Formula e re për në Universitet: mesatarja e lartë, pikët të ulëta

02/10/2016 at 18:57 Leave a comment

 

Skema e re e konkurrimit të maturantëve në shkollë të lartë ka ngjallur pakënaqësi. Si ta kuptojmë  skemën e re të aplikuar këtë vit nga Ministria e Arsimit dhe pse ka ndodhur që shumë maturantë me mesatare të lartë nuk kanë kapur degët e tyre të preferuara?

Në parim, duhet të ishte vazhdim i skemës së mëparshme të meritë-preferencës. Nxënësi më i mirë, merr degën që preferon. Këtu nuk ka risi. E reja e parë vjen tek formula e llogaritjes së pikëve, që është një algoritëm i bazuar mbi mesataren e shkollës së mesme, mesataren e provimeve të maturës shtetërore, peshën e mesatares së përgjithshme dhe asaj të maturës shtetërore, kriteret për lëndët me zgjedhje (ku secila lëndë ka një peshë të caktuar që varion nga njëra degë në tjetrën), llogaritet edhe mesatarja e kësaj lënde më vete për gjithë vitet e shkollës së mesme, ka total pikësh për tre lëndët e vendosura për kriter, ka edhe koeficent profili, vendosur nga MAS dhe totali i pikësve del duke llogaritur me formulën e përcaktuar për kriteret. Për ata që duan ta dinë fiks, formula është: Mesatare e përgjithshme gjimnazi x peshën e kësaj mesataraje +Mesataren e maturës shtetërore x peshën e kësaj mesatareje + pesha për lëndën kriter x (Mesatarja e lëndës me kriter 1+Mesatarja e lëndës 2 + Mesatarja e lëndës 3) x100 x koeficenti i profilit.

Ku qëndron klecka? Pse nxënësit me mesatare të lartë nuk fitojnë degën që duan? Kjo formulë përllogaritje pikësh është marrë vesh nga nxënësit vetëm pasi janë dhënë provimet. Pra ndryshoi metodologjia e shpalljes së fituesve. Shumica e maturantëve me mesatare të lartë nuk kanë marrë shumë pikë, ose kanë marrë deri edhe 25% pikë më pak nga të tjerët, sepse nuk kanë zhvilluar në të mesmen disa lëndë “kriter” që ka caktuar senati. Ka edhe ngatërresa në emërtimin e lëndëve, rrjedhimisht edhe në përllogaritjen e peshës së tyre. Që një student të fitojë Inxhinierinë e Ndërtimit për shembull, duhet ta dijë që në fillim të vitit shkollor 2015-2016 se cilët lëndë duhet të studionte si kriter për të marrë sa më shumë pikë e përqindje për ta fituar degën. Por ky vendim i senatit të UT ka dalë vetëm në Janar 2016, kur nxënësit ishin në mes të vitit akademik dhe i kishin filluar lëndët, pa qenë në dijeni të kësaj liste të re. Kjo u ka hequr direkt përqindje pikësh, dhe u ka dhënë shansin atyre që edhe pse me mesatare më të ulët, thjesht kanë zgjedhur lëndët e listës së publikuar me shumë vonesë.

Gjithashtu, MAS ka një gabim të pafalshëm për mungesën e plotë të fushatës së informimit për ndryshimet e bëra. Pretendimi mund të jetë se çdo gjë është online në faqen e Ministrisë, por përderisa zyrtarët e saj dalin përditë në media për politikë, do e kishin gjetur mundësinë të shpjegonin edhe ndryshimet e reja, që nxënësit dhe prindërit të merrnin masat dhe të bënin llogaritë para se të mbushnin fletën me degët e kërkuara. Pra terr informativ.

Shkurt, nxënësit me mesatare të lartë kanë marrë numër pikësh më të ulët nëse nuk kanë bërë në shkollë ato që quhen lëndë kriter. Në formulën e re këto lëndë dhe mesatarja e tyre gjatë të mesmes kanë një peshë të re. Shumica dërrmuese e prindërve dhe nxënësve nuk e kanë ditur këtë zhvillim të ri, dhe kjo i ka penalizuar.

Media po ashtu nuk ka treguar as interes,as njohuri për këto zhvillime, ndaj jemi në kaosin e sotëm. Opozita po si gjithmonë ka mbajtur anën politike të gjërave në ballë të qëndrimit të saj, dhe kjo ka zbehur besimin e njerëzve për t’i kushtuar rëndësi edhe atyre pak ekspertëve që ka fusha, të opozitës apo jo, që janë munduar të flasin për ndryshimet që në mënyrë konstante kanë mbajtur të fshehura.

Në reagimin e saj Ministria e Arsimit pretendon se gjatë gazës së dytë do të lirohen shumë vende të lira, ndërkohë që konkurrentët janë shprehur të frikësuar se mund të ngelin pa shkollë të lartë. Sa i vërtetë pretendimi i Ministrisë që shumica e studentëve do të pranohen në fazën e dytë?

Shumë i vërtetë.Çdo gur do lëvizë që edhe planet e saj të mos i prishë, por edhe të duket sikur njerëzit nuk i lëndon shumë. E keni vënë re që thonë “Prisni. Se nuk është kjo pamja e vërtetë”. Se doli pak jashtë parashikimeve mbrapshtësia e bërë fshehtas. Po në fakt janë rreth 25 mijë kuota për 27.600 aplikues. Pra nga gjithë ata që aplikojnë për studime të larta, në gjithë vendin, vetëm 2.600 i bie të mos fitojnë asgjë. Cështja është që në këto 25 mijë kuota numërohen edhe institucionet private, së bashku me studimet dy-vjecare dhe me universitet e rretheve. Dhe vërtet, faza e dytë do të sjellë risi. Aq më tepër që MAS po reagon çdo ditë, edhe pse e bën pa zhurmë. Sot për shembull është hedhur në faqe udhëzimi i ri i Ministres që krejt papritur e pa bujë, heq mesataren si kriter regjistrimi për studimet dy-vjecare, ndryshon rregullat për transferimin e studimeve, lehtëson hyrjen në një program të dytë studimi, etj. Por bëhen si pa zhurmë ndryshimet dhe thjesht hidhen në faqe. Kush i sheh, i sheh. Nesër, pasnesër, dalin në konferencë e thonë: aty i kishit. Transparentë jemi.

Maturantëve i kërkohet të bëjnë dhjetë përzgjedhje. Kjo është cilësuar  prej tyre një vendim absurd. Ju si e shihni këtë propozim?

Nuk është viti i parë që aplikohet. Absurde është heshtja për vendimet e marrë fshehurazi për ndryshimin e metodologjisë dhe mos-informimi për një ndryshim kaq madhor që prek afro 30 mijë fëmijë, 60 mijë prindër, të paktën 60 mijë motra e vëllezër të maturantëve. E meqë MAS-it i pëlqejnë shifrat, bashke më publikun, janë rreth 200 mijë shqiptarë të çoroditur e prekur drejtpërdrejt sot, e po kaq të tjerë konfuzë teksa nuk arrijnë të kuptojnë c’bëhet me këto eksperimente. Reforma dakord. Por eksperimente ku askush nuk sqaron asgjë pa e përzier me propagandë, nuk mund të bëhen në kurriz të 200 mijë njerëzve.

A ka mundësi që çdo maturant ta shohë e verifikojë vetë hap pas hapi procedurën e përzgjedhjes gjatë procesit, pra ta kontrollojë atë personalisht on-line?

Procedurën jo. Formulën tashmë e dinë. Pikët e tyre po ashtu. Ajo që mund të ndjekin fazë pas faze është sa lëviz emri i tyre në degën që duan dhe si ndryshojnë mundësitë e fitimit në çdo degë.

A e dëmton kjo procedurë e cilësuar nga maturantët si e mbrapshtë kontaktin informativ të kandidatëve me degët ku duhet të shkojnë?

Për momentin është terr, sepse kështu iu intereson palëve, sa të kthjellohen se sa studentë e para do shkojnë ku. Sa të zgjidhet kjo dilemë së brendshmi, edhe nxënësit fitues do të kenë mundësi dhe informacion më shumë. Por, kjo “mbrapshtësi” thjesht përgatit terrenin për idetë që vetë hartuesit e saj kanë ndër mend të arrijnë. Dhe do e bëjnë.

Kapacitet e universiteteve publike janë të kufizuar, ndërkohë që numri i maturantëve që dëshirojnë të shkojnë në universitet publike është shumë më i madh. A është e mundur që të sigurohet shkollim për të gjithë maturantët?

Patjetër që po. Siç u tha më sipër, kuota ka mjaftueshëm për të gjithë nxënësit që kanë dalë relativisht mirë në shkollën e mesme. Të penalizuarit do të jenë ata që duan vërtet një degë të caktuar, nuk e kanë fituar dot, e do detyrohen të shkojnë të privati. E të tillë formula e re nxjerr me shumicë. Të tjerët do arsimohen siç ka ndodhur deri tani, në institucionet arsimore  të rretheve ose në ato private. Për më të mirët mund të ketë mbështetje edhe nga MAS. Për të tjerët, nga xhepi i prindit, siç ndodh prej vitesh.

A po e favorizon kjo skemë e re e Ministrisë së Arsimit universitetin privat?

Kjo është risia tjetër e kësaj reforme: futja e dhimbshme e institucioneve private në garën arsimore paralel e njëjtësisht me publikun, në kërkim të burimeve më të mëdha financiare e njerëzore. Me bekimin e plotë të qeverisë aktuale. Mes të tjerash, këto institucione do kërkojnë të marrin studentët e mirë që në fazën e parë rrezikohen te ngelen pa degën që duan, dhe rrjedhimisht do kërkojnë alternativë tek privati. Që do të ketë më pas të drejtë të kërkojë fonde nga ministria për të edukuar këta fëmijë, nëse nuk do kenë mundësi të paguajnë studimet. Qeveria do e shesë këtë si rast suksesi të partneritetit-publik-privat, (si në rastet e dializës që bëhen në spitalet private e paguhen me katërfish cmimi nga shteti), por që në fakt do jetë thjesht ushqyerje e institucioneve private me fonde publike. Gjasat kështu janë të gjitha.

Entry filed under: Arsim, Uncategorized. Tags: .

Opiumi i javës nga media dhe politika Opiumi i radhës: O sa mirë me qenë shqiptar (?)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2016
M T W T F S S
« Sep    
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: