Na flet Kosova. Po japin lajmin

03/12/2013 at 21:40 Leave a comment

Po flet Kosova. Po na japin lajmin.

Po, po. Fiks si një edicion lajmesh i programuar, në kohë, i saktë, i shkurtër, i plotë e pa asnjë emocion të tepërt, Kosova na tergoi se si u bëkan zgjedhjet edhe në erën e re. Kutitë e votimit u mbyllën në orën 20.00, e akoma pa ardhur mesnata, rrjetet sociale filluan të vërshojnë nga urimet dhe ndjesitë për fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë. Kryeqyteti do të ketë një drejtues të ri në të gjitha kuptimet. Skeptikët e kishin akoma njërën vetull të ngritur përpjetë. LDK-së po i rrëshkiste toka nën këmbë, e prapë, pas rrjeteve sociale, shumë pak pas mesnatës, edhe media kosovare vetë filloi të raportojë zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve të balotazhit: së pari për Prishtinën, e brenda pak orësh, për të gjithë Kosovën.

Si e kush fitoi është një anë e medaljes, dhe me shpirt urojmë që e fituara në secilin rast, të dalë Kosova. Po mënyra si u bënë zgjedhjet, si u organizuar fushata, si u zhvilluan votimet, e mbi të gjitha, si u bënë numërimet e koha rekord brenda së cilës dolën rezultatet, ishte një befasi e madhe për shqiptarët këndej kufirit. Po c’befasi?! Ishte shuplakë. Nga ato të athëtat. Të papriturat. Nga ato që të lëshojnë sytë xixa, sepse ta jep dikush që e ke përballë dhe nuk i kushton pikë rëndësie fuqisë së prezencës së tij.

Kosova votoi, numëroi, shpalli rezultatet dhe i pranoi ato brenda 24 orësh. “Po c’bëni kështu bre vëllezër? Se na prishët imazhin. C’janë këto standarte? Mos na hapni punë” – iu shkruaja menjëherë pas shpalljes së rezultateve miqve të mi në Kosovë. Isha e surprizuar. E papërgatitur. E nuk më vjen vetëm mirë për sjelljen e tyre me zgjedhjet dhe me rezultatin, por ndjej edhe zili, edhe inat, edhe shpresë, edhe nerv, edhe paqe njëkohësisht: D.m.th. shqiptarët ditkan të numërojnë shpejt e të njohin fitoren e tjetrit e humbjen e tyre? Në Kosovë, po. Atje. Po gjakun tonë të nxehtë kanë. Dëshirën tonë të shfrenuar për të qenë përjetë në pushtet e zaptues të gjithckaje, kontrollues të rreptë e arrogantë në shpërfilljen e votuesve. Ama na dhanë një leksion. Jo se kjo është hera e parë. E mos qoftë as e fundit. Se në shumë fusha ngelën duke na treguar rrugën, edhe pse kushtet i kanë pasur katërcipërisht më të disfavorshmet se shteti ynë i helmatisur 101 vjecar.

Kosova foli ndryshe. Foli shpejt. Foli hapur dhe në mënyrë aq të vendosur, sa s’të linte vend për palaçollëqe cirku politik.

Shqiptarë atje, shqiptarë këtu: përse neve na duhen tre muaj për të numëruar 80 vota apo dy vjet të tërë për t’u futur në parlament si humbës? Pse themi “Na i vodhën votat” e nuk themi  “I humbëm ato. Nuk e morëm dot besimin qytetar”? Pse gjithmonë faji është tek të tjerët e jo tek vetë politika humbëse?

Unë ngelem e mahnitur me Kosovën. Edhe me shuplakën që na dha. Duket sikur i vjen turp asaj që Shqipëria tek e cila ka një jetë që mban sytë, po e turpëron vit pas viti me amatorizma në cdo fushë, por me profesionalizëm në korrupsion, krim të organizuar e abuzim me cdo hallkë të shërbimit publik. Po, po. Kështu duket. Dhe duhet të ndjehet me të drejtë e turpëruar Kosova nga mëma Shqipëri, që në përformancën qevritare shënon paciptësisht nota negative pa asnjë ndryshim që prej vitit 1991.

Palët ia lënë vendin njëra-tjetrës në karriget drejtuese e stili i kasaphanës ngelet përherë i njëjtë: fshesë njërit kah, gjel majë plehut kahu tjetër. O burra të marrim c’të mundemi sa të jemi në pushtet, e të konsumojmë kafe sa të jemi gjallë, se kush e di, mbaron kafja në botë sa të kryejmë ne mandatin qeverisës.

Mbase një ditë do të mësojmë edhe ne të punojmë fort, të bëjmë fushatë njerëzore, e jo imagjinare me shpenzime marramendëse e premtime që edhe fëmijët i bëjnë të qeshin nga ironia. Mbase do mësojmë edhe të votojmë pa asnjë emocion, por me arsye,e do dimë edhe të numërojmë shpejt, të shpallim rezultatin për pak orë, të dëgjojmë të zgjedhurit që e pranojnë atë dhe jeta të vazhdojë me një mijë e një andrallat e vërteta të saj.

Mbase. Por kjo ngelet në kuadrin e shpresës, dhe shpresa  në renditje është hapi para dështimit. A po dështojmë ne të mësojmë si votohet e si duhet të sillemi me votën e përkthyer në pushtet? Po kështu duket akoma, përderisa e vetmja bori që dëgjojmë është ajo e një milionë shpresave për rilindje apo ndryshe, e një milionë shuplakave për autokracinë PD-iste. E vërteta është që kjo shuplaka e vetme që erdhi nga Kosova, është e hidhur shumë, e as që krahasohet me këto shuplakat që zëvendësojnë autokratët tek ne. Se në Kosovë nuk u votuan ndërrimi i kahut të fushës si në volejboll, ku dihet që në cdo set, skuadrat do këmbejnë kahët. Jo. Kosova tha: “S’më pëlqen më volejbolli. As loja luftash. Le të luajmë mendësish”. Po. Natyrë e re. Frymë e re. Forca politike që rrëzohen nga piedestali. Mite që iu zbehet kulti. Jetojmë në epokën e shpejtësisë dhe transmetimit të pandalshëm të informacionit, ideve, mendësisë së re që të zë përpara si ortek. As i shmangesh, as i shpëton dot. Ta pranosh ortekun e të bëhesh pjesë e tij, që të pastrohet territori, se s’e mban dot të gjithë ngarkesën mbi shpinë.

Pak naive të pretendosh të tilla zhvillime në Shqipëri, sepse njohja e rezultatit nënkupton heqje dorë nga privilegjet, përfitimet, bizneset, lidhjet e koklavituar të interesave, ndonjëherë edhe jetike. Por të gjitha ngelen personale, pre e individëve që duke folur në emër të shumicës (që flet vetë, me votë), pretendon se gjithcka është e manipuluar nëse nuk është në favor të saj. Dhe në Shqipëri kemi provuar se jemi të bekuar jo me dy, por me 302 kahe të tilla, e që të gjitha pretendojnë se vota iu manipulohet e se askush më shumë se ta nuk e meriton ta drejtojë Shqipërinë në nivel qëndror e lokal, ndaj, meqënse nuk fitojnë vetë, nuk e lenë fitoren si koncept të bjerë rehat as në bahcen e asnjërit prej kundërshtarëve. Se e dinë sa shumë do përfitojnë prej abuzimeve me të, prandaj.

Kurse Kosova tha: “S’më pëlqen kjo lojë. Eshtë shumë e prapambetur dhe shpërndan shumë pak kënaqësi në po kaq pak duar. Ndaj, të zgjerojmë rrethin”.

E kështu, erës së re i shtohet edhe një kauzë e fortë dhe Kosova lëshon valët: ”Shqiptarë. Ju flet Prishtina. Po japim lajmet. Votimet bëhen edhe kështu. Rruga përpara është kjo. Kush dëshiron të na bashkohet, mirë se të vini. Nëse jo, pushime të mbara në kohën e shkuar”.

Mua më pëlqen shumë ajo që ndodhi në Kosovë. Edhe shuplaka djeg akoma e faqja prush. Po shpresë ka edhe për ne, edhe pse akoma jemi një hap larg dështimit, ngaqë guximi i revoltës kosovare me politikën na mungon. Po përtej tuneli të Thirrës, paska dritë vërtet.

Bravo, Kosovë! Dhe Faleminderit!

Entry filed under: Koment, Politikë. Tags: .

Protesta e kryqëzuar S’ka status. Dukuni prapë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
December 2013
M T W T F S S
« Nov   Feb »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: