Pranë Zotit, larg Papës

24/09/2014 at 12:24 Leave a comment

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=56403&kat=92

Papa e bekoi Shqipërinë. Vetë apo mes të tretëve. Me përulje apo me frikë, me hijen e rëndë fetare që ia fal të qenit Papë apo me ndjenjën e vullnetarizmit shqiptar “ndaj miqve dhe Zotit”. Me fuqinë që mbart çka vetë Papa përfaqëson apo me lutje e udhëzime nga më sipër. Me borxhe materiale tonat apo me dhurata hyjnore të tijat, na bekoi e na ndryshoi, jo vetëm për një ditë, por për disa të tilla qysh para mbërritjes në Shqipëri, sepse na transformoi qytetin në kohë rekord, e na dukej çdo orë sikur zgjoheshim në një vend të ri. Mrekulli le ta quajmë edhe këtë. Ç’nuk u bë apo u keqbë në 24 vjet, mori pamje befasuese dhe shpresëdhënëse në vetëm pak ditë.

Pra, ardhja e Papës kishte rëndësi shumë të veçantë, e ndaj mrekullitë u bënë të mundshme nga politika jonë, që si kurrë më parë, punë shumë e fjalëhiç, e shndërroi Tiranën në binjaken e saj të ëndërruar.

Dhe Papa erdhi. Për të gjithë ata që kanë qenë në shesh dhe provuan ndjesinë e mrekullueshme që mbartte vizita me paqen e saj të rrallë, është i tepërt çdo rresht i këtushëm e çdo postim në rrjetet  sociale. Për të gjithë nacionalistët që e interpretojnë vizitën si promovim të mirë të Shqipërisë në botë, gjithashtu nuk ka vend për komente. As për ata që besuan e besojnë se toleranca apo harmonia fetare në Shqipëri (me gjithë pikëpyetjet rreth kuptimit të saj), nuk ka vend për asnjë germë të shtuar.

Do të kundërshtonin me forcë, siç do të kundërshtonin dhjetëra gazetarët, fotoreporterët apo fatlumët që  kishin marrë një tip karte identiteti për ditën, që i dallonte ata nga të tjerët për nga mënyra si do e ndiqnin Papën: me antena ndezur e përgatitje fikur, njëlloj si në Ditën e Verës apo në zgjedhjet lokale: hap pas hapi e minutë pas minute, deri sa duhej mbyllur patjetër zëri i televizorëve, sepse ndërhynin gazetarët e mëdhenj, bashkë me të ftuarit e tyre, për komente edhe në mes të meshës së shenjtë. Mesha: momenti kur çdo besimtar katolik ka nevojë për qetësinë sublime e të pashpjegueshme që e lidh atë ose me  thellësinë e qenies së tij vetë, ose me kontrolluesin e unit, që mund të jetë për ta ai, Zoti.

Por jo. Mu në mes të meshës, në kulmin e saj për besimtarët katolikë, kur sheshi në unison i drejtohej qiellit me lutjen para kungimit, gazetarët tanë të mëdhenj pyesnin me ngulm të ftuarin e radhës në studio: “Pse e thonë këtë lutje? Ca po thonë”?

Katolikët kërkojnë në mënyrë simbolike “bukën” që përfaqëson të gjitha të mirat për të cilat i luten Hyjit. Përmes kësaj lutjeje, besimtarët kërkojnë vullnetin e Zotit, të mirat shpirtërore e tokësore dhe lirim nga pritat e djallëzive. Moment sublim në një meshë katolike. E kështu duhet të ishte dhe të dielën. Por për një mijë e një arsye që nuk duhen kryqëzuar, momentet sublime u vunë në hije nga shumë shqiptarizma të tjera që nuk mundën ta bënin pushim ditën e bekuar të së dielës. “Çfarë do të thotë kjo? Çfarë do të thotë? Pse e reciton edhe ti?” – i drejtonte mikrofonin një gazetare besimtarit që kishte përpara, zhytur në lutjen mbase më të veçantë të jetës së tij.

Me gjithë 2500 kilometrat e largësisë nga Tirana, më përfshiu të dielën si çdo shqiptar ndjesia e një paqeje të pazakontë, të një misteri që e kishte rrethuar Shqipërinë e që mbërrinte deri në Veri të Europës. Kishte të bënte me Papën dhe me gjithçka që vizita e tij shkaktoi në terma përgatitorë, vizualë, medietikë, diplomatikë dhe të ligjërimit publik. Dhe e ndiqja në ekranin e kompjuterit, herë në një kanal televiziv, e herë në tjetrin. Duke kërkuar pak qetësi e kuptim në  komentet pa ndërprerje e zhurmuese që shoqëronin deri edhe momentet sublime të meshës.

Lufta me durimin u sos vetëm kur gjeta Radio Vatikanin online dhe dëgjoja audion aty, e pamjet i mbajta pa zë në njërin nga ekranet e shumta shqiptare, që pa pushim jepte ëdo tre sekonda fytyrat e politikanëve dhe të feve të të gjitha llojeve që kishin zënë vendet e para. Dhe nuk e di as ç’dëgjonin, as ç’prisnin të dielën e meshës së madhe.

Në shi, mes turmës, në ndonjë fraksion më të parëndësishëm e të rrallë, vura re një grup motrash katolike, me fytyrën në duar, kokën poshtë e përqendrimin plot besim të thellë, siç dinë ato, drejt Zotit. Në përfundim të meshës i pashë prapë. Urtë, butë, pa zhurmë, pa luftë, por më një dritë të ndezur fort në sy, kërkonin të afroheshin te zona e rrethuar. Aty ishin të paprekshmit, politikanët, gratë, miqtë dhe beniaminët e tyre medietikë. Por aty ishte edhe Papa. E për ta, ky ishte mbase momenti më me kuptim në jetë.

Prisnin radhën për ndonjë përshëndetje. Bënin përpara gjithë drojë për të depërtuar jo për foto, por për të takuar Atin e Shenjtë e për të thënë mes tyre lutjet e fjalët që vetëm ata i dinë. Nuk kishte radhë. Zona “mos më prek” ishte mbushur me gratë, burrat, miqtë, shërbyesit dhe klientët e politikës. Për shërbyesit e Zotit, nuk kishte vend as pranë Papës, përfaqësuesit të tij.

Jeta e këtyre motrave dhe e besimtarëve të tjerë  katolikë, është ku e ku më e thjeshtë sesa ajo e parisë që zinte të dielën katrorët e rezervuar “mos më prek” afër Papës. Por këto gra të mira, të paqta, të palodhura, e pafundësisht të përkushtuara, janë më afër Zotit se mbase edhe Papa vetë. Atëherë përse ky mur katror ngritur mes tyre dhe njeriut me të bardha që ato donin të takonin, e në momentin më domethënës së ekzistencës së tyre, t’i ishin pranë? Buzëqeshja e njërës prej tyre më mbeti më gjatë në mendje. Ajo punon kush e di se ku në Shqipëri. Vjen disa herë në vit në meshat e Tiranës. Është mbuluar e tëra me dëshirën dhe vullnetin për t’i shërbyer Zotit. Me bindje. Dhe të dielën ashtu ndenji kur radhë për të nuk kishte në parinë politike, VIP-nore apo edhe fetare të Tiranës.

Qysh prej të dielës, ballina e adresave të mia sociale është e mbushur me njerëz të politikës apo të medias, gazetarë të dashuruar me pasqyrën a me aparatin, që postojnë sekush fotot më ekskluzive me Papën. Përtej show-t, dyshoj nëse fotot e tyre tregojnë tjetër gjë. Kurse të përkushtuarat ndaj Zotit dhe disa besimtarë të pazë, nuk patën vend, as të drejtë, as mbështetje që të ishin pjesë e bardhësisë së tij.

Përpos rasteve kur marrëdhëniet e mia me besimin përplasen dy-tri gërxheve trazuar, më qetëson pa mundësi shpjegimi mesha e të dielës. Prania në mjedisin fetar, për mua si besimtare modeste e çdo të diele në meshë, është rast ku mes besimtarit dhe Zotit, nuk ekziston shfaqja, as interesi, as qejfbërja e miqve e shokëve. Jemi unë dhe Ai.

Imagjinoni ç’mund të thuhet për motrat e paqta, besimtaret e mira, të urta, të kujdesshme e aq të përkushtuara. E patën të gjitha radhën e tyre në katedrale? Mbase po. Mbase dhe jo.  Dhe u ndjeva fajtore për to, që nga kaq larg. Njëlloj siç ndihem kur i shoh aq humane e të përkushtuara në Kishë apo kudo ku punojnë. I japin ndjesinë e pashpjegueshme të paqes Kishës e Katedrales.  Kujdesen çdo ditë që kori të jetë frymëzues, që mesha të ketë kuptim, që besimtarët të vijnë, që  bashkësia të ndjehet mirë dhe më pranë besimit.

Por ç’e do, nuk janë të famshme, as politikane, as  përkrah Papës, që edhe këtë herë, ishte pjesë e një tabloje thellësisht mashkullore, ku femra e vetme prezente ishte përmendja e Nënë Terezës. Motrat e mira katolike nuk ishin dot pjesë e dukshme e shfaqjes së madhe. Si gjithë populli, ato ngelën pas hekurave, larg parisë, edhe pse çdo të diel janë pjesë nga gurët e qoshes. Dhe pa to, nuk ka jetë Kisha. E nuk ka kuptim as vizita e Papës.

Por aty, fundeve të turmës, bashkë me besimtarët më të urtë, e ndoqën vizitën siç dinë vetë të jenë: të  heshtura, të paqta, të tradhtuara nga lavdia që kërkonte të prekte gjithkush në atë ditë, që më shumë se për këdo, kishte kuptim jetik për to dhe për besimtarët katolikë.

Dhe ndiqnin të emocionuar ditën motrat dhe shumë besimtarë të devotshëm katolikë duke shtrënguar kryqin që nuk e heqin nga qafa. Sepse për ta, vendin pranë Papës apo pranë Zotit, nuk e cakton as 21 Shtatori, as protagonistët egoistë të tij.

Por, patjetër më dha ndjesi shumë pozitive atmosfera e vizitës, edhe pse kolegët gazetarë s’dukej ta kuptonin as vetë se ç’thoshin, as ç’postonin, as ç’pretendonin: si zakonisht. Edhe pse politikanët u shtirën më shëmtuar se asnjëherë. Edhe pse mediat e huaja pasqyruan shkurt e thatë mesazhin “Mos vrisni në emër të Zotit”. Edhe pse 10% e katolikëve ë thjeshtë shqiptarë nuk ishin dot pjesë domethënëse  e tablosë së mësipërme. E edhe pse përfaqësuesit e këtij “10 përqindëshi”, m’u dukën më afër njeriut se ç’do doja të besoja.

Kurse afër Zotit mu dukën të gjitha vështrimet plot shpresë të  motrave dhe lotët e të paktëve besimtarë që më zënë sytë të dielave të zakonshme në meshë.

E pas 21 Shtatorit, mediat e rrjetet sociale do vijojnë të kenë akoma të dokumentuara fotot lumë të  VIP-ave me Papën. E në heshtje, pa asnjë grimë buje, do vijojë edhe besimi i pakët i vërtetë, si pikat e ujit, i motrave që shkojnë në kishë dhe besimtarëve të thjeshtë, të pazhurmshëm, të papërfillur që nuk i vuri dot re askush të dielën e Papës në Tiranë.

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Në skenë Arsimi Profesional Tetori flet, kanceri vret

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

September 2014
M T W T F S S
« Feb   Dec »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  

%d bloggers like this: