Në skenë Arsimi Profesional

01/09/2014 at 10:17 Leave a comment

Minolta DSCArsimi profesional po e gjen veten këto ditë në një fushatë jo si të tjerat: aspak të ngjashme me asgjë të mëparshme. Duke qenë se kauzat janë shumë më të rëndësishme sesa politikat dhe njerëzit që i mundësojnë ato dhe për shkak se arsimi profesional është një fushë për të cilën përkushtimin në 8 vjetët e fundit e kam pasur të veçantë, më vjen të shkruaj në çdo postim e përditë: Bravo! Kauza është shumë e gjetur. Momenti është ai i duhuri. Energjia është ajo që mungonte. Dëshira është e shoqëruar me nisma dhe vendi që po i jepet arsimit profesional, është ai që ky arsim thjesht e meriton. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe e Rinisë, prej së cilës varet tanimë ky arsim, dihet që është shumë hapa përpara të tjerave në PR (Marrëdhënie Publike) dhe në komunikimin me publikun. Por, fotot, videot, thëniet dhe nismat për arsimin profesional, kanë totalisht tjetër kuptim. Nuk janë fasadë dhe nuk do t’ia lejoja dot vetes të bëja kritikë thjesht sepse nuk jam e majtë, rilindëse, votuese e PS-së apo përfituese e qeverisë së saj. Punoj prej shumë vitesh në projekte ndërkombëtare që e kanë mbështetur arsimin profesional dhe me ç’po bën së fundmi MMSR-ja për të, profesionalisht më gëzon pa masë. Dhe si qytetare e këtij vendi të çjerrë në çdo skutë, më lumturon fakti se fushata për AFP-në nuk është thjesht në letër.

Nuk është rastësore, por kryqëzim fatlum momentesh mbyllja e universiteteve private me fushatën e fortë për promovimin e arsimit dhe formimit profesional. Nuk e mbështes kufizimin e edukimit në nivel pas-të-mesëm, por nxis dhe mbështes pa më të voglën mëdyshje orientimin e mendjeve, zgjedhjeve dhe mendësive drejt arsimit profesional. Po si të mos i bashkohemi kauzës?! A nuk paskemi nevojë në të përditshmen tonë për drejtues të mesëm, menaxherë sipërmarrjesh të vogla, profesionistë, teknikë, nëpunës të thjeshtë, punëtorë  shërbimesh, bujq aktivë dhe bujqësi të modernizuar, mjeshtër në zanate, tregti, operatorë impiantesh, e makinerish dhe profesionistë  fillestarë të të gjitha fushave?! Tregun e kemi të mbushur me shërbime të cunguara që vijnë nga nxënës apo studentë të pakualifikuar. Dhe shtrembërimin më të madh në tregun e punës e sjellin të diplomuarit në universitete, që shfaqin edhe shifrën më të lartë të mospërputhjes midis arsimit dhe profesionit që në fakt bëjnë. Ndaj, duke lënë mënjanë politikën dhe duke përqafuar risinë së cilës nuk mund t’i bëhet asnjë germë e hap më mirë sesa kaq, përsëris “bravon” e madhe për mbështetjen dhe vëmendjen që i është dhënë zyrtarisht në këtë hapje të regjistrimeve për në shkollë kësaj pjese të arsimit.

Arsimi profesional është shumë i shtrenjtë dhe në asnjë vend të botës qeveria nuk e ka të mundur ta përballojë koston e tij. Për një student, ky arsim kushton gati katër herë më shumë se i përgjithshmi dhe investimet në pajisje laboratorike dhe për klasat e praktikës, janë kolosale. Por, as nuk është detyrë e qeverisë që t’i mbajë ato hapur me çdo kusht. Shkollat profesionale kanë të tjerë drejtues në timonin e investimeve, cilësisë, certifikimit dhe ekzistencës: bizneset. Nëse hotelet duan staf të mirë, kuzhinierin e duhur, recepsionistë për të qenë, kamerierë që dinë të sillen, banakierë efikasë dhe klientë që rikthehen, atëherë duhet të investojnë nëpër shkollat e shumta të hoteleri-turizmit që ka vendi dhe ta përgatisin vetë aty stafin siç e dëshirojnë.

S’kemi nevojë të shpikim rrotën. E gjithë bota, stafin për shërbimet në hoteleri, bare e restorante, nga shkollat profesionale i merr. O me shkollë të plotë, o me kurs kualifikimi. Rrugë të mesme nuk ka. E njëjta gjë vlen edhe për ndërtuesit, fasonët apo shërbimet auto-mekanike. Punëtorët cilësorë edhe në profesion, edhe në komunikim, vetëm nga këto shkolla mund të dalin. Po erdhën nga universitetet, punën e bëjnë me sheqer të rënë në ujë “se është poshtë nivelit të tyre”, dhe e braktisin në çastin më të parë. Biznesi mbetet kështu në mënyrë të vazhdueshme pa staf të mirë dhe klientët, në mënyre akoma më të vazhdueshme, shërbehen në standardin më të ulët të mundshëm. Po! Shqipëria ka nevojë për profesionistë të mirë. Dhe çdo zanat është fisnik, po qe se bëhet me profesionalizëm. Detyrimi i qeverive në çdo vend të botës në këtë mes, është të lehtësoje kushtet, që biznesi ta shohë qartë përfitimin nga ekzistenca dhe nga investimi në shkollat profesionale, por edhe të luftojë për të ngritur reputacionin e rrënuar të saj. Dhe të gjithëve atyre që përpiqen e që janë përpjekur politikisht e publikisht, në këtë rast, minimumi që iu duhet dhënë është mirënjohja. Se fusha nuk është as e lehtë, as e dashur, as e përkrahur, as e kuptueshme siç mendojmë se është.

Ndaj, pa qenë fare politikisht korrekt, por më shumë përshtypje pozitive për prirjen që ka mbështetja, them: Bravo për arsimin profesional! Shpresoj që regjistrimet në të të rriten, që profesionet të shtohet, që pjesëmarrja e biznesit të jetë investuese dhe përkrahëse për praktikat dhe punësimet; që mbështetja e donatorëve të vazhdojë dhe që kjo pjesë e arsimit të marrë pjesën e mirënjohjes që i takon. Në vendet me sistem “dual” të AFP-së, ky arsim furnizon tregun me të gjithë profesionistët e mesëm, që janë motori i çdo ekonomie sa i përket burimeve njerëzore. Dhe për të ecur në të njëjtin hap me nismën, duartrokas edhe unë të gjithë ata nxënës që zgjedhin zanatin e që me sistemin 2+1+1, do të kenë mundësinë ose të hyjnë në tregun e punës për të ndihmuar familjet me certifikatën e aftësimit bazë që pas dy vitesh ose mund të vazhdojnë më tej me programet tekniko-profesionale të nivelit të tretë. E nëse ndjehen inxhinierë, për shembull dhe jo teknikë, mund të vijojnë edhe në arsimin e lartë.

Brendia e arsimit profesional ka kaluar tashmë nga prodhimi drejt profesioneve të shërbimit: ekonomi, menaxhim, hoteleri, turizëm dhe TIK. Ndaj, nga 300 nxënës që ka mesatarisht çdo shkollë profesionale në vend, do të doja të shihja 600 këtë vit. Pas tre vjetësh, do ta kenë më të lehtë t’i përshtaten tregut të punës në krahasim me ata që kanë kartonin e diplomës së universitetit, por që nuk e kanë aftësinë të bëjnë as ç’shkruhet në diplomë, e as ç’kërkon vërtet tregu. Ndaj, forca AFP! Nuk është në të mirë të rilindjes, por është në të mirë të arsimit, ekonomisë, tregut tonë të punës dhe të të përditshmes sonë më të mirë.

Entry filed under: Arsim. Tags: .

Punësim po, por a jemi gati? Pranë Zotit, larg Papës

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

September 2014
M T W T F S S
« Feb   Dec »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  

%d bloggers like this: