Punësim po, por a jemi gati?

12/02/2014 at 19:30 1 comment

300 mijë vende pune, apo 300 mijë mundësi për të punuar? Janë më shumë sesa 300 mijë. Për t’i bërë realitet duhen disa aftësi, pak vullnet dhe përgatitje profesionale e madje edhe psikologjike, që punën e zgjedh ti, por ndodh që edhe të jetë ajo që të zgjedh ty.

Në Shqipëri këto lidhje mes vendit të punës dhe pretenduesve për të nuk janë fort të dashura. Kartonizimi i diplomave në masë në 8-9 vitet e fundit i prishi balancat e ofertës së tregut të punës me kërkesat që kanë të kartonizuarit, pavarësisht se ajo që zotërojnë janë letrat, e jo dijet apo aftësitë.

Në krahun tjetër, pretendimet për një vend të mirë pune nuk mund të jenë të përjetshme, sepse punësimi është jo thjesht ndikues bazë në përmbushjen e vetvetes profesionalisht, në stadin social e në vendin që zë në sytë e vetes dhe të të tjerëve, por është shndërruar edhe në një nevojë akute për shumë familjarë, përfshirë të rinjtë.

Shkurt, përveç diplomës, na duhet puna. Edhe atyre pa diplomë iu duhet se s’bën një punë. E nuk mund të ecet më kuturu me fjalime e premtime për të sistemuar në punë nga më të ndryshmet 14% të shqiptarëve të aftë për punë, që janë regjistruar të gjejnë një të tillë.

Apo janë 34% që s’kanë të ardhura bazë? Jo, më duket se po të përfshijmë edhe bujqit, që kanë tokë e prodhim, por jo para, shifra shkon në mbi 60%. Sa është në fakt papunësia në vend? Dhe si do t’i përgjigjet strategjia e re e punësimit kërkesave në rritje për të siguruar të ardhura? Përgjigja, jo vetëm që nuk është shumë e thjeshtë, por edhe interpretimet i ka sa të vështira, aq edhe të larmishme, e shpesh edhe jo-dashamirëse (nisur kryesisht nga interesat politike të interpretuesve).

Shqipëria ka nevojë për shumë vende pune dhe qeveria aktuale ka premtuar 300 mijë për mandatin(et) e saj. Por, siç do ta kërkonte çdo problem tjetër, edhe çështja e papunësisë si fillim kërkon që në nivel politikë-bërjeje, fillimisht të kuptohet problemi, të ofrohen disa alternativa për zgjidhjen e tij e kjo të shoqërohet si me një strategji, ashtu edhe me një plan veprimi që do ta shoqërojë dhe bëjë sa më realist përqasjen e zgjedhur. Dhe asnjë qeveri në botë nuk e merr në dorë drejtimin e vendit si të jetë çelës makine, ta vendosë në kuadër e të ndezë motorin e makinës që prodhon vende pune. Nuk ka sesi, se do ta kishin bërë edhe qeveri të tjera më parë këtë, në Shqipëri e në vende të tjera ku punësimi ngelet si mollë e ndalueme.

Por ajo që po zhvillohet tani në Shqipëri është një përqasje dhe plan veprimi që prej vitesh i ka munguar Shqipërisë: po krijohet mjedisi që të krijohen vende pune të denja, përmes politikave efektive të punësimit; po rishikohen të gjitha mënyrat e ofrimit dhe promovimit të arsimit dhe formimit profesional cilësor për të rinjtë dhe të punëkërkuesit;

po punohet për promovimin e përfshirjes sociale dhe kohezionit territorial dhe po përforcohet prezantimi i mekanizmave që përmirëson si sistemin e kualifikimeve, ashtu edhe qeverisjen në tregun e punës. Këto as nuk janë përpjekje të majta, e as i shërbejnë një qeverie të vetme për 4 apo 8 vjet.

Madje, as nuk janë hapa që filluan të hidhen sot. Përpjekjet për të vënë në vijë objektivat dhe arritjet institucionalisht të besueshme në tregun e punës kanë filluar vite më parë me mbështetjen e shumë projekteve, donatorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë.

Por megjithatë, puna e jashtëzakonshme që po bëhet prej disa muajsh me konsultimin e shumë aktorëve dhe partnerëve në politikat e punësimit, arsimit dhe formimit profesional, e bën strategjinë e re të punësimit një dokument shumë më të qartë dhe të zbatueshëm se më parë.

Dokumenti nxjerr në pah për herë të parë edhe ndarjen me indikatorët dhe standardet e reja të ILO-s për punësimin dhe tregun e punës. Sipas tij, ndarja në të papunë, të punësuar pa të ardhura dhe forcë punë potenciale, sjell një detyrim të ri në vendosjen e prioriteteve për hapjen e vendeve të punës në kategoritë me domosdoshmëri më të lartë për të ardhurat.

Në këtë logjikë, 44% e shqiptarëve nuk gjenerojnë të ardhura dhe gjendja e tyre duhet formalizuar, sikundër duhet bërë edhe me shërbimet dhe me bujqësinë. Shfrytëzimi i kufizuar i punësimit gjithashtu po merr formën e tij të zyrtarizmit dhe është e nevojshme që të gjitha këto hapa të hidhen sa më shpejt, e ndërhyrjet të planifikohen për papunësinë e vërtetë, jo për atë preferencialen (s’punoj në recepsion se kam mbaruar juridik). Mungesa e punësimit në profesionin bazë është problem, por vjen disi më poshtë në listën e prioriteteve për t’u adresuar, krahasuar për shembull me nevojën për të investuar në trajnimin cilësor të atyre që bëjnë punë mekanike apo që na e bëjnë jetën pak më të vështirë sesa duhet në fushën e shërbimeve.

Pra, qeveria ka për detyrë të hartojë të gjitha politikat dhe të nxisë të gjithë mekanizmat e nevojshëm që tregu i punës të jetë sa më përthithës për një fuqi punëtore të mirë-kualifikuar dhe që i shkon sa më shumë për shtat nevojave të tregut. E

dhimbshme është vërtet të pranosh se jo të 300 mijë vendet e premtuara do të jenë për mjekë, juristë e ekonomistë, po aq sa është e dhimbshme edhe të pranojmë se kartonët që janë shpërndarë me shumicë këto vite si tip diplomash e masterash, janë në fakt mallra konsumi që tashmë, iu doli vlera.

Mend shitëm me to. Titujt i kemi. Aftësitë akoma. Tani të shohim ç’mund të bëjmë për t’u përgatitur vërtet për një vend pune që gjithsecili do ishte i gatshëm ta pranojë. Dhe nuk është aspak demagogji. Cilësia dhe standardet nuk janë terma për nivele apo profesione të caktuara.

Edhe shoferi i autobusit duhet të ketë standardet e tij. Njëlloj si punonjësi i policisë, hidrauliku, mirëmbajtësi, mjeku, ekonomisti apo edhe ministri vetë. Cilësi dhe kualifikim për çdo profesion dhe kjo duhet bërë me synimin për t’i bërë të gjitha profesionet tërheqëse në llojin e tyre.

E këto duhen shoqëruar edhe me një numër projektesh e ndihme ndërkombëtare që do të shoqërojë zbatimin e kësaj strategjie që shkrin arsimin me punësimin e që sjell brenda saj shumë më tepër sesa një apo dy ministri: sjell në vëmendjenevojën e gjithkujt për t’u përgatitur realisht për të punuar me standarde dhe mbi të gjitha, fton në këtë sfidë aktorin kryesor të punësimit:biznesin. Po, saktë.  Sektori privat pritet të jetë kontribuues në këtë rrugë të përbashkët drejt punësimit po aq sa edhe të gjithë aktorët e tjerë, me ndryshimin që roli i tij, pritet me të drejtë të jetë shumë herë më aktiv.

Përpara se të fillojmë analizën e sa vende pune duhen hapur deri kur, duhet vërtet të kuptojmë ç’mangësi ka kërkesa, oferta, matja, treguesit dhe përgatitja e gjithsecilit për t’i pranuar këto pika dhe për të gjetur zgjidhje për to. Puna ka filluar ndaj edhe rezultatet nuk kanë si të vonojnë.

Entry filed under: Koment. Tags: .

S’ka status. Dukuni prapë! Në skenë Arsimi Profesional

1 Comment Add your own

  • 1. Blerta  |  18/02/2014 at 13:47

    Eda, shume shkrim i mire dhe real per jeten ne Shqiperi. Aq shume ka te rinje qe ende po vijne nga Shqiperia ne Angli, eshte per tu tronditur se si ne dy popujt Shqiptar Kosova dhe Shqiperia shpresojme se do ti bashkohemi EU kur me shume 70% te rinise sone deshirojne ti leshojne vendet e tyre.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2014
M T W T F S S
« Dec   Sep »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
2425262728  

%d bloggers like this: