Arsimi nuk pret.

08/11/2013 at 14:27 Leave a comment

“Kur kërkesa dhe oferta nuk funksionojnë më në mënyrë efektive, atëherë qeveria duhet patjetër të bëjë një hap përpara. Të vendosur!“ Teksa lexoja këtë përfundim thirrës, apelues sikur ta thoshte në veshin tim e jo në libër ekonomisti me famë botërore i Harvardit, Jeffrey Sachs, nuk mund të mos i bëja lidhjen edhe me një sistem të cilit ai i referohet shumë më fort se të tjerët në botimin e tij “Çmimi i qytetërimit”: Arsimi. Po. Ngado që e rrotullon teorinë e tij mbështetëse për një kombinim të tregut të lirë me rol të përforcuar të qeverisë, Sachs, ashtu sikundër shumë studiues të tjerë, e vënë gishtin mbi arsimin si një nga sektorët ku duhet investuar më shumë, cilido që të jetë sistemi qeverisës, e sado të ashpra të jenë politikat investuese në çdo vend.

Madje, edhe për vendet që qeverisen nga konservatorë tipikë, investimet mbi arsimin duhet patjetër të shihen si përfituese në mos për gjeneratën aktuale të të pasurve që s’duan as të paguajnë taksa, as të kenë të bëjnë me shtresa të tjera veç të tyres, minimumi do të jenë në shërbim të pasardhësve të tyre. Se jeta e shtresës së lartë nuk mund të jetë kurrë komode nëse shërbimet që ajo kërkon për t’u mbajtur në këmbë, nuk ofrohen nga njerëz që janë të mirë-arsimuar, të edukuar e me ambicie mjaftueshëm sa për të luajtur rolin që jeta u ka caktuar.

Kjo është mendësi e ashpër libertariane (jo liberale, të mos ngatërrohemi). Pra e ekstremit të djathtë, që parashikon minimizimin e rolit të qeverisë në kurriz të ushtrimit të pushtetit dhe kontrollit të funksionimit të ekonomisë nga korporatat. Po, ka edhe mendësi të tilla, që mbështetën nga të pasurit e majmë, që në mungesë të ndonjë aktiviteti real në jetë, merren me teori të tilla ekstreme (Sachs sjell rastin e mbështetjes së saj nga Koch’s Brothers, më i ashpri shembull që kërkon çuarjen e iniciative të Reganit apo Thatcherit shumë hapa më tutje drejt privatizimit të gjithçkaje, përfshirë shërbimin policor apo edhe atë ushtarak).

Nën një këndvështrim të majtë, ideja e Sachs për të vënë fokusin e investimeve publike në arsim, do të shihej si një shpërndarje e drejtë e shanseve të gjithkujt për të qenë pjesë e sistemit arsimor dhe për të përfituar prej tij mundësinë për një jetë potencialisht më të mirë, dhe pothuajse me një punë të sigurtë. Por, Sachs është një ekonomist me prirje të qarta nga e majta.

Madje, është shtytës i shumë insiativave që pothuajse e glorifikojnë idenë që si Amerika, ashtu edhe e gjithë bota, duhet të drejtohen nga principet e barazisë. E thënë ndryshe, nga qeveri të majta. Të jetojmë të gjithë në sistem ku qeveria ka zërin më të fortë në përcaktimin  e rregullave të tregut, vjeljes së taksave dhe mënyrës së shpërndarjes apo përdorimit të tyre.  Edhe në arsim. Madje, mbi të gjitha, në arsim.

Nën këtë këndvështrim të fortë, me gjithë pikat ku jo domosdoshmërisht çdo gjë e sugjeruar prej tij aprovohet, është me vend të shihet me shumë kujdes trajtimi që Sachs dhe gjithë studiuesit e sotëm në botën akademike e atë ekonomike i bëjnë arsimit. Nevojës për ta pasur atë në avangardë të politikave qeveritare.

Pse e sjell këtu? E sjell duke marrë shkas nga “liberalizimi i tregut” arsimor që ndodhi nën qeverinë e djathtë në Shqipëri dhe nevoja që i lind tashmë të majtës të mbajë qëndrim mdi një gabim të rëndë të bërë jo nga ajo, por që është prezent në këtë sistem jetik. Si?

Për ta lidhur analizën serish me fjalinë e kreut: “Kur kërkesa dhe oferta nuk funksionojnë më në mënyrë efektive, atëherë qeveria duhet patjetër të bëjë një hap përpara. Të plotë!“

Shqipëria prodhon sot shumë më tepër të diplomuar e të masterizuar nga ç’kërkon tregu. Balanca ofertë – kërkesë anon kaq shumë nga e para, sa ky mekanizëm e ka humbur totalisht funksionin dhe rëndësinë në vend. Me 150 mijë studentë në arsimin publik dhe atë privat, me pothuajse 50  mijë të diplomuar në vit në nivele të ndryshme, e me po kaq që futen në arsimin e lartë çdo vit, është e pamundur të besosh se gjendja do zgjasë edhe më tej kështu. 50 mijë të diplomuar në vit.

Po sa vende pune hapen për ta në Shqipëri? Në terma studimorë, kjo quhet “bombë sociale”, fitili i së cilës është ndezur diku në vitin 2010, me shpartallimin e dyerve të dijes në emër të liberalizimit të tregut, e që do të shpërthejë diku në 2015-ën, kur “konsumatorët” e këtij tregu arsimor t’i kenë paguar paratë për të gjitha nivelet, pak rëndësi se në shkëmbim të sa kilogramëve dije, dhe janë të gatshëm “t’i vënë flakën sistemit, nëse nuk rregullohen në një vend pune në profesionin që kanë, se kanë mbaruar edhe master e doktoraturë për juridik a marrëdhënie ndërkombëtare”.

Votat për një kah politik fillojnë të pakësohen kur pakënaqësitë ndaj saj rriten. E kjo ndodh së pari, menjëherë, pa pritur hiç për asnjë kapital publik, kur individëve nuk iu plotësohen kërkesat dhe pritshmëritë për punë. Ndaj, qeveria e sotme në vend ka pas dere një shpurë jashtëzakonisht të gjatë “të arsimuarish” në sistemin liberal, që presin pothuajse me arrogancë të sistemohen në një vend pune. (Dhe kjo është shpurë shtesë, që shkon përtej asaj besnikes politike që pret natyrshëm të sistemohet në punë e para).

Kjo ushtri të arsimuarish nën frymën e liberalizimit të arsimit (me pretekstin “të gjithë duhen edukuar), e gjen veten edhe nën kategorinë e atyre që qeveria e sotme i quan “bartës të meritokracisë”. Se mekanizëm për ta matur atë (meritokracinë), nuk ka. Mënyra e punësimit vijon të jetë e njëjta: dosje dokumentesh (të paidentifikuara) dhe intervistë nga panele që mund të jenë po aq subjektive sa të gjitha zgjedhjet e tjera në vend.

Akoma më keq, edhe sistemi arsimor vijon të jetë i njëjti. Është ende shumë herët për të bërë analizën e punës së qeverisë për kaq pak kohë të shkurtër që ajo ushtron funksionet e saj, por ama prirjet duken që në fillim.

Të gjitha shenjat tregojnë që qeveria e sotme, e tëra e majtë, duhet të shihte me kujdes daljen jashtë shinave të liberalizimit të tregut arsimor dhe të kishte marrë masa të menjëhershme që në krye të herës, edhe për të dhënë mesazhe politike, por edhe për të dhënë shenja jete në një sistem që po asfiksohet nga masivizimi dhe abuzimet.

Asgjë nuk është bërë akoma. Përkundrazi, qeverinë e shohim në podiume ku privatja sfidon publiken fare paturpësisht, teksa i merr edhe kontingjentin, edhe paranë, edhe të drejtën për të kërkuar nesër me zë të lartë vend nderi pikërisht në postet publike.

Balancat në kërkesë-ofertën në arsim janë prishur. Nevoja për reforma është e madhe. Rreziku që të na bjerë bumerangu i liberalizimit të arsimit në supe është pas dere. Rishikimi i politikave do të ndëshkonte shumë njerëz e shumë dyer. Por, në emër të cilësisë dhe në emër të një të nesërmeje të përbashkët më të drejtë, e majta duhet të reagojë. Në mos ajo, kush? Në 2021-in do të jetë tepër vonë.

Entry filed under: Analize, Arsim. Tags: .

Me shumë dashuri nga Yekaterinburg Protesta e kryqëzuar

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
November 2013
M T W T F S S
« Oct   Dec »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930  

%d bloggers like this: