Tetori flet, kanceri vret

04/12/2014 at 11:06 Leave a comment

Tetori, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Televizionet kanë emisione me gra të bukura e të rëndësishme që flasin gjithë delikatesë për rëndësinë e parandalimit të sëmundjes dhe fajin e madh që kanë gratë “e pagdhendura” shqiptare që sëmuren më kancer. Flasin e japin mend në distancë. Kurse në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”,

Onkologjiku vlon nga zhurma, rrëmuja, stresi, radha, sy që kërkojnë ndihmë, vështrime që duan përgjigje, pacientë që s’dinë si e me kë të flasin, familjarë të përhumbur që as vend, as drejtim nuk dinë të gjejnë. Ora 08.00 – 12.00 ëshë faza e errët e këtij reparti. Recepsioni i rindërtuar rishtas pret përditë raste të reja kanceri. Shumica dërrmuese janë gratë e prekura në gji.

Si në çdo report onkologjik në botë, edhe tek recepsioni i cuditshëm i spitalit publik në Tiranë, vërshimi i grave është i pandalshëm. Presin me letra në duar, karta identiteti, libreza shëndetësore që kanë ndonjë cen, letër rekomandimi që ”nuk i ka të gjitha vulat”, letra analizash të papërfunduara “se në shtet nuk punojnë të gjitha makineritë”. Sprapsen shumë prej tyre nga recepsioni, e teksa presin që familjarët të gjejnë “shkopin magjik të zgjidhjes”, ulen tek “salla e pritjes” dhe me kokën afër tavanit, shohin lajmet që thonë se Ebola do bëka namin, e se janë shtuar masat e rrepta të sigurisë në Shqipëri e në botë. Dëgjojnë se si brenda 6 muajsh do u prodhoka vaksina që bën cudinë. Ndërkohë, rastet e reja të kancerit nuk kanë të sosur. E jo vaksinë, por as mjekim për të nuk ka. As në Shqipëri, e as në botë. Eshtë vënë disa herë alarmi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për grip derrash, pulash, shpendësh e lloj-lloj cudish. Vetëm për kancerin që korr jetë njerëzish, nuk ka pandemi.

Po le të kthehemi tek këndi i cuditshëm ku përplasen të prekurit me kancer në Shqipëri, tek Onkologjiku në Tiranë. Në këtë muaj të supozuar për të qenë intensiv në ndërgjegjësimin për tumorin e gjirit, do doja shumë, më shumë se gjithcka mediatike, që ndonjë prej kolegëve nëpër televizione, në redaksitë e lajmeve a në ato të programeve të shumta, të merrte një kamera, t’i jepte edhe një apo dy paradite të lira një gazetari, dhe të filmonte mbretërinë e tumorit në këtë pjesë të kryeqytetit.

Njerëz që shtyhen, përplasen, ikin kuturu, mërziten, kthehen mbrapsht, shtyjnë prapë përpara. E gjitha sepse as nuk janë familjarë me procedurat, as nuk iu jepet informacion i plotë, as nuk ka kurrë asush kohë të merret shtruar me ta. Pastaj ka mjekë që ngjiten, zbrezin, vrapojnë, turfullojnë. Infermiere me dosje, personel mjekësor e jo-mjekësor që hap dyer, kalon letra sipër kokës së atyre që mbajnë radhën, shtyn ata që presin, injoron vështrimet e gjithkujt në radhë.

Burokracia është vrasëse. Organizmi po ashtu. Sistemi elektronik nuk mund të quhet as amator. Familjarët duken të paditur e të hutuar. Mjekët të bezdisur, të ngarkuar e të pamotivuar. Kurse pacientët janë të gjithë një hap afër katrastrofës me plagët e tyre tumoriale, të dukshme a të mbuluara. Situata më repart duket agresive dhe e përparuar, njëlloj si shumica e tumoreve që vijnë në shkallën më të avancuar të mundshme në spital. E gjithë lufta bëhet mes orës 08.00 dhe 12.00. Regjistrimi në recepsion (ka filluar shërbimi me numra, por as pacientët, as familjarët, as stafi mjekësor që kapërcen radhët, nuk duken ende në gjendje ta respektojnë këtë sistem minimalist radhe, privatësie dhe eficence). Pas regjistrimit dhe marrjes së faturës, kalon tek radha numër 2, hapja e kartelës.

Çdo vizitë, e njëjta histori. Radha këtu është primitive, kaotike dhe dhimbshëm e gjatë, sepse shërbimi kryhet nga një person i vetëm dhe të dhënat hidhen me shkrim dore. Më pas turma lëviz drejt katit përkatës. Mjekja duhet të plotësojë recetën (që parashikon një tjetër pritje e radhë). Pastaj infermieret lexojnë emrat e dorëzojën recetat e plotësuara. Pacienti që lufton me lodhjen, me efektet e kemioterapise,  rrezeve, rrugën e gjatë që e ka sjellë në Tiranë, apo me cudinë që pse s’flet dot kurrë, as edhe një minutë të vetme tek për tek me mjekun, pa u shqetësuar nga trokitje e hyrje-dalje të pandërprera familjarësh apo stafi mjekësor, duhet ta marrë recetën e të fillojë telenovën e shëmtuar të paraqitjes në farmacinë e spitalit.

Kamera do e bënte këtu punën shumë herë më të vërtetë sesa fjalët e një artikulli. Mjafton vetëm të thuhet se dera e farmacisë rri mbyllur deri sa një prej stafit të shkojë në depo, të përballet me humorin e furnizuesve kopracë, të kthehet, të konsultohet me njerëz e me letra recetash apo rekomandimesh që ka përpara, dhe të japë gjithmonë e përherë vetëm copëza ilacesh nga ato që shkruhen në recetë. Po, për gratë që duan të majtë e të djathtë të ngrenë ndërgjegjësimin, nuk ka ilace.

Për këto fatkeqe në emër të të cilave merren fonde e bëhen marshime qesharake rrugëve, me kamera, që të dalin edhe në TV VIP-eshat, nuk ka mjekim të plotë, nuk ka sallë të vërtetë pritje, dinjitoze për sëmundjen që u ka rënë. As nuk ka broshura, matëriale të printuara e të shpërndara nëpër spital, që të mund të lexojnë e të informohen. Nuk ka as salla të vogla konultash individuale. As kohë. Kurrë  nuk ka kohë askush të merret shtuar e qetë me to. Po atëherë, si trajtohen? Si qepë. Si domate. Si presh, hudhra a specë që janë vendosur një një tezgë e janë gati për t’u shitur. Si mall që po skadojnë.

Po. Trajtohen kështu dhe mua më mbërthen hezitimi t’i shkruaj këto të vërteta, sepse stafi që punon atje do mërzitet aq keq, sa nuk do më ndihmojnë me herën tjetër që do shkoj aty. Nuk mendoj unë. Mendon gjithkush që shkon përditë në Onkologjik dhe ndjen frikën të mos e teprojë me reagimin, se kush e di, nuk e ndihmojnë me kur të kthehet për kemion Herceptinën, rrezet e radhës, ekot, vizitën e radhës.

Sjellja e familjarëve është katastrofë. E dukshme dhe e pranueshme. Nuk respektojnë as radhën, as mjekët, as të sëmurët e tjerë. Por kjo vjen nga mungesa e kulturës mjekësore, padija, frika për situatën e re me sëmundjen e familjarëve dhe nga sistemi tejet burokratik e i ngadaltë në funksion të tyre. Por ajo që është akoma më katastrofë është  zvarritja e heshtur e mjekëve, kalimi nga njëra dorë në tjetrën, klikat e krijuara, mungesa e plotë e përgjegjësisë në zvarritjen e rasteve “kalo nga e hëna, duku nga  e premtja, s’bëhet këtë javë”, me qëllim zbehjen eshërbimeve të detyrueshme  që duhet të ofrojë spitali publik.

Mjekët punojnë akoma me dosje me shkrim dore dhe çdo e dhënë, nëse përsëritet, duhet rihedhur prapë me dorë, që nga angaritë administrative, deri tek historiku i sëmundjes dhe trajtimit të saj. Ama nuk është vetëm angaria administrative që i irrition (me të drejtë) mjekët. Arsye të tjera i shtyjnë ata të jenë të prerë, të padisponueshëm, të zënë, përherë të zënë në orarin e çmendur 08.00 – 12.00  Jashtë këtij intervali, tumori shëtit i qetë cepave të tjerë nëpër Tiranë. Por në 08.00 -12.00 ndodh makthi i çdo rasti kanceroz që kërkon vëmendje, trajtim, mjekim dhe kuptim në spitalin publik.

Pse dyndja ndodh aty dhe pse në mjediset e rinovuara të Senatoriumit nuk lejohen të shkojnë minimumi rastet pulmonare, është çështje tjetër që implikon shumëkënd e shumëçka brenda. Po ama, përse media merret me llafe në studio e fton mjeke me thonj me xhel që zor se ia hedhin sytë, e jo më empatinë pacienteve të tyre, këtë nuk kemi si ta kuptojmë. Pse? Sepse kuptimi gjendet tek Onkologjiku te Nënë Tereza çdo paradite. Dhe nuk i ngjan aspak ndonjë skenari që mund të ngrihet urgjent nëse kërkohet leje për të xhiruar dhe vendoset rregull e stamposen buzëqeshje sa për një ditë.

Jo. As nuk është gjendja si në disa klipe promovuese që bëjnë donatorët për të treguar sa mirë po iu shërbehet grave në Shqipëri për të bërë mamografinë. Në realitet iu shërbehet në mënyrë jo-dinjitoze dhe përveç rasteve sporadike ku disa mjeke dhe infermiere luftojnë me çdo gjë për ta ndihmuar pacientin, shumica dërrmuese e rasteve është për të qarë  secilën nga ditët e Tetorit ndërgjegjësues, dhe në të gjitha ditët e vitit që ngelen.

Nuk ka nevojë as për fjalë të bukura, as për statuse politikanësh e VIP-ash në Facebook.Duhet investim kolosal, konkret dhe i menjëhershëm, në inftrastrukturë dhe në burimet njerëzore, në mjekësi dhe në komunikim. Se sërish, tumori është përtac i madh kur vjen puna tek llafet e bukura. Ende, kanceri s’flet. Vret. Ndaj boll folëm për të. Duhet vepruar që parandalimi vërtet të ndodhë, por që edhe kurimi të bëhet me dinjitet dhe i plotë. Në rast të kundërt, faleminderit për qetësinë.

Botuar në gazetën Shekulli 15.10.2014

Entry filed under: Sociale. Tags: .

Pranë Zotit, larg Papës Shqiptarët provokues? Stop këtij protretizimi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

December 2014
M T W T F S S
« Sep   Feb »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: