Kush rreh femrat, burg

02/02/2015 at 19:03 Leave a comment

Nuk e parashikon asnjë nen askund jo.  Vetëm për vrasjen ka burg. Por meqë vrasësit e shumë femrave janë ende të lirë, e meqë gra vijojnë të rrihen, të vriten e të priten përditë e përvit me të njëjtën mos-kokëçarje në Shqipëri, duket se është thjesht me vend të bëhet ky paralelizëm. Me nismën e kryeministrit për të ngritur popullin në këmbë për të paguar energjinë  flas.

Këmbëngulja, seriozitet dhe provat e gjalla e të vdekura se vërtet “kush vjedh energjinë, burg”, mendova sa mirë do ishte që pasi të jemi siguruar e qetësuar se xhepat e të gjithëve u shkundën, se deputetët, biznesmenët e mediat e majta, të djathta e pa asnjë drejtim shlyen realisht borxhet e papaguara disa qindra milionëshe për energjinë, vjen edhe momenti kur kryeministri nga faturat e dritave, kalon tek jeta e njerëzve.

“Kush rreh femrat, burg”. Jo se është detyra e tij për ta bërë. Po as policin e faturave nuk e kishte detyrë. Jo se nuk ka ligj për t’i mbrojtur gratë. Aq shumë ka, sa me nga një kopje të çdo ligji, nisme, neni e projekti, gratë nuk e di si nuk arrijnë t’i shpëtojnë dajakut.

Pra ligje ka.  Po ligj ka edhe për dritat. Kontrata që lidhim të gjithë me operatorin e shpërndarjes është ligji që vetë nënshkruajmë. Por prapë se prapë, meqë neve ligjet na duken thjesht kartëra pa ndonjë domethënie, nuk u shqetësuam fort për të paguar apo kontrolluar pagesat e energjisë. Ndaj plasi burgu dhe çështja u bë politike. E ka dy muaj që njerëzve u del fatura e dritave në ëndërr. Edhe atyre që kanë paguar, se ndodh që firma e vula janë në librezë, por paratë nuk qenkan derdhur dot në sistem. Ku janë nuk dihet. Qytetarët thjesht duhet të paguajnë deri në fund të shkurtit, pavarësisht sa e si pretendojnë se kanë paguar.

Shkurt, nuk ka njeri në vend që nuk i ka hyre frika në palcë dhe me çfarëdo mënyre që të gjejë, do paguajë kontributin që po i kërkohet.

Frika: ky shkop magjik që e ndryshoka sjelljen e shqiptarit në kaq pak javë. Të gjithë në radhë për të paguar, edhe pse absurditetet e gjendjes janë nga më shokueset.

Në një këndvështrim pozitiv, do doja që kjo frikë të mos iu hynte shqiptarëve debitorë apo energji-pagues, por shqiptarëve, burra, të fortë, trima me fletë që rrahin gratë. Po, po. Atyre që dalin nga burgu e sa shkojnë në shtëpi i marrin jetën gruas. Atyre që e godasin me thikë, lopatë, sopatë, shkelma, gurë apo c’tu ndodhet afër. Atyre që i marrin vajzat zvarrë më derën e makinës, që i rrëmbejnë për flokësh apo që i ngjeshin plot trimëri e burrëri cepave ku nuk i sheh kush. Atyre që marrin armën e bëjnë të fortin vetë, apo atyre që armën e vënë në dorë të atyre më trimave që paguhen për të vrarë.

Burg për ata që abuzojnë me të miturat e lagjes, me koleget, me vartëset apo me nxënëset e shkollave. Burg për burrecat që dhunojnë me c’të gjejnë gratë e tyre, për “miqtë e familjes” që përdhunojnë vajzat e vogla të zonave të thella, për mësuesit që shkatërrojnë jetën jetët e panisura të nxënëseve nëpër shkolla 9-vjeçare të harruara cepave të vendit, e pasi i abuzojnë, i dhunojnë edhe psikologjikisht duke i zhytur në deformime mendore e shoqërore që i ndjekin pas gjithë jetën.

Burg, e jo testim për këta mësues. Se së pari janë dhunues, e pastaj dije-mëdhenj.

Po një shkrim gazete mund të jetë i gjatë , i përsëritur, në faqe të parë a të fundit të një gazete, e nuk do ketë kurrë ndikim. Sikundër nuk do kishte sikur të fliste për rëndësinë e pagimit të energjisë. Apo për kuptimin që ka apo nuk ka testimi i mësuesve e mjekëve në vend. Asnjë nga këto çështje nuk do të kishte marrë dhenë po të mos ishin bërë çështje politike e ditës nga kryeministri i vendit. Flet ai, zus shqiptarët.

E meqë u udhëhiqkemi nga frika e njeriut që drejton, e jo nga forca e ligjit, le ta bëjë politike çështjen e radhës njeriu që bën shqiptarët të mos flenë më gjumë prej faturave. “Kush rreh femrat, burg”. Natë e ditë, në twiter e në facebook, në televizionet rozë e në ato blu, në gazetat e varuara e në ato që nuk varen hiç. “Kush rreh gruan, burg”.

Ka ligje ka. Por njëlloj si me dritat, po nuk na e solli njeri në vëmendje, do vijojmë të dëgjojmë në lajme për një grua të vrarë në çdo 3-4 ditë, për femra të rrahuar kafshërisht në shtëpi çdo ditë, për gra që kërkojnë strehë, punë e jo dhunë, çdo minutë në të gjithë Shqipërinë.

E po  u bë politik e publik ky slogan, nuk ka më nevojë as për parada mode tek presidenti, kryeprokurori, kryeministri apo çdo krye tjetër në vend nga zonjat me veshje firmato që që nga parlamenti, shqetësohen për drurin që  hanë gratë në fshat.  Mirë varfërinë, se nuk ua heqim dot, por drurin të paktën, të përpiqemi.

Ndaj, pasi të mbarojë fushata e dritave, ujit,  mësueseve e mjekëve, lutemi që t’i vijë radha edhe grave. Mbase nuk janë aq të rëndësishme të shkretat për politikën e ditës, se si u rrahën, si s’u rrahën, para në arkë të shtetit nuk sjellin. Por meqë njerëz janë dhe ato të mjerat e sistemi nuk i ndihmon dot, të shpresojmë që ligji të trumbetohet me të njëjtën mënyrë pa kosto si fushata për dritat:

“Kush rreh femrat, burg”

Amin!

Entry filed under: Shqiptarizëm, Sociale. Tags: .

Kalvari i gjatë ballkanik Dekriminalizim medias, politikës, drejtësisë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
February 2015
M T W T F S S
« Dec   Apr »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  

%d bloggers like this: