Kalvari i gjatë ballkanik

04/12/2014 at 11:19 Leave a comment

“Po shkon në Serbi? Po dron, ke marrë me vete” – pyesnin duke buzëqeshur miqtë apo familjarët para udhëtimit tim të kësaj jave. Rruga e kërkonte që të shkoja fillimisht në Prishtinë. Ekipi i punës priste të niseshim prej aty të gjithë bashkë për në Zlatibor, në Alpet Dinarike, në zemër të Serbisë. Prej vitesh zona e atjeshme tërheq turizëm gjithë-vjetor dhe përpjekjet e vendeve të tjera të rajonit kërkojnë pak a shumë të njëjtën përqasje. Jo për turizmin, por për mënyrën se si banorët e zonës së Cajetinës dhe Uziçes ku ndodhet Zlatibori kanë ndenjur aty ku janë, pa u zhvendosur në kryeqytet. Dhe zhvillimi ekonomik ka një model interesant. Për këtë ekipet e rajonit po mblidheshin të gjitha së bashku në “Malin e Pishës së Artë”, sic e quajnë vendasit.

Në Prishtinë gjithçka gati në pak minuta: makina, kolegu ndërkombëtar 1, kolegia ndërkombëtare 2 dhe kolegu shqiptar i Kosovës 3. Shoferi gjithashtu vendas. Mendimi i përbashkët ishte të niseshim drejt Mitrovicës. Prej aty hyjmë në Serbi, kalojmë në Novi Pazar, pastaj në Sjenicë, Negobinë, e Zlatibor. Pothuajse 5 orë udhëtim nga Prishtina, me gjithë ndalesat e parashikuara. Por nuk shkojmë dot. Jo vetëm kolegu i Kosovës, por as shqiptarët e as ndërkombëtarët me sa duket nuk hyjnë dot në Serbi nga Mitrovica. Pse? Shihet si kufi administrativ, e jo shtetëror nga ana serbe. Ndaj, rrezikonim të ktheheshim të gjithë pas. “Plus, ky shalli i kuq mund të merret si provokim” – qeshte nga halli ekipi. Shalli rastisi të ishte ngjyrë provokuese, por mbi pallton e zezë, dukej i qëllimshëm. Bleva një jeshil në Prishtinë. Dhe ishte edhe i ngrohtë.

Nga t’ia mbanim? Nga Peja mund të hynim në Mal të Zi, të bënim 30 minuta xhiro në Berane e të futeshim në Serbi nga Voljavac, nga aty në Prikepojle e të përfundim jo pas 5, por pas 7 orësh në Negobinë, e pastaj në Zlatibor. Gati 8 orë rrugë. Rreth e rrotull. Tre kufij. Sepse kështu janë kushtet absurde që dikton politika.

Por, zbuluam se edhe nga Mali i Zi, oficerët e policisë kufitare vareshin në masë të madhe nga humori i ditës. Plus, na u sugjerua më forcë të mos udhëtonim as me makinën time me targa AL, e aq më shumë me kolegët e Prishtinës me targën provokuese KS. Duhet të merrnim me qera makinë malazeze “që të fshihnim gjurmët”.

Sa po mësohesha me telenovelën ballkanase të post-ndeshjes për kualifikimet e Euro 2016, kur u vendos që do ishte mirë të udhëtonim në fakt të gjithë bashkë, edhe me ekipin e Maqedonisë. Madje, ata dolën garant për sigurinë “sepse nuk ka shqiptarë në ekip”. Dhe për të shkuar në Zlatibor, që nga Mitrovica është pothuajse vijë e drejtë, kthyem timonin jug-lindje për në Shkup. Dhe u vendos: makinat e udhëtimit do të ishin me targa maqedonase. 9 persona të 6 kombësive. Një rrugëtim që duhet të zgjaste 5 orë nga Prishtina, përfundoi në 11 orë nga Shkupi. Një cast m’u duk se shprehjet “i ramë nga Kina” apo “si Magelani” e gjetën sinonimin e plotë në këtë rrugëtim. Shkup-Kumanovë- Lojane. Në pikën kufitare, tetë pasaporta vulosen pak me përtesë. Unë mbaja në dorë pakon e çokollatave të blerë rrugës, në rast se situata kishte nevojë për sheqer. Nuk u duk kështu. Askush nuk më kontrolloi për dron. As shallin tim të bukur jeshil nuk e vunë re hic. Po kartën e identitetit të kolegut kosovar e mbajtën. Dhe e thirrën mënjanë. Pjesa tjetër e grupit këmbente eurot në dinarin e qëndrueshëm serb dhe prisnim që të bëhej gati formulari i hyrjes në Serbi për kolegun nga Prishtina. Vështrimet nga kabinat e kontrollit të dokumentave ishin thjesht kurioze. Pakon e çokollatave nuk e ula nga dora, por as nuk e zgjata përtej grupit.

Vonesa ishte e papërfillshme. Por nuk ishte i tillë udhëtimi nëpër Preshevë e Bujanovc. Varfëria është ulur këmbëkryq dhe trishtimi rri nderur rëndë në ajër. Investimet janë hije përpjekjesh nga e kaluara e largët dhe rruga është e vrazhdë. Edhe në Vranjë. Edhe në Predejanë. Edhe në Leskovac. Por të paktën këtu, mes ndërtimeve tipike parafabrikate të ’45-‘80ës, fillonte të ndihej disi lëvizja e njerëzve. Pra, nuk largohen masivisht si në komunat e harruara në  jug të vendit.  Sinjalistika është parë të jetë e panevojshme si në çdo vend tjetër të Ballkanit,e na duhet ta marrim rrugën me mend.

E teksa pas stërmundimit pas makinave të rënda të transportit në rrugët e ngushta hyjmë në autstradën e Nishit, më vinin ndër mend vetëm sekuenca të lexuara për betjën e 1443-it dhe Janosh Huniadin. Mirë që mendimet nuk flasin.

Pas Nishit, teksa filluan prapë gjarpërimet drjet Alpeve Dinarike e shkëmbeheshim grupeve nëpër makina, bisedat e punës u zëvendësuan nga komentet për botën ballkanikë të show-bizit, pastaj për filmat, muzikën, legjendat, historitë individuale e kolektive, e nëpër të, edhe ndonjë batutë humori të zi me pullë të kuqe. Gjeografikisht, e jo në kuptimin e parë të saj. Ndaj, kur kaluam në Krusevac, Jagodinë, Kragujevac, Cacak e Uzicë, nuk e kuptonim dot më nëse na dhimbte kurrizi nga lodhja apo brinjët nga të qeshurat. E kur zbarkuam në hotelin e ngrohtë në çdo kuptim në Zlatibor, kishte kaluar edhe orari i darkës, edhe i frikës, edhe i logjikës pa logjikë.

Por nuk vonoi shumë. Te nesërmen, teksa shijonim mëngjesin e servirur ashtu sic duam në gjithë rajonin, pyetja nuk kishte si të mungonte: “Si është tani situata në Tiranë për Serbinë”? Nuk e lashë qumështin e ngrohtë të më ftohej aspak. “Po vendimi i UEFA-s si u pasqyrua në median tuaj”Pas qumështit, provova proshutën vendase. Jashtëzakonisht e mirë. “Dëgjo, se unë isha në Tiranë natën e ndeshjes, dhe pata frikë për jetën. Nuk thoja dot që jam serb.Thashë “Jam nga Kroacia”. Dhe më qerasën me birrë”. Përvec proshutës, në pjatë priste gjithë lezet edhe kajmaku, me të cilin vendasit gjithashtu krenohen. Por, m’u duk pak i rëndë për mëngjes. “Të them të drejtën, nuk do isha trembur, por e parkova makinën në një vend të fshehur, brenda, parking privat, se kush e di c’mund t’i bënin shqiptarët. Pastaj, kulmi arriti kur në hotel, tek tavolina ngjitur, te bari, katër shqiptarë kishin të gjuri armë të mëdha naaaa, kaq”.

Më doli kajmaku nga hundët. “C’hotel ishte ky të lutem?” – pa i ngritur sytë nga pjata.”S’e kujtoj emrin. Ishte te Blloku” – vendosmëria po shkonte në vend.” Epo,  unë jetoj tek Tirana tjetër. Te ajo e vërteta domethënë. Tek ajo imagjinarja, pushkë të gjata s’mban më njeri. Si celuarët. U ka ikur moda. Kurse për makinën, mirë keni bërë që keni fjetur të qetë. Po në lagjen që thoni ju, zor se kalimatërt e njohin flamurin serb të targës, e jo më ta sulmojnë atë”. Nuk prisja ta blinte njeri paragrafin tim. Ndaj u fokusova prapë te kajmaku. “Nuk është e vërtetë. Situata ishte shumë e tensionuar, që në ajër ndihej. Dhe unë pata frikë për jetën”.

S’e di në efekti pasqyrë do hyntë në punë, ndaj thjesht i mëshova bukës së thekur të fillim-dimrit serb edhe me pak kajmak: “Faleminderit për vëmendjen. Për momentin, më tremb ideja që duhet të kthehem sërish për gati 14 orë rrugë nga Zlatibori në Tiranë përmes Prishtinës, sepse kufijtë njihen e nuk njihen, e edhe po të njiheshin, nuk kemi rrugë që na lidh, e që do ishte shkëlqyer sikur te ishte. As 400 km rrugë nuk janë, e nuk lidhemi dot lehtë. Për më tepër, ngaqë do i përshkoj sërish të gjitha zonat, të izoluara apo jo, rurale e më pak rurale, do vëzhgoj sërish papunësinë e ulur këmbëkruq në të katër shtetet që jam e detyruar të kaloj para se të mbërrij në shtëpi. Dhe kjo papunësia është më e zezë se cdo imagjinatë tjetër kombësish e shtetesh në Ballkan. Dhe po e dikton rajonin goxha bukur”.

Kurse takimet e punës vijojnë pa biseda dronash e ndeshjesh futbolli. Ama pushimet e kafes dhe vaftet e të ngrënit bien prapë pre e pyetjeve: “Për cfarë festuan shqiptarët në 14 Tetor?”

Këtë radhe s’ka kajmak para meje që të më tërheqë vëmendjen. Por holli është kaq i ngrohtë, shërbimi është kaq cilësor, qyteti i drunjtë është i punuar me kaq mjeshtëri, regjisori Emir Kusturica përshendet kaq njerëzishëm, e përtej pyetjeve-modë të momentit për ndeshjen, kolegët serbë duken kaq të zotë në punën e tyre, saqë përigjigjia nuk ka asnjë vlerë.

Rajoni bërtet nga të gjitha anët për ndihmë. Kërkon t’i vihet dorë, në invvestime, në infrastrukturë, në standarde, në cilësi. Jo në nacionalizëm. Jo në politikë. Por, sa kohë vetëm dy të fundit do jenë temë bisedash e investimesh, për në Alpet Dinarike në zemër të Serbisë do vijojmë t’i biem nga Kina. Dhe veç lodhjes pa arsye, edhe koha është flori. Në të gjitha kuptimet.

Ndaj më erdhi keq edhe për shallin e kuq. Por edhe për rrugën e gjatë e të lodhshme që kemi së pari për t’u afruar në zhvillim, e më pas, edhe në politikë. C’malore. E gjatë. Me kthesa pa fund. E pjerrët shumë rruga e malorit Ballkan. I bukur, i ngjashëm, absurd dhe në mënyrë paradoksale i lehtë ( i lehtë?!) në vitin 2014. I papërsëritshëm.

 

Botuar në gazetën Shekulli, 27.11.2014

Entry filed under: Opinion. Tags: .

Shqiptarët provokues? Stop këtij protretizimi Kush rreh femrat, burg

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

December 2014
M T W T F S S
« Sep   Feb »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: