Protesta e kryqëzuar

17/11/2013 at 18:29 Leave a comment

Kush fitoi? Njëlloj si të pyesësh “Pse zbardhi dita?”Pyetje pa sens. Vala e madhe e protestës që përfshiu Shqipërinë këtë javë, për fatin tuaj të keq, nuk kishte protagonist asnjë nga të zakonshmit. Opozita u përzu për 90 sekonda. Kryetari i parlamentit u përzu për 120 sekonda (po medias nuk i pëlqeu ta japë këtë pamje).  Shoqëria civile shihte si e shushatur c’ndodhte para saj dhe nuk e linte asnjë protestues të fliste në emër të saj, përvec në rastet kur të eturit për mikrofon apo fonde rrëmbenin kamerat që dinin se do i ndiqnin si manare.

Protesta u bë në shesh. Dhe ju që e komentoni faqeve të facebook-ut apo që flisni gjithë kompetenca këmbë mbi këmbë nga studiot moderne me prozhektorë mbi makiazhet e rënduara të televizioneve, as që e keni idenë për cfarë flisni, sepse nuk ishit atje, në shesh. Ndryshe, do kishte më shumë kuptim ajo që thoni. Se nuk ka as dy mëngjese të njëjta, e jo më dy protesta. E mos u trembni. Nuk donte njeri të rrëzonte as qeverinë. Të thyente hundët tuaja fodulle po, dëshirë të madhe kishte në ajër. Por atmosfera mund vetëm të ndjehej në vendngjarje, atje. Jo nga ekrani.

Ta shohësh përmes kameras e internetit,e  ta analizosh si kodra pas bregut, është e kollajtë shumë. Po, pati njerëz dhe grupime që u munduan të përfitojnë. Po, pati edhe politikanë që u munduan ta instrumentalizojnë. Po, patjetër pamë që pati edhe përpjekje për ta shitur si antiamerikane apo histerike këtë protestë.

Por, miq të dashur, jeni shumë gabim. Ajo që ndodhi në Tiranë në 15 Nëntor ishte shpërthimi i një frike të akumuluar shumë shpejt, të manaxhuar shumë keq nga ata që nuk ditën të japin informacion, e të përhapur me një frymë që s’kishte më fre nga një gjigand i ri në përdorimin e  të cilit, shumica e medias dhe e politikës është akoma pas: facebook-u. Ja që rinia nuk bëka vetëm chat apo foto në të. E ja që pushtetin nuk e paska në dorë as qeveria, as media e përdalë. E ja që me veprimet qeveritare e me emisionet shabllone mediatike nuk i adresoheni njerëzve inekzistentë.

Pushtetin mbi ju e paskan këta 15-20 vjecarë që atë ditë në shesh shtynin me lezet e largonin nga turma të gjithë ata politikanë që u munduan të afrohen për të përfituar nga kauza. Edhe disa kolegë të medias pashë që i shtynë e i pështynë. Personalisht do isha menduar 100 herë nëse atë natë do kisha surrat të dilja sërish në ekran.

Protesta pati shumë anë, e të gjithë mendojnë se kanë të drejtë në mënyrën si e trajtojnë. Nuk do flas në këtë shkrim për qëndrimin ndaj lëndëve kimike. Vendimi u mor dhe tani kryeministri ka për detyrë të tregojë se di t’i përballë situatat dhe pasojat delikate historike si kjo.

Ajo që dua të ndaj me ju është ndjesia rreth protestës dhe intrepretimet qesharake rreth saj.

Miq të majtë: në shesh, shumica e protestuesve ishin votues të Edi Ramës. E ndjeva në cdo orë të saj, në të katërta ditët që shkova. Ishin dhe dukeshin që ishin të majtë, sepse nuk lejonin në asnjë sekondë që protesta të merrtë ndonjë ngjyrim politik. Edhe në natën duke u gdhirë e premtja, ku përpara kryeministrisë ngeli vetëm një grusht njerëzish, edhe të nesërmen në orën 17.10 kur filloi të fliste kryeministri, ata dilnin mbi gjithë të tjerët kur thonin “Shshshshsh” apo “Jo politikë”, sapo dikush guxonte të devijonte nga arsyeja që i kishte sjellë ata në shesh: frika se mos merrej ndonjë vendim që cënon jetët e tyre.

Miq të djathtë: protesta nuk ishte asnjë sekondë e opozitës. (nëse e dimë se c’është opozita). Njerëzit në shesh nuk kërkonin rrëzimin qeverisë. Aq më tepër, nuk i shkonte njeriu ndër mend t’i hapte rrugën cmendurisë së rikthimit në pushtet të një njeriu që perëndoi në 23 Qershor. As të një të riu që nuk e ka kuptuar akoma kush është vetë dhe cila është gjendja e tij natyrale: i ngurtë, i lëngët apo i gaztë.

Miq cinikë: Protesta nuk ishte antiamerikane. Po, mund të kishte brenda saj njerëz që njihen si të tillë apo nxitës të veprimeve që bien ndesh me perceptimin pozitiv të marrdhënieve me shtetin e madh. Por turma, kishte vetëm frikë për vete,  e jo dëshirë t’i kundërvihej Amerikës. Dhe për frikën, nuk e ka fajin populli.

Miq të shoqërisë civile: protesta nuk ishte as e juaja. Njëlloj sic shtynë politikanët, protestuesit përzinin shpesh edhe juve, kur kërkonin të bënit show në emër të tyre me mikrofonat drejtuar sikur të ishit organizatorët dhe shpëtimtarët e një gjendje prej së cilës, thjesht u munduat të përfitonit.

Miq të medias, që nuk ishit në protestë, e që villni vrer kundër saj: mos u mërzisni. Do ketë raste të tjera për të mos u humbur. Klima duket shumë pjellore dhe energjia mjaftueshëm gjithëpërfshirëse, mjafton që fitili të ndizet dhe rinia të dalë jashtë parashikimeve tona. E di. Dhemb profesionalisht, sepse nuk të lë dot të parashikosh. Këta të rinj që nuk duan Berishën, as Bashën, po as Metën, as ambientalistët, asnjë surrat mediatik e asnjë politik, qenkan hataja vetë. Se as për rrëzimin e qeverisë, nuk të linin grimcë hapësire të mendoje. Ata ishin fort mirë në gjendje të ndanin shapin nga sheqeri, Pjesa jashtë tyre, jo. Duket qartë që jo. Ndryshe, qëndrimet që mbani, do kishin brenda logjikë.

Miq të medias që ishin në protetsë, dhe e raportuat atë sic ua deshi shpirti shefave tuaj në redaksi: gjynah. Pjesë e vështirë të të përdorin si kavie. Akoma më e rëndë kur nuk e kupton këtë dhe fillon të besosh me kokën e politikës redaksionale, e jo me tënden.

Miq që nuk ju njoh:Më keni befasuar. Pozitivisht. Dhe mrekullisht.

Unë do doja patjetër që arsyeja që vala mori para c’gjeti të ishte e bazuar në fakte dhe ta kishte emrin jo vetëm “lëndë kimike”, por edhe korrupsion, varfëri, papastërti, padrejtësi, krim, pedofili, vrasje apo pasiguri. Asnjëra nga këto nuk na ka mbledhur dot bashkë dhe ndaj të gjithë ata që e quajnë “histeri” protestën mendojnë se kanë të drejtë.

Por, ja që në 22 Nëntor është një shans tjetër. Të 100 mijë sic ishin në të gjithë Shqipërinë, prapë pa nevojën për të pasur në rreth as politikanë, as media, as shoqëri të blerë civile, por kështu, me facebook, foto e thirrje që dinë të depërtojnë tek ju shumë më mirë se gjithë të mësipërmet, të jemi sërish në sheshe e në cepa, këtë radhë, për të pastruar Shqipërinë.

Po, sërish do ketë kritizierë. Këtë radhë turma do quhet komuniste, se vetëm ata pastrojnë. Ani. Edhe skllevër idealizmi le t’ia vënë emrin, vetëm ama, Shqipërinë, ta pastrojmë. Se u pa puna: politika kërkon të shfrytëzojë; media të komentojë këmbë mbi këmbë, e të gjithë kërkojnë me ngulm t’i dëgjojmë teksa na shesin mend për të cilat jo, nuk kemi nevojë.

Pastrimi i Shqipërisë në një ditë është thirrje e përsëritur. Nuk e di kush e organizon. Por nuk dua ta di, se nuk është ky synimi. Synimi është ta pastrojmë,  të mbjellim kulturën e të mbajturit pastërti e të jetojmë pastër. Në shumë kuptime. Atë që u kërkua në shesh, ta sigurojmë ndryshe jashtë mjedisit ku flemë. Jetojmë dhe toksikohemi bashkë prej mbeturinave. Të gjithë.

Ndaj, të shohim ku shkon vala e madhe e 15 Nentorit. C’ishte ajo?

Ishte një grupim rastësor njerëzish, me shumë ngjyra partiake që askush s’i mori vesh, por mbi të gjitha, shumë të displinuar, aq sa jo thjesht nuk shkelnin lulet, por edhe natën, sapo përfundinin qesen me patatina në dy pas mesnate, coheshin nga batanija dhe e linin mbështjellësen tek togu i improvizuar diku larg rrethit. Po, po. Madje, as të sjellshëm sa pyesnin edhe policët “U lodhët? Ju as nuk uleni dot ndonjë sekondë kështu si ne”.

Dhe asnjëri nuk i hapi punë as femrave me uniformë, e nuk e kapërceu kush trotuarin që ato ruanin bashkë me kolegët e tyre. Protestues që nuk shanin, që nuk ngrinin gishta lart, që nuk toleruan asnjë keqpërdorim, e që janë qartësisht të acaruar me klasën politike në vend. Por edhe me median gjithashtu. Kush të dojë, le të lexojë.

Unë ngelem e befasuar. Për ju që mendoni se gjykoni më hollë, na falni se për pak ju lamë pa fejuar pas flirteve të radhës me idetë abstrakte që keni krijuar në kokë rreth pushtetit e gjithckaje që vërtitet rreth tij.

Protesta s’ishte kundër qeverisë. As kundër Amerikës. As e Sali Berishës (larg qoftë). As e shoqërisë civile. Ishte e njerëzve të frikësuar. Nëse këtë e quani histeri, përgjegjësit të mësojnë të menaxhojnë situata dhe të sillen me dinjitet me këta njerëz që votuan për kryeministrin që u foli të premten pasdite.

Po të kishte folur një javë më parë, mbase asgjë s’do kishte ndodhur. Por ndodhi. Dhe në 22 Nëntor duhet të ndodhë sërish. Dalja nga shtëpia flas. Këtë radhë, për një Shqipëri më të pastër. Bash ashtu sic kërkuam me ngulm të jetë. Për hir të Shqipërisë.

Kush s’është dakord, le të flerë mbi dafinat që kutërbojnë dashakeqësi.

Entry filed under: Analize, Shqiptarizëm. Tags: .

Arsimi nuk pret. Na flet Kosova. Po japin lajmin

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
November 2013
M T W T F S S
« Oct   Dec »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930  

%d bloggers like this: