Të të mësojnë nxënësit

21/02/2016 at 18:42 Leave a comment

Një sallë tipike konference diku në Ballkan. Si gjithë të tjerat në vendet në zhvillim: në hotel me cmime jo fort të lira, (ku të gjithë pjesëmarrësit, pavarësisht vendit apo emrit, ankohen për dhomat, ushqimin, kushtet, recepsionin, edhe sikur të jetë më i miri hotel që kanë qenë ndonjëherë).

Në krye qëndron vendi i ngritur për panelin. Me lule të shtrenjta, të freskëta përpara tavolonës dhe foltores. Përballë vendit të “të lartëve”, karriget në formë teatri për pjesëmarrësit që do shpenzojnë aty tetë orë përgjithësisht të mërzitshme, duke kontrolluar facebook-un dhe duke u ankuar se interneti është shumë i ngadaltë.

Kur të vijë koha e pyetjeve, pas prezantimeve të gjata e pa ndonjë vlerë të caktuar,  salla do bjerë në heshtje të bezdishme. Askush nuk ka pyetje, derisa ngre dorën njëri që flet 10 minuta, po pyetje nuk ka. Pastaj edhe të tjerë marrin zemër të flasin kot, se është kënaqësi të ndezësh dritën e kuqe të mikrofonit, pavarësisht se nuk fjalimet janë si kodra pas bregut.

Si në emisionet televizive!

Pothuajse të gjithë vijnë me 10 minuta vonesë. Të vetmit që janë të pranishëm në orar në sallë janë stafi administrativ ( gjithmonë të pavlerësuar) dhe ndonjë i huaj i ftuar, që zbret në kohë nga dhoma luksoze qëi kanë prenotuar, përgjithësisht për t’i treguar audiencës se rakia bëhet nga rrushi, ose se gruri mbillet në tokë, dhe se është i mahnitur të vërë re se ne, përfituesit e parave të rënda nga donatorët, jemi njerëz të mirë e miqësorë në pamje të parë, por kemi shumë rrugë për të bërë deri sa të mësojmë se në fakt, rakia bëhet edhe nga rrushi. Dhe nuk u gdhendëm që nuk u gdhendëm të kuptojmë sa shumë nevojë kemi për eksertët ndërkombëtarë që paguhen në një ditë aq para sa bërësi i rakisë fiton në një vit, edhe pse deri tek ai, esperti nuk arrin kurrë.

Kthehemi tek konferenca. Është për arsimin. Eshtë organizuar si të gjitha konferencat e tjera të mërzitshme në botë, me fjalime e falënderime, me prezantime dhe me postera nëpër mure, me fletëpalosje, letra të printuara dosjeve, bllok shënimesh me logot e gjithë dynjasë, dhe mahni se sa shumë janë përgatitur për këtë ditë (që nuk i hyn në shërbim askujt jashtë salle).

Dhe në mes të konferencës, pas cudirave rreth mrekullisë që organizatat vendase e ndërkombëtare pretendojnë se bëjnë me punën e tyre në trajnimin e mësuesve (sa para derdhen në emër të këtyre trajnimeve që as për pagesën e rrugës dhe drekën e shëmtuar standarde, mësuesit në asnjë vend të botës në zhvillim, nuk i duan më?), në mes të mërzisë e mezi-shtyrjes, ftohen në podium grupe gjimnazistësh, dy e nga tre për cdo shkollë, nga disa vende në Europë, që përgjatë 15 muajve,  kanë punuar në nga një projekt të vogël me metodën “Të nxënit duke shërbyer”. Dmth, nëse kanë mësuar në kimi cfarë është PH, dalin direkt në terren dhe me pushuesit në ndonjë park, aplikojnë eskperiment për të matur PH në ujë apo tokë, dhe teksa e bëjnë, e ndajnë me kalimtarët. Ose, nëse mësojnë për fundin e luftës së dytë botërore, shkojnë në ndonjë shtëpi apo qendër ku ka akoma të moshuar gjallë nga ajo kohë, dhe c’mësojnë në libër, i kërkojnë mendim edhe atyre.

Grupet kanë secili nga 10 minuta kohë për prezantim. Ekspertët e grurit dhe të rrushit e verës kishin 40 minuta monolog secili, por fëmijët me punën dhe prezantimin e tyre të parë në konferencë, kanë 10 minuta.

Dhe shtrydhen të thonë: “Përshëndetje. Mirë se ju gjetëm. Jemi të lumtur që jemi këtu”. Stil konferencier, me rëndësi dhe prestigj, sic kanë parë në televizor, e sic shohin edhe tani.

“Në fakt, nuk jam fare i lumtur që jam këtu,- ia plasi me një anglishte të përsorur një 17 vjecar polak. – Jam i lodhur dhe kofuz, dhe salla është pak e madhe dhe e errët. Projekti ynë është i gjithi në natyrë. Kanali ynë në youtube ka 800 regjistrime,  faqja në Facebook është e re dhe ka vetëm 4 mijë pëlqime, faqja jonë në instagram është më aktivja dhe na sjell shumë regjistrime edhe në youtube. Dhe në fakt, rezultatet e projektit tonë në kimi, i kemi bërë me video dhe me titra anglisht, këtshtu që le t’i shohim bashkë. Përfundimet nuk janë vetëm tonat. Në youtube na kanë ndihmuar edhe komentet e klasës x në Suedi dhe të grupit y në Kore. Jemi njohur online dhe punojmë bashkë për idenë”.

WAW. Ky është një nga momenet kur mbështetesh fort pas karriges, dhe kupton se koha e hotelit, konferencace, dosjeve, stililapsave me logo, posterave e prezantimeve, të ka lënë pas. (Edhe e politikës propagandistike dhe televizionit ku të ftuarit fryhen në karrige, gjithashtu)

Këta 17 vjecare kanë bërë video 3 minutëshe që tregon punë që një ekspert e një OJF do kërkonin dy vjet e dyqind mijë euro, dhe kompania mediatike për bërjen e dokumentarit, do kërkonte njëqind të tjera. Kurse televizioni do tw kwrkonte para ta transmetonte, ose ndonjw gjel-majw-plehut drejtues apo gjyshe me silikon do tw thoshte: “Nuk bwn pwr transmetim”.

Grupi i dytë nga Sllovakia erdhi me një Prezi aq dinamik, sa nuk goxoje si audiencë jo të shihje facebook-un, po as t’i hiqje sytë ekranit për asnje sekondë, se të ikte filli i shpejtësisë lëvizëse dhe informuese.

Grupi tjetër nga Cekia zaptoi tavolinën e VIP-ave në krye. E mbushi, zbrazi, shpjegoi dhe përfundoi me aq shkathtësi ekspertimentin e tyre, sa moderatorja nuk e kishte mbledhur veten akoma nga dalja nga skenari.

Grupi nga Bosnja befasoi me esperimentin e leksioneve të historisë. Kishin marrë tituj mësimesh e nëntituj kapitujsh, kishin udhëtuar në qytete larg shkollës së tyre, dhe në letër të bardhë, iu kishin kërkuar boshnjakëve të thjeshtë të përshkruanin ngjarjet sipas tyre. Dhe kishin vënë përballë: Tuzla e Marsit 1994 sipas tekstit të Historisë dhe Tuzla e Marsit 1994 sipas boshnjakëve të thjeshtë.

Edhe grupi nga Kosova madje befasoi me ekperimentin për përfshirjen sociale, kur kishte bërë bashkë nxënës, mësues, prindër, punonjës publikë a privatë, e madje edhe punonjës të policisë, pjesë të punës së përjavshme për mjediset e brendshme të shkollës.

Shkurt. Saktë. Drejt e në temë. Pa para (ato janë për ekspertët dhe drejtuesit) fëmijët nga vende totalisht të ndryshme, i dhanë tjetër atmosferë sallës. Ndëra në pjesën e parë të ditës ata ndjeheshin të huaj, në të dytën, pjesa tjetër, organizatorë, të ftuar, mësues, drejtues, punonjës ministrish me kollaro apo kostume të shtrenjta, me funde mbi gju, me flokë të sapo-dala nga parukiera e me canta të shtrenjta firmato për në konferencë, dukeshin totalisht të humbur. Të humbur në gjuhë, në përqasje, në një botë që nuk dinë as nga hyhet, as nga dilet.

Të rinjtë vinjnë nga një botë paralele.

Anglishtja e tyre është pa asnjë gabim. Anglishte youtubi nga filmat apo këngët që ju pëlqejnë më shumë. Mënyra e tyre e prezantimit në publik është thjesht e shkëlqyer. Angazhojnë auciencën me pyetje pa peshë, por thjesht të vërteta. Flasin shkurt dhe me fjali të qarta, sepse nuk kanë interes t’i bëjnë përshtypje askujt. Nuk e duan podiumin dhe as vendosjen panel-teatër. Vishen si t’u vijë dhe nuk mbajnë cantë fare.

Duan ndërveprimin, dinamizmin. Stilolapsi i tyre është smartphoni. A4 e tyre është po ai. Kënaqësinë e të nxënit e provojnë vetëm po e vërtetuan vetë atë që ju thua. Dhe nuk kemi gjë në terezi me shpejtësinë e tyre.

Të ekspozuar ndaj një morie të pamatë mënyrash të nxëni, esperimentesh, diskutimi, komunikimi e prezantimi, në 17 vjec, këta fëmijë flasin anglisht ashtu si asnjë mësues i tyre nuk do mundë kurrë. Prezantojnë ashtu si profesionistët dhe ekspertët ëndërrojnë, sepse videot dhe Prezit që bëjnë janë shumë më të shpejta sesa procedurat breshkiake të ekspertëve.

Dhe e zotërojnë sallën në atë masë lehtësie saqë si audiencë, ke frikë të përballesh me zotësinë dhe vetëbesimin e këtyre fëmijëve.

Dhe ndërkohë që organizatorët kërkojnë të plotësojmë të dhënat me stilolaps kush jemi, nga vijmë, telefon, e-mail e numër këpuce, fëmijët si bletë në krahun tjetër, ngarkojnë në blog prezantimet e tyre. Edhe profilin e secilit pjesëmarrës. Edhe të dhënat. Bashkë me fotot. I bënë me celular aty për aty. Edhe emrin e blogut e vendosën për 30 sekonda shkëmbim mes tyre. Edhe administratori dallohej qartë pas 5 minutash.

E në krye të orës, kur ne akoma mbanim shënime e shkëmbenim kartvizita, në videoprojektor u shfaq gjithcka që lexuart më sipër. Përfshirë kartvizita ime e përpunuar në stil elektronik. Bashkë me planin për hapat në vijim dhe lidhje (link) për cdo gjë që u tha e u prezantua në konferencë. Dhe detaje logjistike që të bëjnë të të vijë keq që ke lindur para vitit 1990.

Duke rrudhur buzët, një profesor me cantë të madhe e me syze doli në podium: daleni fëmijë daleni. Nuk bëhen kështu këto punë. Nuk keni marrë leje t’i publikoni matërialet. Nuk e dimë nëse të gjithë janë dakord. Se sic e kemi zbuluar në projektin trizet milionë euro, gruri mbillet në tokë…..

Dhe pas krahëve të tij, në videoprojektor, lëviznin, prapë në mënyrë dinamike, fotot e punës së fëmijëve. Nga Blogu i tyre, që e ndëtuan në më pak kohë sesa m’u desh mua të shkruaj këtë postim!

E ardhmja u takon atyre. Për fatin tonë të mirë.

 

 

Entry filed under: Uncategorized, Vezhgim. Tags: .

A i njeh këta çuna? Opiumi i javës nga media dhe politika

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
February 2016
M T W T F S S
« Oct   Sep »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
29  

%d bloggers like this: