Pushteti: shumë miza, pak mjaltë.

05/11/2013 at 15:21 Leave a comment

Lavjerresi politik E_GjoniÇ’ndodhi në Korçë? Njerëzit votuan pushtetin. Po. Është kaq e thjeshtë. E majta fiton gjithmonë në Korçë. Ky nuk është lajm. As erdhi papritur. Ama këtë radhë, diferenca në vota ishte edhe më e madhe në favor të fituesit të majtë. Po çfarë e çoi në këtë pikë votuesin korçar e atë shqiptar?

Ndodh rëndom që në zgjedhjet lokale me hapësirë kohore të ngushtë pas atyre të përgjithshme, qëndron prirja për të votuar fituesit e zgjedhjeve parlamentare. Ama në Korçë, kjo nuk ishte prirje. Më tepër i ngjan një thirrje sa dëshpëruese, aq edhe inatçore për pikën ku është zhytur jeta politike në nivel makro, po edhe personale e secilit votues, në nivel mikro. E thënë më troç, votuesit po shikojnë tek maja e këpucëve të veta. “Kë të votoj? C’fitoj po votova këtë Sotiraq? Po sikur të votoj atë tjetrin? Hiç. Ky i majti të paktën është në pushtet. Nikon po e ka atje në qendër. Edhe po s’më gjeti një puna mua këtu, djalit atje në Tiranë, do ia gjejë se s’bën. Ja ta gëzojë Filo”. Kaq i thjeshtë është arsyetimi i votës.

A u votua programi më i mirë për një Korçë lule i Filos? Apo u ndëshkua mungesa e aktiviteteve reale në programin e Startobërdhës? Apo programi s’ka asnjë lidhje me zgjedhjet? Me sa duket jo, se në një muaj, palët nuk patën mundësi as të bëjnë ndonjë program specifik, as ta kenë atë fort të ndryshëm nga njëri-tjetri. Thjesht, korçarët votuan pro pushtetit e kundër Berishës, edhe pse pushteti është çimentosur që në 23 Qershor e Berisha ndjek tani hijen e vet, se i ka kthyer krahët diellit politik. Prej vërteti. Po, një herë e mirë. Mosha e detyron. Edhe disa arsye të tjera. E s’ka më nevojë të ndëshkohet Berisha, se tashmë i përket të kaluarës.

Por, ndëshkim ishte vërtet. Dhe shumë mirë. Le të marrë akoma edhe shuplakat e tjera e djathta, që të shkundet mirë. Nuk e ka prekur akoma fundin. Në 2015-ën do përplaset me betonin në fund të pusit ku e ka futur veten. Po urojmë të mos thërrmijëzohet e tëra kur ajo ditë të vijë, se do gdhihemi pa pritur e pa kujtuar në shtet me një parti: PS-në e rrethuar jo më nga një milionë, po nga 3.4 milionë njerëz që do pretendojnë prej saj punë, pushtet, drejtim e përfitim. E madje, do jenë të gatshëm edhe ta votojnë. Vetëm të gjejnë punë. Vetëm të jenë në pushtet.

Kjo është prirja. Të gjithë po rendin drejt saj. Në Shqipëri është krijuar një kulturë e re votimi, që me apo pa dëshirë, i faturohet LSI-së. Është ajo që e ngriti kultin e votës si të barazvlefshme me një vend pune e tani të gjithë mendojnë se kjo është zgjidhja. Jo vetëm populli. Po edhe deputetët e PD-së vetë po tregojnë se iu lëngëzon më shumë goja kur shohin tryezën e shtruar të pushtit të majtë. Dhe lehtësiart ligjore të të qenit në pushtet.

Kaq shumë është përforcuar ideja se e majta të çon automatikisht në parajsë, në mos brenda ditës, patjetër brenda vitit, saqë turma që e ndjek pas është rritur frikshëm. Dhe nuk mund të jetë kurrsesi e shëndetshme për një demokraci kjo prirje masive e kalimit të masës në mbështetje pa kushte për palën qeverisëse. Jo politika, por votuesit dhe shpërblim-kërkuesit po tregojnë frikshëm se sa shumë po ngjasojmë me vendet që qeverisen nga një parti e vetme. Dhe duket sikur shqiptarët jo vetëm që kanë alergji nga opozitarizmi, por po fitojnë edhe imunitet goxha të fortë ndaj tij. Për pragmatistët është mirë. Kurse për demokracinë është helm ndër më të fortët që i servirim vetë, me duart tona.

Është iluzion i pastër besimi se duke votuar të majtën, votuesi zgjidh hallet e tij e i jep shtysë për ndryshim vendit. E majta është mirë ashtu siç është vetë, me programin dhe njerëzit e saj. Nuk ka nevojë për shtesa të palegalizuara. Nuk ka nevojë Sotiraq Filo për 10 mijë vota më shumë sesa paraardhësi i tij që sot është zëvendëskryeministër. Këto hendeqe nuk e rregullojnë imazhin e së majtës. Ato prishin në mënyrë dramatike balancat politike në vend. Se ky numër i frikshëm votash pro atij që pritet të fitojë, përkthehet si shpresë më e madhe për të gjetur përfitime apo një punë. Dhe e majta nuk mund të bëjë një sy qorr e të mos e lexojë kështu këtë dallgë përmbytëse të shifrave në favor të saj.

Po, ky është momenti i së majtës në Shqipëri dhe duhet kurajo e madhe ta shohësh me sy të ftohtë pozicionimin dhe veprimet e saj. Me gjendjen e mjerë dhe xhunglën gjithë bimësi e gjallesa të egra ku e ka futur veten e djathta, PS (jo LSI), duket se e ka prerë fare lehtë biletën për të qëndruar në pushtet për të teta vitet në vijim.

Po në 2021-in e majta nuk do jetë kështu. Njerëzit do jenë ngopur nga zhgënjimet, nga pritjet pa fund për t’u sistemuar, nga fyerja që nuk morën dot “pozicionin që ju takon”. LSI do ketë arritur pikën e ngopjes dhe eskorta e saj votuese do i ketë sytë tek forca politike e radhës që do iu mbushë syrin si punëdhënëse më e sigurtë. Se votuesit e LSI-së janë votuesit më të lëkundur. E më të pasigurtët gjithashtu. Nuk lindi në Shqipëri ky fenomen. Demokracitë e brishta kanë vite që udhëtojnë me të njëjtin stil në shumë vende në zhvillim.

Dhe votuesit e majtë që ka LSI janë po ata që ka pasur në 2009-ën. Aq do marrë me vete në qypin e majtë në zgjedhjet e 2021-it. Të tjerët, do kthehen tek e djathta. Jo se do jetë më e mirë, pro do ketë gjasa të jetë më afër pushtetit sesa sot. E ndërkaq, për të mirën e funksionimit të shtetit e shpërndarjes së pushteteve në Shqipëri, do ishte mirë që e djathta, deri në atë periudhë të jetë përforcuar e përmirësuar. Madje, tjetërsuar. Njëlloj si ajo që është në pushtet sot.

Është shumë e vështirë të gjesh ngjashmëri në të majtën e sotme me atë të vitit 2005. PS e ka rigjeneruar veten tërësisht dhe meriton ta lëmë të vijojë me ushtrimin e detyrave që votuesit i kanë vënë përsipër. E djathta duhet të bëjë të njëjtën gjë: të rigjenerohet e tëra. Përndryshe, jo vetëm që tetë vitet e opozitës mund të shkojnë 12 (ogur i keq për çdo demokraci në zhvillim), por PD apo e djathta mund edhe të zhbëhet e tëra, dhe Shqipëria bën ca hapa të mirë prapa në demokraci, e do qeveriset nga një krah i vetëm. Ashtu donte edhe Berisha. Përjetësisht. Ashtu mund të duan edhe të majtët, 12 apo edhe 112 vjet në pushtet. S’do ishte keq për ta. Por pak më mirë për popullin do ishte që rotacioni të jetë prezent.

Po ç’po ndodh? Votuesit s’po lënë shans të shkojmë tek ideja e rotacioneve. Po ngjitemi të gjithë fort pas pushtetit, duke votuar, dorështrënguar, bashkëpunuar me të, e duke kërkuar e pritur në mënyrë të pashtershme prej tij. Gabim me pasoja të paparashikueshme për vendin, se politika lavjerrës është, e pas 8 vitesh, që do jetë patjetër në qendër, nuk diskutohet, por gjasat mund të jenë që ajo të shkojë sërish djathtas. Atëherë ç’do bëjnë votuesit? Stratobërdhat apo PD e 2023-it do marrë të 71 mijë votat e Korçës, sepse njerëzit do votojnë sërish pushtetin?

Është e pafalshme që sot. Jo për votuesit tradicionalë. Ata i qëndrojnë besnik votës së tyre dhe kjo është për t’u respektuar. Po këta që lëvrijnë sa majtas-djathtas, nga të shkojë pushteti, duhet të gjejnë veten se s’bën. Si? Sot nuk kanë faj, sepse nuk është e mundur të gjendet një strehë që i pret rrufetë e pasigurisë për punë apo për jetë që bien mbi shumë të zhgënjyer, po edhe një fije integriteti, gjithsekush duhet ta gjejë brenda tij, qoftë edhe në sekondën kur shënjon përbri forcës politike prej të cilës mendon se mund të përfitojë.

Studimet politike bërë me vite e në vende të ndryshme të botës sugjerojnë se njerëzit votojnë duke pasur parasysh një sërë kriteresh në mendje dhe vota e tyre përcaktohet nga disa faktorë, që mund të jenë mosha, gjinia, arsimi, prejardhja familjare, gjendja financiare etj,pastaj vijnë interesat personale e angazhimet politike. Kurse në Shqipëri, në rastin e Korçës duket sikur 10 mijë votat plus, që s’dihet nga vinë, thonë: “Po votojmë edhe në për pushtetin, mbase e kemi një shans. Pa nami të bëhet me idealet”.

Për momentin, dy janë pikat kyçe në jetën politike në vend: 1) E majta duhet inkurajuar për çdo nismë që e çon Shqipërinë përpara dhe rrit mirëqenien e qytetarëve. 2) E djathta duhet urgjent të bëjë rolin që i takon në bërjen e opozitës konstruktive, me argumenta e fakte që do ta pengonin të majtën të merrte peng çdo nismë e cep, me apo pa mbështetje në ligj. Që do të thotë? Sa më mirë të performojë qeveria, aq më shumë duhet të punojë opozita, e kështu, forcohet edhe vetë ajo.

Po deri tek kjo pikë, ka edhe disa hapa: së pari, PS shpejt do arrijë pikën ku do jetë e detyruar t’u thojë qindra mijëra shpresë-shumëve se me gjithë dëshirën e saj të madhe, qypi nuk ka mjaltë për të gjithë. (Dhe këtu fillon të marrë jetë qeliza e parë e pakënaqësisë, që më vonë do shndërrohet në bërthamë e në alamet peme me kokrra të hidhura, që disa vjet më pas, do bien në bahçen e djathtë). Dhe së dyti, PD duhet të arrijë patjetër pikën fundore. Kjo do ndodhë në zgjedhjet lokale të 2015-ës. E aty, PD duhet të ketë gati ca njerëz, ca energji, një platformë, një grusht të mirë mbështetësish dhe një dozë të mirë vullneti që të shkojë në humbjen e radhës, në 2017-ën, jo kaq e shkalafitur dhe pa formë sa ç’është sot.

Palët duhen forcuar të dyja. Po kështu, edhe votuesit. Pragmatizmi është dritëshkurtër. Le të mos e ushqejmë me oksigjen kot më kot. Pak e nga pak, por të paktën saktë, të kontribuojmë si mundemi për shtetin, e jo për pushtetin e radhës.

Se vetëm ç’mbjellim, atë mund të korrim.

Sezon të mbarë! Për të gjithë.

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Shterpë martesat apo debati? Me shumë dashuri nga Yekaterinburg

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
November 2013
M T W T F S S
« Oct   Dec »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930  

%d bloggers like this: