Me shumë dashuri nga Yekaterinburg

06/11/2013 at 14:31 Leave a comment

Me shumë dashuri nga Yekaterinburg

Do rikthehem për ndeshjet e Kupës së Botës 2018. Por për momentin, kjo është dita ime e fundit në Yekaterinburg. Edhe për bashkëshortin është muaji i fundit. Pas 13 muajsh eksperiencë me kompaninë e tij në këtë pjesë tërheqëse të Rusisë, koha e tij do kthehet gjithashtu 5 orë mbrapsht, teksa rivjen së shpejti në Europë.

Mbrëmjen e fundit në magjinë ruse të këtij qyteti gjigand e kaluam në restorantin Vertikal, në qendrën Vysotsky. Në katin e saj të 52-të. 188.3 metra. 1 gradë më sipër drejt veriut krahasuar me Kullën e Përdredhur në Malmo. Po shumë mirë. U tha, u bë. Po bëjmë foto krahasuese para të dyjave. Në  Twsited Torso Tower e kaluam eksperiencën 3 vjet më parë.

Po le të qëndrojmë tek Yekaterinburgu. Në foto është lumi Iset, që e përshkon aq qetë qytetin, sa nuk e kuptova fare se ishte lumë. Aq bukur ia kanë rregulluar shtratin dhe shëtitoret në dy anët e tij, sa të ngjan me një liqen të vogël, rreth të cilit bëjnë cirk pa pushim me biçikletat dhe patinat e tyre të rinjtë e shumtë të qytetit.

Kur dëgjova për herë të parë në familje destinacionin e përzgjedhur nga kompania për detyrën 1-vjeçare larg shtëpisë, as që e kisha dëgjuar ndonjëherë Yekaterinburgun. Ekaterinën e madhe po, por që të kishte edhe një qytet emërtuar në nder të saj, nuk e dija. Kërkimi i shpejtë në Google më tha se qyteti njihet gjithashtu si vendi famëkeq ku Bolshevikët ekzekutuan në vitin 1918 monarkun e fundit rus, Nikolas II, së bashku me bashkëshorten gjermane Aleksandra dhe fëmijët e tyre. Po. Ngjan familjare si histori, kur dëgjon të flitet njëkohësisht edhe për rusët, edhe për bolshevikët.

Po kur erdha për herë të parë këtu, muaj më parë, u çudita kur nuk pashë as shenja bolshevizmi, as monarkie cariste, as ushtrinë e kuqe. Gjeta një qytet me shumë ndërtesa që sfidojnë lartësitë, një numër pashpjegueshmërisht të madh hotelesh e akoma më të çuditshëm qendrash tregtare, çmimet e të cilave nuk krahasohen me asnjë nga kryeqytetet, e jo më qytetet evropiane. Shumë luks brenda tyre, shumë afër njëra-tjetrës, e shumë të paprekshme veshjet e këpucët e shtrenjta, edhe pse për nga numri i dyqaneve, duket se ia kalojnë gjithë Ballkanit bashkë. Krah tyre, si relike, qëndrojnë apartamentet parafabrikate të ndërtuara me vrap nga komunistët në vitet ’50-’60. E më në periferi, shtëpizat e ulëta prej druri e dërrase, me dritare të vogla e kanata të trasha, që akoma nxjerrin tym. Sot vendasit thonë se blejnë të gjithë nga një shtëpi të tillë, ta përdorin edhe si kujtesë, edhe si shtëpi pushimi, veçanërisht në zonën e Literaturny Kvartal (Lagjia e të Lexuarve), që sheh e gjitha jo rastësisht nga pjesa e rregulluar mrekullueshëm mbi lumin Iset.

Po c’shije ka ky qytet sa i madh, aq edhe i padëgjuar për ne? Ja lexoni! Nuk do iu tingëllojë krejt i panjohur.

Teksa po prisja ashensorin në hotel, pashë një lajmërim ngjitur tek hyrja: “Sot luhet finalja e Hokejit në akull. Hoteli ofron ndjekjen falas dhe nga një pije për klientët. Ejani të argëtohemi së bashku në holl”

U ktheva mbrapsht të pyes recepsionisten, kur mbi banak, shoh edhe një tjetër fletëpalosje, që nuk e kisha vënë re: “Shëtitje turistike në Yekaterinburg me guidë profesionale. Për oraret dhe itineraret, jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë këtu në hotel”

Yekaterinburgu me autobus turistik? E çfarë mund të shohë njeriu këtu? Nuk e dija se qyteti paska hyrë në hartat zyrtare turistike për ata që udhëtojnë me trenin magjik e të mistershëm Trans-Siberian, dhe udhëtarëve shtegtarë që rrinë me javë të tëra në tren duke përshkuar stepat e çuditë natyrore të Rusisë, iu sugjerohet të ndalin edhe në Yekaterinburg për dy apo tre ditë.

“Kanë shkruar në disa libra turistikë për ne, – më thotë me buzëqeshjen e saj të përhershme Daria, recepsionistja që më pëlqen më shumë me gatishmërinë dhe profesionalizmin e saj. – Por në të gjithë duket se na ngatërronin me humbëtira nëpër Azi. E vërtetë, në Azi jemi, por siç mund ta shohësh, në një pjesë shumë moderne të saj”

Dhe vërtet, në rastet e pakta që lëviza jashtë qytetit, vura re fillimin e pyjeve të dendura të pishës. Kurse avioni ngrihet nga aeroporti Koltsovo, me kodin SVX, që as lidhje me qytetin s’ka, e asnjë stjuardesë në Tiranë (po as në vendet tranyit), s’kishte shans që ta gjente me natyrshmërinë e zakonshme. E kur fluturon prej kësaj pjese afër Uraleve, sheh se pyjet e pishës, që duket sikur sapo fillojnë në qytet, rreth tij nuk dinë të kenë më fund. Dhe kur avioni është aq ulët sa akoma mund të shquash ç’ka në tokë, të lë pa frymë ngjyra aq e zezë e saj, me shenjat e panumërta të vendeve ku gërmohet vetëm pas centimetra për nxjerrjen e naftës e të gazit.

Me ç’duket nga ndryshimet e shpejta që edhe vetë vë re që nga vizita ime e parë e vetëm brenda një viti, Yekaterinburgu do të jetë pas Moskës e Shën Petërburgut qyteti i 3-të në listën e vendeve  që i vijnë ndër mend një të huaji, sapo të përmendësh Rusinë. Në katër vende me fuqi ekonomike shpërthyese sot në botë, kjo është arritur tashmë. Pikërisht në Yekaterinburg u mbajt në vitin 2009 samiti i parë i BRIC, Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës, që formojnë edhe katërshen e ekonomive me potencialin më të lartë të rritjes në tregun global.

E për ta evropianizuar akoma më shumë qytetin, qeveria ruse mendon me strategji që disa nga takimet e saj të rëndësisë së veçantë t’i çojë jashtë kryeqytetit, që t’iu bëjë me dije miqve dhe skeptikëve ndërkombëtarë se Rusia nuk ka vetëm Moskën. Ndaj, në vitin 2010, presidenti i atëhershëm Medvedev e solli në Yekaterinburg kancelaren Angela Merkel, që ta zhvillonte këtu takimin vjetor me të. Synimi ishte sigurisht që përmes këtij takimi politik, media të raportonte vendndodhjen e qytetit, që do të vendosej falas në gazetat e perëndimit si reklamë dhe tërheqje për investitorët e huaj në këtë pjesë në dukje kaq të largët të Rusisë.

E megjithatë, jo të gjitha kompanive Yekaterinburgu iu duket i panjohur. Pyesim Enel-in. Gjigandi italian i energjitikës është aq prezent në këtë pjesë të botës saqë në disa nga restorantet kryesore në qytet, të duket vetja sikur je në Romë. Italisht gjithandej dhe restorante të adaptuara me shpejtësi qëkurse Enel u vendos këtu shumë vite më parë, menjëherë sapo ushtrimi i biznesit ndërkombëtar gjeti vend të përshtatshëm bashkëpunimi në Rusi. E pas energjisë dhe gazit, italianët po sjellin në qytet të tjera kompani, këtë radhë ndërtimi, që të marrin përsipër rinovimin e transportit publik dhe rrugëve me natyrë pakëz komuniste të qytetit.

“E kush më mirë se italianët do mund të na i bënte rrugët më të bukura, përveçse më të gjera e më funksionale? Ata janë mjeshtërit. Shpresojmë ta fitojnë të drejtën për të ardhur brenda vitit që vjen” – thotë Andrey, i vetmi recepsionist mashkull në hotel, që në fakt, është këtu në praktikë, teksa studion Biznes dhe Turizëm në Universitetin Shtetëror Teknik të Uraleve, që është një prej 16 fakulteteve në universitetin publik në Yekaterinburg.  Ural State Technical University. Më vonë, do t’iu flas shumë shkurt, me një emër të vetëm të diplomuari aty, edhe për këtë Universitet.

Përveç të tjerave, në këtë vit që kam qenë e lidhur ngushtë me Yekaterinburgun, në Youtube ndesha një video që paralajmëronte se qyteti po lufton fort në ambicien e tij për të fituar të drejtën e organizimit të World Expo në vitin 2020. Qytetet e tjera rivale që kanë mbijetuar në konkurrim janë Izmiri në Turqi dhe Ayatthaya në Tajlandë. Dhe e kuptoj mjaft mirë këmbënguljen e rusëve për ta sjellë në vendin e tyre këtë sipërmarrje gjigande: Rreth 39 milionë vizitorë pritet të vijnë në ekzibicion, kështu që përfitimet merren me mend cilat mund të jenë.  Plus, për t’i paraprirë këtij eventi që qyteti po lufton fort ta fitojë, Moska ka vendosur tashmë që në Yekaterinburg të zhvillohen gjatë Kupës së Botës 2018 ndeshjet në grupe të ekipeve si Anglia, Italia apo Gjermania, që sjellin me vete shumë tifozë dhe publicitet njëkohësisht. E për më tepër, e ka futur qytetin më të skajshëm ku do zhvillohen ndeshjet e Kupës së Botës Rusi 2018 edhe për të luajtur njërën nga gjysmëfinalet e evenimentit. Jo keq si strategji për promovimin dhe vizitat turistike në këtë vend pothuajse magjik.

E në promovim e sipër, teksa ndiqja në youtube disa video njëra pas tjetrës, më kapi syri njërën ku jo vetëm dukej në hapje flamuri shqiptar, po edhe në qendër shndriste me një buzëqeshje të madhe në fytyrë dikush që stomaku më tha përpara syve që e njoh: Bashkëshorti në videon promovuese për të bërë Yekaternburgun organizuesin e World Expo 2020. Së bashku me disa të huaj të tjerë që jetojnë e punojnë në Yekat, ky shqiptar i botës së biznesit shpjegon në video si e përjeton dhe shijon jetën mes dy kontinenteve e sa ide gjeneruese është që më shumë aktivitete ndërkombëtare të zhvillohen, siç e quan ai,  në “qytetin e pasionit për jetën”[1].

Dhe ky pasion nuk duket vetëm tek qendrat tregtare me veshjet Armani, Versace apo DKNY. As në paradën e jashtëzakonshme të këpucëve me taka jashtë imagjinatës të larta e pa më të voglin ç’ekuilibër teksa ecet me to mbi akull. Jo. Pasioni i tyre për jetën duket në dhjetëra teatrot, operat, kinematë dhe shtëpitë e kulturës që ka akoma në këmbë e funksionale, me një disiplinë mbresëlënëse e me performanca frymëzuese gjithandej nëpër qytet. Është e pamundur të gjesh biletë në Akademinë e Operas dhe Baletit, ku çdo mbrëmje, e në fundjavë, dy herë në ditë, ka shfaqje nga ato që të hedhin pas në kohë e të bëjnë të të duket sikur jeton në një botë tjetër në çdo dimension. Profesionalisht arti merret akoma shumë seriozisht në Rusi, e edhe nga ana tjetër, kultura e të shkuarit në teatër apo në opera, është gjithaq mondane në mënyrën e vet. Kurse shfaqjet janë të gjitha një perfeksionim i frikshëm e performanca që të bëjnë të besosh se baleti për shembull, është rënie në gjendje të lirë. Kaq të kollajtë e bëjnë të duken profesionistët striktë rusë.

Dhe me gjithë lavdinë e rënë në shumë fusha të tjera, në këto degë të artit, opera, balet dhe patinazh, rusët nuk dinë ta ulin shkopin e standardit.

Po cilat janë pikat e tjera që e bëjnë të veçantë Yekaterinburg-un?

Vendi i robërve të luftës së dytë botërore për shembull, i gjermanëve që u sollën në pjesën veriore të qytetit, e u përdorën nga pushteti për të zbuluar me kolona e gdhendje godinën që sot është Bashkia e qytetit, e t’i jepnin asaj lavdinë e paqenë të sistemit komunist. Për ironi të fatit, i gjithë qytetit u zhvillua më vonë duke marrë si model pikërisht atë pjesë të lartë në formë kulle katrore që ngritën gjermanët e zënë rob. Kurse për veten, nën kamxhikun dhe stilin komunist, ata ndërtuan godina parafabrikate pa pikë imagjinate në arkitekturë, ashtu siç janë edhe shumica e ndërtesave të përbashkët të banimit në të gjithë ish-Bashkimin Sovjetik.

Kisha e Gjakut, quajtur kështu në nder të të gjithë martirëve që kanë dhënë jetën për Rusinë, por e njohur për fundin e paimagjinueshëm të dinastisë Romanov dhe periudhës cariste në Rusi. Në këtë kishë, në Korrik të vitit 1918, një skuadër e tërë bolshevike hapi zjarr ndaj Carit Nikolas II, gruas dhe pesë fëmijëve të tij, si edhe gjithë shërbëtorëve që i shoqëronin. Me ta, mori fund dinastia 300 vjeçare dhe qyteti ra në duart e Gardianëve të Bardhë.

Në vitin 1977, Yekaterinburgu drejtohej nga një komunist i devotshëm që aso kohe, njihej vetëm nga banorët e tij: Boris Yeltsin. Ai urdhëroi shembjen e kishës famëkeqe, por territorin e saj e la të paprekur. Deri sa në vitin 2003, ajo u rindërtua dhe u shndërrua në kishë-muze në nder të Nikolas II dhe masakrës ndaj familjes së tij nga bolshevikët. Ngelet sot një nga pikat më të vizituara në Yekaterinburg dhe turistët kanë madje mundësinë edhe t’u bien kambanave të posaçme, me një guidë kishtare që shoqëron ata që duan ta provojnë këtë ndjesi.

Vetëm pak metra poshtë saj, gjendet shëtitorja Ulitsa Vainera, ku nuk kalon asnjë makinë, por ku ka kaq shumë blerës dhe dyqane suveniresh në të dy anët e rrugës, saqë e ke të vështirë të besosh se mund të dalësh ndonjëherë prej saj. Veçanërisht në ditët e festave.

Dhe ashtu siç edhe gjeografikisht gjendet mes Europës dhe Azisë, edhe në ditë të tilla të ngarkuara me lëvizje, e sheh qartë identitetin Euroaziatik të Yekaterinburgut, në njerëz, veshje, gatime, dekore e në çdo gjë që të rrok syri.

Me vetëm 1.1% papunësi dhe me rroga mesatare brenda qytetit që i kalojnë një mijë dollarët në muaj, duket natyrale që pritshmëritë për Yekaterinburgun janë shumë të larta dhe investimet në të, po ashtu.

Udhëtimi me barkë është rreth 45 minuta, e prej aty sheh, si në çdo qytet tjetër, pjesët më historike të tij. Kurse pamjen mbresëlënëse të gjithë qytetit dhe shtrirjes së tij e sheh nga kati i 52-të, metri i 88-të i qendrës së biznesit Vysotsky, ku hyrja jo, nuk është falas.

Nga kjo lartësi vendos në hartë pikat që do të vizitosh në qytet: Liqenin e vogël, kopshtin zoologjik, atë botanik, qytezën universitare dhe ndërtesën e Universitetit Teknik të Uraleve, që përveçse ka një artiketurë krejt të veçantë, njihet më së miri këtu dhe në botë si universiteti i liderit të reformave, Boris Yeltsin. Ky është i diplomuari që e bën universiteti krenar për famën, por auditorët e tij duken të jenë edhe sot magnet për të gjithë studentët e Rusisë qendrore, që zgjedhin degët teknike për më tej në jetë.

E tek ndërtesa frikshëm e lartë nga ku mora gjithë frymëzimin për ta përmbledhur eksperiencën time në Yekaterinburg, të shërbejnë edhe një ndër darkat më të këndshme në qytet. E që prej aty, sheh qindra restorantet dhe baret e tjerë që shërbejnë thjesht, këndshëm e në mënyrë miqësore, po po, miqësore, ushqim të shijshëm të të gjitha llojeve të kuzhinave në botë.

Dhe një tjetër zakon i vendasve, meqë jemi tek kuzhina dhe vendet publike, është shërbimi i gardërobës. Në çdo vend, sado i madh apo i vogël qoftë, është përherë dikush që të pret pas dyerve dyshe, që të ndihmon të lesh aty brenda pallton apo gëzofin e madh dimëror, shallin dhe dorezat, e të ulesh rehat në mjediset e ngrohta nga gazi me tepricë, që i bëjnë karshillëk temperaturave jashtë, që në dimër, arrijnë deri në – 40, dhe mund të të rastisë që përveç frymës mbi hundë, të të ngrijë edhe vetë vështrimi.

E po nga aty shoh SeaZone apo gjej vendndodhjen e Paparazzi (sipas emrit po, kuzhinën e ka italiane dhe shumë cilësore e mjaft të frekuentuar, e me emër të dhënë nga Fyodor Bondarchuk që edhe vetë është aktor kinemaje dhe regjisor në Rusi). Pak më tej bar Churchill, me krenarinë e tij të të pasurit një të ashtuquajtur “akademi whiskey”, por në  fakt të gjithë këta janë vetë ekspertë e kaluar ekspertësh për një pije të vetme: vodkën e bekuar që s’i lë ta ndjejnë të ftohtin e acartë.

Edhe në mjedisin tonë të ndenjjes rri gjithë krenari një grup shishesh me emra të ndryshëm vodkash, po viti u mbush, e vendimi për ta provuar secilën shishe vijon të shtyhet për nesër. Se kemi lindur në Ballkan, jo në Rusi.

Në rrugën Malisheva pres autobusin e radhës. Vjen numri 25. Është pak më i ri së te tjerët dhe po aq i nxehtë brenda sa të gjithë. Me zbulimin e gazit, rrezik të shpikin edhe veshje me avull këta, aq shumë e përdorin atë. Ngrohtë në mënyrë paradoksale krahasuar me temperaturën jashtë, dhe ngrohja është vërtet në mënyrë qesharake e lirë. Ama po kaq paradoksale më duket edhe sistemi manual rregullimit në transportin publik apo tramvajet e dala boje, të lavdishëm dikur, por të pavend sot.

Parqet të mbajnë larg tani në dimër, teksa edhe pishave u kanë rënë halat. Hera e parë që shoh halorë të zhveshur. E kjo tregon se kush e ka bërë ligjin me vite e me shekuj në këtë vend: natyra. Që është reflektuar tek mënyra si vendasit e kanë rregulluar jetën, por nuk mund të thuash se i ka bërë apo mbajtur ata të ftohtë.

Rusët që ndesha në hollin e hotelit, në autobus, në park, në zyra, në restorante, në opera, gjithandej, bëhen të buzëqeshur e miqësorë që në fjalinë  e dytë. Flasin dhe mundohen të ushtrojnë Anglishten që akoma është “punë në ndërtim” për ta. Madje kur po mbaja një radhë dje, më fliste pa pushim dikush e  më në fund thashë “Sorry, I don’t speak Russian”. Më thanë me të qeshur: “Ah, speak amerikanski”? Unë: “Jo, jo. Ingliski”.

Në Yekaterinburg ka shumë vizitorë kinezë, japonezë, biznesmenë italianë, sipërmarrës nga ish republikat sovjetike. Ka edhe një shqiptar që punoi këtu një vit të tërë. E ka edhe një shqiptare që erdhi të kalojë e të përjetojë shpesh dhe gjatë një eksperiencë jo si të tjerat.

Yekaterinburgu i përket të ardhmes së afërt. E deri atëherë, do them me shumë dashuri: E njoh këtë qytet te magjishëm. Dhe më njeh, gjithashtu.

 


[1] http://www.youtube.com/ëatch?v=YëDtAlMzZf4

 

 

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Pushteti: shumë miza, pak mjaltë. Arsimi nuk pret.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

November 2013
M T W T F S S
« Oct   Dec »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930  

%d bloggers like this: