi që i mundon, po shërbimi apo mjekimi? Jo! Hiç. Kronika të cunguara që tregojnë sa pak e njohin helmin e kancerit super-mediat tona.

Ndërkohë, lajme, kronika, debate, foto, argumente e kundër-argumente pa fund për këta 50 apo 100 njerëzit që duan të bëjnë qejfin e tyre e të martohen me kë iu thotë mendja apo zemra (punë për ta).

E kuptoj mjaft mirë rëndësinë e të qenit përherë politikisht korrekt e për më tepër, nevojën të shfaqemi liberalë e mbështetës në respektimin e të drejtave të grupeve të caktuara ku hyjnë edhe LGBT. Dhe le të bëjnë ç’të duan. Ama martesa e tyre, me apo pa ligj, ngelet punë qejfi. Kancerit si t’ia bëjmë, që s’ka ligj që e ndalon të hyjë në gjirin e femrave e t’i marrë jetën ndoshta edhe nënës së ndonjërit prej këtyre sevdallinjve që duan të martohen, apo edhe gruas së ndonjërit prej këtyre që nuk e shikon sëmundjen si mjaftueshëm mediatike, apo vajzën e ndonjë eksperti të homoseksualizmit që s’lë radhë ekraneve për tumorin, se do merremi me qejfe martesash.

Beteja ime e hapur në këtë mes është për zaptuesit e hapësirës publike: ata që e përcaktojnë dhe ata që e uzurpojnë atë. Avokati i popullit nuk mund të mbahet peng i një çështje të vetme e të verë në lojë rëndësinë institucionale të tij për një rast që impaktin social e ka të papërfillshëm në krahasim me dhimbjen që të sjell humbja e betejës me kancerin. Njëra është temë qejfi, tjetra është hall koke. Kjo kishte muajin, ajo kishte gjithë sipërfaqësinë, dashakeqësinë dhe makutërinë për t’u marrë sa më shumë e sa më hapur me një çështje në kurriz të tjetrës, ku fajtorët kontribuues janë të shumtë.

Pyetja ime është sa profesionale, aq edhe njerëzore: Përse një martesë mes burrash merr më shumë vëmendje në media sesa qindra jetë grash? Si qenka interesante puna e homoseksualëve, por jo ajo e tumorit të gjirit? C’e bën më “tërheqëse” për audiencën një debat mbi një tip martese shterpë, në krahasim me një sëmundje që është kaq pjellore sa po t’u shfaq, nuk ka Zot t’ia ndalë shumimin?

Pyetjet mund të cilësohen si amatore për ata që përcaktojnë axhendat mediatike e politike, por dhimbja që shkakton kanceri është pak më e thellë sesa turpi që mund të frenonte bërjen e pyetjeve, apo frika se përmes tyre, mund të shtoj të tjerë armiq subjektivë në listën time. Tek e fundit, kanceri nuk ka gjuhë. Ka vetëm formulë që të shkatërron. E sa të jetë aktive ajo, me gjuhën e ashpër të tij duhet folur, që të merret vesh se çdo të thotë ta kesh prerjen e jetës pas dere. Pa le të jenë edhe martesat gay aty.

Pse nuk u pyet edhe ndonjë paciente që bën kimioterapi gjatë Tetorit se ç’mendon për martesat mes burrave? (apo edhe mes grave, se mos akuzohem edhe për diskriminim brenda llojit). Meqë ishte temë kaq e madhe sa nuk la ekran pa zaptuar, të pyeteshin një herë edhe ato të dorës së tretë e të katërt mediatike në janë pro apo kundër martesave të homoseksualve. Jo? Nuk bëhen dot ironi të tilla? Pse, që t’i vendosësh ata në listë prioritetesh mediatike e politike karshi atyre që luftojnë me kancerin, nuk është ironi? Vrastare po aq sa sëmundja. 100 fish të ndëshkuara. Mirë sëmundja që i zë, por duhet të durojnë mbi supe edhe pseudo-publicitetin që bëhet apo eklipsohet në emër të tyre.

Edhe në rastet kur nuk u fol për homoseksualët, por për kancerin, në emër të tij folën ata që mbajnë nën sqetull dosje e shkresa, numra e statistika, projekte të pabëra e urrdhëresa të marra, që vonojnë procedura e shkatërrojnë akoma më ngadalë durimin dhe ankthin e një rruge me fund. Ata u ulën në kolltukët luksozë e nën prozhektorët e fortë të studiove televizive. Zërat e izoluar të të prekurave që dëgjova ishin sjellë aq mekanikisht, sa i ngjanin akoma më shumë vrasjes së ngadaltë që ushtrojmë të gjithë kaq efektshëm ndaj viktimave.

Unë jam pro respektimit të të drejtave të njeriut dhe prej vitesh aktiviste e tyre. Kam në rrethin tim miq që e di që do të ngelen të mërzitur nga ashpërsia e këtij shkrimi. Por kam edhe një detyrim personal e profesional të mos hesht në emër të sëmundjes që merr jetë.

Përpara sesa të jem mbështetëse apo kundërshtuese e martesave brenda gjinisë, jam grua, e si e tillë, njëlloj si të gjitha gratë në planet, rrezikoj, ashtu si të gjitha ju që lexoni këtë shkrim, të jem një ndër katër gratë që tumori i gjirit vret. Mjaft me uzurpime të hapësirës mediatike e publike me zëra të vobektë, gjuhë sensacionale e tema komerciale. Në emër të jetës, jepini zë asaj.

Ah, dhe sot është 1 Nëntor. Dita e të gjithë shenjtërve. Të tillë quhen të gjitha ata që sot nuk janë më mes nesh. Sa qirinj do ndizen sot për të përkujtuar viktimat e kancerit të gjirit? Muaji i ndërgjegjësimit kundër tij mbaroi. Mua më duhet të ndez një qiri sot, që të ma mbajë dhimbjen zgjuar. E po deshi media dhe zyra e avokatit të popullit, po blej edhe nga një tufë me lule për homoseksualët që e kanë ndarë mendjen ta lidhin jetën me martesë.

Ama Tetori, vdiq!

Entry filed under: Shqiptarizëm, Sociale. Tags: .

Kanceri s´flet. Vret! Pushteti: shumë miza, pak mjaltë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

November 2013
M T W T F S S
« Oct   Dec »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930  

%d bloggers like this: