Shqiptarët provokues? Stop këtij protretizimi

04/12/2014 at 11:16 Leave a comment

Provokim politik, nxitje dhune dhe mosbindje sportive. Po humbasim betejën mediatike në mbarë botën dhe kjo mbi bazën e këtyre tre arsyeve. Kemi kundër kreun e UEFA-s, zëdhënësen e institucionit më të lartë europian për politikën e jashtme, disa politikanë europianë me qëndrime personale në rrjetet e tyre sociale, dhe në shumicën dërrmuese, kemi kundër gjithë median ndërkombëtare. Incidentet në Beograd po përqëndrohen tek “flamuri” mbi stadium dhe pak kush po merret me dhunën fizike ndaj lojtarëve tanë. Ndërkaq, është qesharake hapësira që i lihet ndërkombëtarisht situatës së rënduar psikologjikë në stadium, ku për të 40 minutat e luajtura, tifozët nuk e kanë ndalur korin “T’i therim shqiptarët”. E kjo përmendet kaq pak, sa pothuajse nuk komentohet askund në median ndërkombetare.

Faji po i ngel Xhakës që i mori nga duart simbolin Mitrovicit, sapo ky e uli. Dhe shqiptarët po titullohen në cdo faqe të mundshme sportive e politike në glob si “provokues politik”. Shpifjet mbi përfshirjen e vëllait të kryeministrit në ngjarje nuk përgënjeshtrohen nga të gjitha mediat (me gjithë deklaratat e tij në presitgjozet CNN apo BBC) dhe ndjesia që po ngrihet mbi imazhin e shqiptarëve si “provokatorë ballkanas që meritojnë të izolohen sërish” është e shëmtuar dhe e frikshme. Komentet e të gjithë zyrtarëve ndërkombëtarë që kanë folur deri tani janë të njëanshme dhe në mënyrë të pafalshme e shumë kokëfortë, anashkalojnë thirrjet raciste të stadiumit, sjelljen e papranueshme gjatë himnit shqiptar dhe sendet e hedhura në mëyrë të përsëritur në fushë.

Ku po humbasim tjetër terren? Tek reagimet zyrtare. Në Serbi nuk ka ngelur më zyrtar duke nxitur të kundërsulmojë, duke e bërë Shqipërinë fajtore, si provokatore me “miq të papërgjegjshëm”, e duke i nxjerrë policët e vet heronj, lojtarët e tyre model sjellje (këtu kanë të drejtë) dhe gjithë Serbinë  viktimë të sjelljes së “rrezikshme të Shqipërisë me ëndrra pushtimi për fqinjët e mirë grekë,maqedonas e malazez”. Dhe gjithë bota për këtë po flet. Propaganda e tyre është e fuqishme, zyrtare, e shpeshtë, e instancave më të larta e normalisht, edhe efikase. Edhe në artikujt e pafund botuar nëpër shtypin botëror, këtyre ideve u mëshohet, sepse ky zë dëgjohet: “Shqipëria provokoi dhe kjo rrezikon rajonin. Shqiptarët janë të prapambetur dhe duan shekuj të jenë të gatshëm për në Europë”. Po. Dhe kori që këndon këtë këngë është po aq i papërballueshëm sa edhe 30 mijë tifozët që na donin të vrarë e të therur.

Ministria e jashtme serbe thirri me urgjencë Ambasadorin tonë në Beograd për t’i dorëzuar një notë proteste. Gjest që mund të na tërbojë si shqiptarë, por nga ana dimplomatike është veprim i zgjuar. Cuditem pse ne nuk kemi për t’i thënë asgjë asnjë serbi, qoftë edhe ambasadorit në Tiranë. Jo sy për sy e dhëmbë për dhëmbë, por, sikur karriket t’i kishin gjuajtur shqiptarët, do ishtë thirrur në Beograd Ambasadori e në Hagë kryeministri ynë. Gjithandej nëpër faqet e shypit zyratar në botë të paktat deklarata zyrtare që ka bërë Shqipëria (Twitter i kryeministrit, dalje për shtyp e Ministrit të Jashtëm dhe me 48 orë vonesë, deklaratë e vakët e FSHF-së), të gjitha publikohen e protretizohen si “të njëanshme dhe paragjykuese”.

C’po na dëmton tjetër? Mirë që festuam (?) brenda territoreve shqip-folëse, po edhe betejën e rrjeteve sociale po brenda vetes po e bëjmë. Shkruajmë shqip, shajmë shqip,kërkojmë drejtësi shqip. Nuk funksionon. Që serbët të mos shndërrohen papritur në viktima dhe të kthehemi nga provokatorë në terroristë imagjinarë (sic i pëlqen rëndom medias ndërkombëtare të na etiketojë), duhet që zëri shqiptar të jetë zyrtar, pa asnjë emocion, i qartë, i drejtpërdrejtë dhe i mbështëtur në faktet që po mbulohen me shpejtësi skëterrë nga makina propagandistike e pritësve të ndeshjes.

Si mund të bëhet kjo? FSHF duhet urgjent të furnizojë faqen zyrtare me informacion, qëndrime, foto dhe video në anglisht. Dhe të tregohet super e shpejtë në kontaktet me gazetat apo mediat botërore. Vetë. Nëse nuk mundet, Duka dhe FSHF i kanë aq para sa të kontraktojnë anglezë po e deshi puna, që të ndihmojnë jo vetëm editimin, por edhe hartimin e deklaratave tona. Se sot e kemi hallin me dhunën që na ndodhi në Beograd, por tej saj, jemi për faqe të zezë e ku të na kapësh më parë. Pra, urgjent njerëz të zotët, le të kushtojnë shumë (përse janë sponsorat?), që të dinë të hedhin në letër kauzën tonë. Shqiptarë juristë të zotë dhe anglisht-folës pothuajse si të lindur në Britani? Aq më mirë. Vetëm të jenë profesionistë e të rregullojnë hijen që po krijon federata dhe zyrtarët tanë.

Së fundmi: fat i madh për të dy vendet, por më tepër për Shqipërinë: Kryeministri viziton Serbinë javën që vjen. Eshtë momenti më i mirë për të treguar se tolerancën e kemi përvetësuar, se vlerat dhe prinicipet që cojmë me vete në Europë janë fiks sic pritet të jenë: pozitive. Se jemi faktor stabiliteti në rajon e kjo nuk vihet në dyshim as sot, as kurrë. Por edhe se përallat me mbret nuk i besojmë më prej disa shekujsh, e se Korfuzin, Pervezën, Janinën, Konicën, Shkupin, Tetovën,Ulqinin apo aq më tepër Kosovën, nuk i kemi parë në ëndërr. Se s’jemi në gjumë mijëravjecarë. E as nuk po shohim për to ëndrra me sy hapur.

Dhe Kosova qenka për Serbinë po aq e rëndësishme sa Meka për Islamin, Jerusalemi për Palestinë apo Parisi për Francën?!!!!

Zot na fal jetë të gjatë të shohim gjëra të bukura.

Unë hyj tek skeptikët që ngjarjen e Serbisë e shohin ftohtë dhe dalloj edhe shenjat e përgjegjësisë shqiptare. Por injorimin e cështjes sonë, nuk ka akull ta ngrijë. Ndaj, media, FSHF dhe kryeministri kanë në dorë që zyrtarisht dhe menjëherë të reagojnë në mënyrën më civile të mundshme: Flamuri u valvit me pajisje lodër sepse të vërtetin na e mohuan edhe në një lojë, e jo më në jetën e vërtetë. Në mos flamuri, do ishte goli, fjala apo edhe thjesht prezenca e shqiptarëve që do e conte situatën për aty ku ishte nisur.

Ndaj, të kontribuojmë që të ndalet kjo marrëzi e radhës. Stop portretëzimit shqiptar si provokues e serbve si viktimë. Me gjithë dashurinë e madhe për miqësinë, cdo palë duhet të përgjigjet për pjesën e vet. Në mënyrë civile, mundësisht.

Botuar në gazetën Shekulli 18.102014

Entry filed under: Opinion. Tags: .

Tetori flet, kanceri vret Kalvari i gjatë ballkanik

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
December 2014
M T W T F S S
« Sep   Feb »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: