Dekriminalizim medias, politikës, drejtësisë

21/04/2015 at 18:16 Leave a comment

Çudia rriti standardet në vendin tonë. Nga tre ditë që ka jetëgjatësinë mesatare, emrat e Tom Doshit dhe Mark Frrokut zunë faqet e para të gazetave e u bënë lajmi i parë me e pa pagesë në çdo faqe interneti  shqip për pothuajse një muaj të tërë. Rekord për Shqipërinë.  Por, Toma u shfaq, u tall, u  glorifikua, doli,  dhe prej ditësh tashmë, e fitoi qetësinë. Frroku u përfshi, ndenji larg, u vu në qendër të pjesës teatrale me katër pjesë, u arrestua, doli, u arrestua, doli prapë. Doli një Frrok tjetër. Po c´rëndësi ka? Doli. Do dalë dhe ai tjetri. Tani shfaqja mbaroi dhe fillon telenovela Frrok me emër tjetër. Toma e Marku do vijojnë jetën e tyre në qetësi. Si çdo lajm i djeshëm në Shqipërinë tonë të ngjarjeve fast-food, ku gjithmonë një kockë e hedhur vrull nga politika, e largon median, e përmes saj publikun, nga thela e majme e problemeve të vërteta. Ka kuriozitet për çka ndodhur me të arrestuarit këto ditë dhe si do ndëshkohen ata, por nuk kemi për ta marrë vesh, sepse regjisorët e kanë zhvendosur shesh-xhirimin në ardhjen në skenë të aktorit të ri: Frroku 2.

Emrat nuk kanë rëndësi. Ky mund të ishte një nga më shumë se 100 mbiemra të tjerë në parlament që kanë njolla të errëta mbi vete. Parodia më e madhe e ngjarjeve që fluturojnë para syve të publikut shqiptar është lehtësia me të cilën politika i rrëzon, i ngre,i  godet e pastaj i përkëdhel vetë figurantët që i duhen për shfaqjet e saj. Kurse dhimbja më e madhe është se gjithë teatri bëhet në mes të ditës e me zë të lartë në emër të popullit. E kjo të sjell ndër mend atë humorin e hollë shkodran të kohës së mbrapshtë komuniste në Shqipëri, kur shkuan të arrestojnë dikë në mes të natës për motive politike, e i thanë: “Në emër të popullit, je i arrestuar”. E shkodrani ua kthen: “Të cilit popull aman? Populli po fle gjumë në  këtë orë, po ju hajde bëni punën tuaj”. Edhe politika e sotme, në emër të popullit u këput duke iniciuar dekriminalizime e duke na servirur për të mirën tonë luftën e ashpër që bëhet për të na mbajtur të gjithëve të sigurt e mbi dafina. Ani se në parlament humori më i madh bëhet për batutat, veshjet, statuset apo personalitetin e njëri-tjetrit mes deputetëve, e jo për çoroditjen me likuiditetin apo statu-quo´të që paralizojnë jetën e çdo familje në Shqipëri.

Po e ndiqja me interes seancën plenare të javës së kaluar, në pritje të debatit për njërin nga projekt-ligjet që duhet të kalonte votimin. Por nuk qe e thënë.  Skena teatrale ishte e gjitha për batutat dhe ngjirjet me zë të lartë që bëhen gjithmonë dhe vetëm për të mirën tonë. Fatlumët ne.

E teksa dëgjoja edhe mendimet e mendjendriturve të sotëm të kombit mbi Konicën e Fishtën, shihja me cep të syrit gjithë pritshmëri të lartë edhe prezencën e deputetit Tom Doshi në sallë. S’ka ardhur akoma. Por nuk do vonojë shumë, lavdi politikës, se ashtu janë ca punë e duhen numrat. Në mos të kartonëve jeshilë, duhen patjetër numrat e kartëmonedhave jeshile. Se është edhe kohë fushate.

Po një të mirë e ka ky teatri i javëve të fundit: gjeneroi ide të shkëlqyera në tregun kakofonik shqiptar. Nga dekirminalizimi i parlamentit (që po të ishim me fat, do na linte me rreth 40 deputetë), në thirrjet për dekriminalizimin e medias. Këtu do ishim edhe me më shumë fat, se do ngeleshim vetëm me ndonjë gjysëm kanali televiziv të mbikëqyrur e me staf të ri, 18-25 vjeç, me kushtin e vetëm që të mos kenë lidhje gjaku me deputetë, politikanë, gjyqtarë, juristë apo gazetarë, as ekzistues, as të mëparshëm. Vetëm kështu do bëhej dekriminalizimi i paqshëm i medias. I kësaj që tre herë në ditë na servir dekriminalizime. Dhe vetë është shndërruar jo në megafon të politikës, po të megalomanive të pronarëve a drejtuesve që shfrytëzojnë hapësirën e tyre mediatike për t’u imponuar dhunshëm, në mënyrë amatoreske dhe më ilegalisht se kriminelët politikë në shtëpinë, kuzhinën dhe jetën e çdo shqiptari. Kjo media që supozohet se e gjitha bashkë, i detyrohet OSHE-së aq miliona lekë të papaguara të energjisë ndër vite, sa miliona familje varfanjakësh që kruajnë xhepat për 200 lekëshat e fundit për të paguar. Kjo media, dora vetë, që kërkon dekriminalizimin, e paguan OSHE-në duke i transmetuar “falas”, në formë kleringu, reklamën që na tregon se sa spitale e rrugë do shpërthejnë tani që dritat populli i pagoi , e oligarkët jo. Dhe për sa kohë media do i bjerë daulles që i ka lënë në dorë politika që i intereson të mbrojë, në varësi  të garancive që merr për bizneset e dyshimta e të patatueshme, dekriminalizimi as që ka për ta  kaluar periudhën e provës. Këtë të renë, të vënë me standard nga cështja Doshi, ku çudia i kaloi tre ditët e saj të famës. Ama rekordin tjetër nuk e theu dot. Njëlloj u harrua edhe ajo, si gjithë çuditë e tjera, pavarësisht kohës së lënë në dispozicion.

Dhe së fundmi, media dhe politike do vijojnë të performojnë të lumtura në palaço-teatrin e tyre, për sa kohë askush në këtë vend nuk ndëshkohet për asgjë. Përkundrazi, këtu drejtësia të kërkon edhe falje që të shqetëson në punët e paqta të krimit, të shoqëron edhe deri tek foltorja e parlamentit, që të merren vendime “në emër të popullit”, e të bën edhe pjesë të menysë 24 orëshe në media.

Zgjidhja është vetëm një dhe e përbashkët: me dekriminalizimin e politikës, duhet paralelisht të bëhet edhe delkriminalizimi i medias dhe ai i drejtësisë. Por, i pari nuk ndodh. Ndaj, dy dominotë e tjera, do vijojnë të rrinë drejt në këmbë pa asnjë rrezik në horizont. Kurse populli, do komentojë online, në kafene, ose  në zënkat idealiste tek sashtyn pa shpresë ditët e gjata pa punë.

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Kush rreh femrat, burg Nga eksodi në ortek

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

April 2015
M T W T F S S
« Feb   Sep »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  

%d bloggers like this: