Ngjarje pa fund e pa krye. Media dhe politika i lënë pa punë në çast aktorët e humorit.

10/10/2016 at 22:19 Leave a comment

…Lajmet qesharake në njërin krah e mungesa e lajmeve në krahun tjetër; shqipja e sakatuar nga media e shkruar; prepotenca e gjyqtarëve apo e spikereve të lajmeve; kthimi mbrapsht nga policët kufitarë serbë në Kosovë; një grua që në parukerinë e saj punon edhe si rrobaqepëse; një gjysh në Vlorë që mëson kompjuterin, se do të lidhet e të shohë në skype fëmijët. Këto dhe sa shumë të tjera më poshtë në vëzhgimet mbi Shqipërinë në vizitat e mia të fundit.

Politika

  1. Porti i Karpenit, në Kavajë: Na e shiti si ngjarje goxha të shënuar qeveria dhënien me koncension për ndërtimin e portit të Karpenit. Kompania që e ka fituar konçesionin e projektit Morgan, një farë Star Bridge Port Developments, rezulton me 100 euro pasuri dhe asnjë të dhënë publike mbi aktivitetin e saj. Kështu thotë BIRN, që ka pasur kohën dhe kapacitetin të gërmojë gjerë e gjatë në historinë e kësaj ngjarje të çuditshme që i dha 1700 ha tokë në bregdetin e Kavajës një kompanie që akoma pa e marrë miratimin nga qeveria shqiptare, i shiti aksionet e saj tek një kompani në Singapor (One Gate Asia PTE). PD na tha se aty, në Singapor, paska shumë qejf i vëllai i kryeministrit të udhëtojë shpesh.E me kaq e la edhe opozita. Ndërkohë, mësuam edhe se këto kompani që do bëjnë namin e di rrisin prodhimin e brendshëm bruto në fushën e prodhimit me 57% (sipas ministres së Turizmit), nuk ofrokan tjetër veç mend e llafe. D.m.th. janë kompani konsulence. Pra duan lekë, nuk japin. Po kush do i bëjë investimet? Dhe kush do i paguajë këto kompani?
  2. Pagesat për “të huajt”: Po kështu ndodh edhe me pagesat që vazhdojmë t’i bëjmë kompanive të Toni e Cherrie Blair, prishjes së kontratës me General Electric (për pak vajtëm me tramvaj në Durrës), çekëve të CEZ, Bektel Enkës për Rrugën e Kombit me drethklat dhe çuditë e saj dy korsi-një korsi – gjysëm korsie – gjysëm ure – një korsi – dy korsi – hic siguri dhe ja, do paguajmë sa të kemi frymë edhe për këtë rrugë ndërtuar me të hollat që ngelën pas vjedhjeve masive në buxhetin e destinuar për të.
  3. Aeroporti i Ishmit: Në fakt unë mendoja se Kukësi mezi pret t’i zhbllokojnë të drejtën e përdorimit. Po që Ishmi të ishte kaq i fortë? Dhe jo i vetëm? Qesharakja vazhdon sepse Ministri i Brendshëm, si kaposhi majë plehut, reciton për gabime të syve e mendjeve tona. Njëlloj siç thanë edhe për Divjakën apo për Gjadrin. Dhe çdo fushë futbolli që lejon uljen apo ngritjen e adhuruesve të gjelbërimit të shtuar shqiptar e të “turistave” pa autorizim.
  4. Lajme të bukura nga Ministria e Mbrojtjes: Përveçse Ministrja na paska lënë pa gojë me sharmin e saj çdo homolog, gjeneral a major të brendshëm e të jashtëm që paska takuar, e që bën shopping me helikopter personal, madame Kodheli shquhet edhe për reformën e saj të thellë në fuqizimin dhe mbështetjen e ushtarakëve në Shqipëri. Nuk e dinit ju që kapiten anije për shembull bëhesh edhe pa ditur not, mjafton të jesh anëtar partie? Apo që rroga e një detari është 42000 lekë, në det të hapur e të mbyllur, me netë e javë të tëra jashtë shtëpisë? Po pra, punonjësit e policisë, mësuesit e mjekët edhe kanë parë nga një gjoja rritje page. Kurse ushtarakët vazhdojnë të jenë të diskriminuarit e qeverive, edhe pse puna e tyre është fizikisht ndër më kërkueset dhe më të vështirat.
  5. Majlinda Bregu vazhdoka të bëjë namin në deklaratat e saj kundër Bashës, brenda e jashtë PD-së. Edhe? Si e forcon kjo opozitën në Shqipëri? Cili është përfitimi i shqiptarëve mbështetës ose jo të opozitës?
  6. Fresh VOICE. Nuk tallem jo. Konkurs sikur do nxjerrim më të bukurin a më zë-bukurin e Shqipërisë. Me juri përpara e me komente performance. Të rinjtë e FRESH me rroba të shtrenjta që ua kanë blerë mami e babi, kërkojnë më çdo kusht të imitojnë shëmtuar partinë që të bëhen pjesë e pisllëkut të saj sa më shpejt. Të rinj të transformuar. Gjynah!
  7. Zhvillimi profesional i mësuesve dhe drejtorëve. Hm. Ka diçka që nuk shkon. Ky instituti i Lidershipit a si quhet, krijuar si nën-degë a degë e çuditshme e Institutit për Zhvillimin e Arsimit, si do përgatitka lider në arsim që do inspektohen nga vetë ata që u bëjnë trajnimet? Sa e hollë paska qenë kjo Rilindja për të trashët ne.
  8. Ekonomi dhe financë: Mbusha makinën me naftë në Shkup. Thashë mos ma bënë llogarinë gabim. Një serbator, 35 euro. Dale prit. Në Tiranë më bëri 72 mijë lekë. C’është ky cmim? Shoh faturën? Me 73 cent. E pabesueshme. As 100 lekë litri. 60% më lirë se në Shqipëri? C’është kjo rrjepje që më bën, qeveria ime? Dua ta di. Meritoj ta di. Duhet të më thuash, ti dhe hajdutët e tu. Se nuk presim dot sa të bëhet rruga e Arbrit e të shkojmë një orë përtej kufirit sa për t’i shpëtuar makutërisë suaj të vjedhjes.
  9. Plehra dhe maratonë: Më pëlqeu shumë ndërveprimi i Bashkisë së Tiranës me publikun ndërkohë që organizohej apo edhe ditën kur u zhvillua protesta e madhe dhe domethënëse e shqiptarëve kundër ligjit të plehrave, të atij për të cilin çdo qeveri është pro dhe çdo opozitë është kundër. Bashkia dilte orë e minutë në FB e ndërkohë që na dilnin tym nga veshët për plehrat, na pyeste gjithë entuziazëm: U regjistrove për maratonën e Tiranës? Fiks në të njëjtën gjatësi vale me shqetësimin e popullit.
  10. Arsim: Vërtet maturantët nga shiu në breshër? Edhe faza e dytë po aq lëmsh sa e para. Vetëm nuk të lënë tymnajat e plehrave e të ndeshjeve të kombëtares (e maratonat e Bashkisë), pa lëmshi aty para portës së MAS ka ngelur. E jo vetëm maturantët. Tani edhe studentët e masterave me ultimatum: Keni katër ditë kotë të regjistroheni, ose përfunduat të gjithë te privati – thotë Ministria. Ndjehem kaq me fat që kemi drejtues të tillë. Qartësia e vizioni vetë. Lum ne që të paktën këta drejtues e politikanë, nuk largohen nga Shqipëria, se do na kishte marrë lumi.
  11. Arsim 2: Një prind tek MAS. Kërkon përgjigje pse e e bija me mesatare afër 9-s, nuk është fituese as në raundin e dytë. Nga veshja duket i lodhur dhe i largët. Përgjigja që i dhanë në korridor ishte shumë e bukur: “Shko te universitetet ku ajo ka aplikuar. Kërko të drejtën. Nëse nuk ta japin, hidhe atë institucion arsimor në gjyq. Po nuk e fitove gjyqin, hajde prapë këtu te ne”. Ka lezet. Prindi u ndje shumë i ndihmuar. Edhe unë shumë e lumtur që shoh sa mirë ecin gjërat në më delikaten fushë: arsimi ynë i shkretë.

 

Media:

  1. Vdekja e nënës dhe foshnjes në maternitet: Nuk morëm vesh c’u bë me vëllanë e arrestuar të gruas që vdiq? Ky u arrestua se “prishi qetësinë publike dhe pronën e spitalit”, derën, teksa kërkonte mjekët të vinin në ndihmë të së motrës. Gjynah që nuk ka një koleg të lirë të shkojë të merret me këtë të vëllanë dhe të na thotë edhe ne të tjerëve nëse vëllezërit apo bashkëshortët tanë do kenë të njëjtin fat nëse nga dëshpërimi për të shpëtuar një grua në lindje që po vdes, arrestohet nga policia jonë trime.
  2. Meqë jemi te policia, bëra pothuajse 2500 kilometra rrugë brenda një jave nëpër Europë dhe nuk e mësova që nuk mësova si i kanë uniformat, pamjet e qëndrimet policitë rrugore në Europë, apo edhe në vendet fqinje. Sa hyj në vendin time të dashur, çdo 10 metra një polic. Janë në rrugë për gjithçka, vjedhje, gjoba, arrogancë, shqetësim. Vetëm për të rritur sigurinë time jo. Se përndryshe do ishin shqetësuar edhe në të gjithë vendet e tjera.
  3. Edhe një herë te vdekja e Aidës me foshnjen: Po pres me padurim ndonjë dokumentar për të gjithë ngjarjen. Të gjatë, edhe më shumë se 30 minuta. E të dëgjoj edhe një herë ministrin që thotë se gruaja paska refuzuar vizitën.E dua këtë dokumentar sepse ky ligjëron akoma për trashësi të tjera në fushë, e ajo është nën tokë. Por edhe sepse janë rreth 500 mijë gra e vajza në Shqipëri duke u bërë ose që do të bëhen nëna. Me kaq do e shuajmë shqetësimin? Më nga një deklaratë?
  4. Lajmet në Top Channel vazhdojnë të prodhojnë imazhe të një Shqipërie të bukur, të lumtur, të qetë, pa asnjë pakënaqësi ndaj qeverisë. Si ndërroi kaq shpejt në 3 vjet ky vendi ynë? Si nuk ka një Shqipëri tjetër? Deri sa në pushtet të vijë e djathta, do e hamë sapunin për djathë, u pa puna. Dhe protesta e plehrave do transmetohet në 2021, kur në pushtet të jetë PD.
  5. Ndërkohë, lajme kundër qeverisë nuk ka asnjë, ama lajme të dobishme ka që ç’ke më të në Top Channel. P.sh., në edicionin e datës 16 Shtator, një kronikë e tërë i është kushtuar një shfaqeje që u titulloka “Një gur gabim”, e që do vihet në skenë edhe shqip, edhe greqisht. Bukur. Qendra e kronikës ishte Luiza Xhuvani. Po po ajo, nëna e atij djalit që vrau një herë një njeri, e kur e lëshuan nga burgu, edhe katër të tjerë. Edhe unë e dua me hope aktoren Luizë, dhe më dhimbset nëna brenda saj. Por jo deputetja që ndërhyri për të liruar një herë të birin nga burgu për të bërë kërdinë sërish. Dhe nuk mendoj se media duhet të merret me kurimin e imazhit të saj. Jo më. Le të luajë. Do shkojmë ta shohim. Por nuk ka si të bëhet kryelajm kulture. Eshtë shpim thonjsh mbi familjarët e atyre njerëzve që i biri asgjësoi. Dhe është fyerje për publikun t’i imponosh artificializma të njerëzve të famshëm që kanë probleme me drejtësinë.
  6. Niste kronika e një televizioni: “Një studim serioz ka nxjerrë në pah se burrat janë në rrezik trafikimi dhe luajnë shumë bixhoz”. Etj, etj. Dakord. Po kjo fjala “serioz” ç’ishte në një kokë lajmi?
  7. Kryetitulli në një portal lajmesh: “Të ftuarit specialë e dasmës mbretërore”. E shkreta gjuhë. E mjera shqipe ç’i bëjnë shqiptarët. Të nderuar kolegë gazetarë: përcaktori me drejtim “specialë” i përdorur në këtë fjali, i shprehur me mbiemër të pashquar, vendosur pas kryefjalës “të ftuarit”, e bën të detyrueshme që kallëzuesori që e ndjek, të marrë jo formën e tij, por të emrit që ka përpara. Ndaj në shqip, fjalia e saktë do ishte: “Të ftuarit specialë TË dasmës mbretërore”. Faleminderit.
  8. Dhe ju lutem. JU LUTEM kolegë të medias së shkruar: Gërma “ë” është pjesë thelbësore e shqipes. Kur ta heqin gjuhëtarët nga qarkullimi, do na lajmërojnë. Deri atëherë, ju lutem, shkruajeni shqipen me “ë”.
  9. Iku një biznesmen, investitor nga Shqipëria, se e rrahën. Akoma nuk e dimë qartë kush e si e qysh. Dhe nuk kemi për ta mësuar, se kaluan tre ditët e tij të famës. Por ajo që më kuriozon më shumë është të di nëse vërtet ky njeri ishte investitor?
  10. Në dhomën e grimit të një televizioni. Grimierja i fut një laps të zi syve e më bën sikur më kanë goditur me grusht forca të errëta. As krem, as pudër, as rimel. Vetëm një laps i trashë i zi që ngjasonte me mikpritjen që ofroi. Sikur ta kisha unë fajin që duhet të dilja në ekran, me minimumin e përkujdesjes nga ana e saj. U duk qartë që nuk qemë dakord për ça po ndodhte. Pastaj të vjen furtunë një çupë a grua. E panjohur. Mendova mos ishte e ftuar me mua. Nga mënyra si puthi në ajër grimieren, e kuptova që duhet të ishte staf. Kishte lajmet. Pra spikere. Më falet. Kam disa kohë që nuk e ndjek rregullisht ekranin dhe këto ndryshojnë si mbreti gratë. U ul gjithë pompozitet në karrigen e grimit dhe fliste gjithë kompetenca për flokët, thonjtë, veshjen (edhe pse nuk ishte e nevojshme të ishte kompetente në këto). Jo një, po dy grimiere filluan ta suvatojnë gjithë kujdes. Nga kurioziteti pashë më vonë lajmet. Lexonte. Lexonte koka lajmesh, siç bëjnë edhe 100 apo 150 folës të tjerë në 50 kanalet televizive që ka Shqipëria. Pra, pse pompoziteti? Hm!!!
  11. Pak ditë rrugëtim në Shqipëri, rrugëve kryesore, dytësore e anësore bie makina gropave, dëmtohet në asfaltet e gërryer, rënkon nga kilometrat e pashtruar, lëngon nga njerëzit e varfër që udhëtojnë fugonëve e autobuzëve që transportojnë mjerim, dhe shqetësimi primar i disa ditëve në media ishte legalizimi i prostitucionit????
  12. Unë kam lindur në kryeqytetin socialist, Fierin” – lexova në prezantimin që i kishte bërë vetes një djalosh i lindur në 1993, kandidat nga këta të Fresh Voice. Sa gjynah. Kaq i ri dhe më këtë nivel tru-shplarje.

Kosova

  1. Për herë të parë pas shumë hyrje-daljeve në kufirin Besjanë-Merdare (Kosovë-Serbi), polici serb i kufirit më ktheu mbrapsht. “Ky nuk është kufi zyrtar. Shko në Maqedoni të hysh ligjërisht në Serbi” – më tha dhe dukej që nuk kishte qejf për muhabet. Tani e di që në kufi, gjithçka varet nga njeriu me të cilin përballesh. Nga ai që ka uniformën veshur. Deri atë ditë kishte qenë ok. Kurse ky zotëri kishte pasur ditë të keqe, edhe na shtoi edhe katër orë rrugë e 300 kilometra për të mbërritur në Nish nga Maqedonia e jo nga Kosova. Dhe pyes: Përse nuk i kthejnë edhe policët shqiptarë të Kosovës mbrapsht të gjithë serbët që duan të hyjnë në Kosovë nga Merdare? Ç’bëjnë gjithë ato maune pa fund me ushqim serb që mbysin Kosovën? Ç’është ky nënshtrim i ligjëruar? E me nerva ngisja mbrapsht përmes Podujevës për në Prishtinë, Ferizaj, Han të Elezit, Shkup, Kumanovë, Medvegjë, Vranje, Leskovac, për të arritur në Nish, ndërkohë që isha në Besianë, vetëm 1 orë larg Nishit, po të më kishin lejuar si përherë për të kaluar aty kufirin. Inat i kotë. Asnjë kufi në Ballkan nuk ka më kuptim, si në Europë.

Sociale

  1. Ora 09.30 e mëngjesit. Bulevardi te ETC plot me makina. Buzë Lanës, në trotuar, një burrë e një grua me nerva përballë njëri-tjetrit. Gruaja i rrëmben telefonin nga dora. Ai i bërtet: “Mos guxo ta hapësh”. Ajo e shihte sikur do e përpinte në moment. Dhe e hapi. Sa u hap kapaku, fffshshshsttttaaaauuu, një shpullë faqes e syve. Rreshti i makinave lumë. Dëshmitarë në nxitim e sipër. Ca metra më tutje, një grup policësh të mobilizuar vinin pa pushim gjoba për mospasje të sediljeve për fëmijët 10 vjeç dhe për drita të ndezura gabim në kabinë.
  2. Dhe më kujtoi një episod të ngjashëm. Duke hyrë në Tiranë, pranë Fakultetit Ekonomik, nga dritarja e makinës shoh shkelmat e grushtet e një burri mbi një vajzë të re, që nuk dinte ku të mbrohej më parë. Doja t’i bërtisja, kur pak metra më poshtë shoh patrullë policie. Ndala menjëherë: “Më falni zotërinj, se mbase nuk iu lenë makinat të shikoni. Po shih ça po i bën ai kafshë asaj gocës? Nxitoni pak t’a ndihmoni”. Më panë gjithë bezdi: “Vazhdo hap rrugën goce, se nuk jemi policia e rendit ne. Ne kujdesemi për qarkullimin rrugor”. Shokim. Raste të tilla nuk janë të pakta. Dhe telefoni im do jetë bërë bezdisës aty ku pranohen thirrjet në polici, se përherë i bie e jap të dhëna ku jam e çfarë po shoh. Por ndihmën nuk e kam akoma në veprim L
  3. Fundjavë ndryshe. Kam vite që e bëj individualisht duke ndihmuar njerëz e familje në nevojë. E kuptoj se impakti është më i madh kur bëhen shumë dhurues bashkë. Bravo dhe jam gati t’iu bashkohem për kontributin e radhës.
  4. Një deputete dhe një aktivist kanë shkëmbyer mesazhe e komente në facebook ku derdhin talentin e tyre në fjalor e mendimet për njëri-tjetrin. E pastaj? Pse duhet portalet të na e sjellin këtë në dorë (celular) çdo minutë? Si e rregullon kjo gjendjen e njërit apo tjetrit? Dhe cili është përfitimi i publikut nga ky shkëmbim “të sharash” që përbëka lajm?
  5. Në Shkodër për një aktivitet. Hyra te një parukeri për t’u bërë gati. Brenda saj, një makinë qepëse. Thashë mos kisha ngatërruar hyrje, por mbi dyqan lexonte “Parukeri”. Nuk isha gabim. “Jo nuk je, – më buzëqeshi gruaja shkodrane.- Bëj edhe krehje, edhe mbaj makinë qepëse për ndonjë punë me gratë e lagjes. Se tani dimrit nuk kam shumë punë me parukerinë. Ça ma bo? Duhet me i dit. Me punue c’ka t’mundemi”. Ndjesë për shkodrançen e riprodhuar keq, por ajo grua ishte një model. Dy profesione në dy metra katror vend, për të siguruar të ardhura për familjen e saj. Respekte pa fund, grua!
  6. Te zyra e punës në Vlorë, si në çdo zyrë tjetër pune, ofrohen edhe kurse trajnimi të ndryshme. Te zyra e regjistrimit, hyn një gjysh lab me bastun e me tirqe të bardha. “Dua të mësoj kompjuterin moj bijë” – i thotë vajzës te regjistrimet. Ajo sheh kartën e tij të identitetit. Datëlindja 1932. “O gjysh, ti je 84 vjeç. Ka një limit mosha këtu te ne për t’u pranuar për kurse. Nuk të regjistrojmë dot”. Ai nuk thyhet: “Po pse moj bijë? Do vij çdo orë mësimi. Ja të shoç. Nuk mungoj jo. Do e mësoj kompjuterin”. E pranuan nga kurioziteti. Kishte edhe një çantë laptop-i me vete. Fare i ri. I instaluan Skype dhe e ndihmuan duke kërkuar e regjistruar fëmijët, nipërit e mbesat e tij. E nuk iu nda kursit të mësonte edhe ndonjë komandë më tepër, e mbante shënime model në një fletore që e mbante me shumë kujdes….

Sport

  1. Kampionat shqiptar, ndeshje në Kukës apo Elbasan. Me lot. Loja më kujton gjoja futbollin që bënim në 8-vjeçare me shokët e klasës te fusha e sportit, e futeshim nëpër skuadra edhe ne vajzat, sa për të prishur pasimet. E si mund t’ia vënë emrin kampionat? Ka edhe tifozë pa le. E ka edhe emisione sportive. Me lot pra. Kampionat vetëm për të shitur e blerë baste nëpër botë. Se të luash futboll të bukur është njëlloj si të jesh profesionist i mirë në çdo fushë tjetër. E si ka thënë kryeministri: punë ka, por nuk kemi profesionistë.
  2. Në vazhdën e të qeshurës me lot, fusha e stadiumit të Shkodrës nuk më lejonte të shijoja Spanjën, aq shumë ta tërhiqte vëmendjen. Llokma-llokma shkulej bari e i ngjitej pas këpucëve e pas uniformës së futbollistëve. Te të bardhat e spanjollëve dukej më bukur cilësia e barit të stadiumit tonë me standarde botërore. Lajmi i mirë është se edhe ajo fusha që do bëjnë me të shkoqurat që do ngelen pasi të ndërtohen ato dy kullat e shëmtuara në Tiranë (ajo që do jetë gjoja fusha e ish-Qemal Stafës pra), pritet të ketë të njëjtën cilësi botërore si fusha e Shkodrës.
  3. Për ndeshjet e Kombëtares nuk kam koment. Forca Kosova.

Kronika rozë

  1. Brad Pit më në fund është i lirë. E them si pjesëtare natyrale e Aniston Team. Po gjithë ky trishtim në median tonë ç’ishte? Si mund të diskutosh “vdiq dashuria e vërtetë” ngaqë u ndanë dy njerëz të martuar nga katër herë? Ça dashurie ishte ajo? Dhe qysh kur shqiptarët e marrin modelin e familjes dhe të dashurisë nga Hollivudi?
  2. Ledioni është më i dashuruar se kurrë. E thonë mediat pranë medias ku ai punon. Po. Kryelajm. Festë kombëtare.
  3. Blushi, Spiropali, Gjylmezi, me letra e me mesazhe njëri-tjetrit. Ç’bën ky lajm te seksioni rozë? A, pse ku tjetër? Plot lajme rozë mësova për të tre prej shkëmbimeve e për shkak të tyre. Ca i thanë vetë, e ca ushtria e lajm-dashësve që i ndjek hap pas hapi.
  4. Kush është ky vipi Shuhradie Shabudolli? Paska bërë një dasëm e paskan shkuar gjithë VIP-at e tjerë. E qenka bërë nami e diçka. Si nuk i njoh më VIP-at shqiptarë? Shenja të këqija këto. Ah prit, kjo Shuhradia e paska emrin Shyhrete. Dhe jo Shabudolli, por Behluli. Shyhrete Behluli, jo Shuhradie Shabudolli… E ç’ndryshim ka?

 

Vëzhgime të tjera

  1. Ç’mendon për pastrimin e shkallëve dhe të korridorit” – pyes një “pjeshkë” që më vjen në pallat gjithë poza e parfum në 11 e ca të natës. “Uaaa të lumshin duart sa mirë e keni bërë”…Dhe kërkon të ngjitet lart. Por unë i kam zënë rrugën me kovën, detergjentin enkas për pllaka mermeri zhulse të pallateve shqiptare, furçën e ashpër dhe 4-5 pastruesit e tjerë. Vjen edhe pjeshka tjetër. Nuk thotë as mirëmbrëma. Justifikohet se ajo thjesht rri me qera në pallat dhe nuk ndjen detyrim të kontribuojë apo të mendojë për pastrimin e pjesës së përbashkët. Ngjiten sipër dhe diskutojnë të gjitha e më kthehen me sytë që u shndrisin nga zgjidhja: “E gjetëm. Secili do pastrojë pjesën e vet. Kështu na ka thënë edhe pronari i pallatit”. Banojnë të gjitha lart, e për të shkuar në shtëpitë e veta, kalojnë e lënë baltë shkallët e vetme që të çojnë te “pjesa ime”. Ideja gjeniale: “Por unë nuk banoj këtu goca, dhe nuk e bëj pis pjesën time duke mos qenë këtu. Ama sa herë që vij, do pastroj atë që zhulosni ju”? Dhe dua edhe të qesh, se duhet zgjidhur situata. Ato qeshin edhe më shumë: “E kuptoj. Të kuptoj. Po s’kemi ç’të bëjmë. Ky fat të ra”. Po. Shqipëria më ra nga qielli. 10 vjet në pallat, prita, pagova, organizova, u largova, vij e iki, e shkallët dhe korridori i përbashkët akoma nuk kanë gjetur shërim. U futa i pastrova vetë dhe qesha me një shprehje që m’u kujtua: “ I am the person I was waiting for”. Ta bënte punën aq mirë me shkallët d.m.th. Po sa herë?
  2. Nëse ju zë rrota bishtin të keni punë me administratën, e hëngrët. Çdo dokument duhet i Çdo noterizim njësim origjinali me kopjen kushton 600 lekë faqja. Unë kisha këtë javë 50 faqe. U kënaqa. Lekë pafund të hedhura poshtë për një akt që jo gjithmonë është i nevojshëm.
  3. Në njërën nga zyrat noteriale ku isha, hyri rëndë-rëndë një zotëri që na pa gjithë përçmim ça ishim në zyrë. U ul pa asnjë interes te një karrige. U lëshua në fakt. Dhe kishte vështrim që më nxiti të shfryja “Pffffff”. I veshur me këpucë që ndriçonin e me kostum gjoja të shtrenjtë, por me një bark që ia shëmtonte gjithë pompozitetin. Një tjetër kliente ngjitur po thoshte: “Ja ky është gjyqtari, burri i noteres”. U sa mirë. Nuk e di ça parashikon reforma, po do ishte e pavlerë nëse nuk iu ul barkun dhe fryrjen si gjel këtyre njerëzve.
  4. Zgjidhja më e mirë për të mos parkuar rrugëve të Tiranës nuk vjen as nga policia, as nga gjobat. Vjen nga LART. Nga zogjtë. Aq shumë janë shtuar pemëve në rritje, sa po guxove të lesh makinën poshtë pemëve, e gjen si një kotec të madh të shpërdoruar nga jashtëqitjet e tyre.
  5. Në një konferencë tjetër.E radhës, si pothuajse çdo javë. Dallohen që në prezantim akademikët e lindjes me ata të perëndimit. Të parët lexojnë tekste të ngjeshur mundësisht me shkrim 8-sh në Powr Point, të dytët janë të çlirët, të lexuar, të artikuluar. Dhe arrogantë në momentin e parë që iu lejohet të heqin maskën e mirësjelljes. Shqiptarët kanë marrë nga të dy kahet. Më mirë, se përshtatja duhet edhe në akademizëm.
  6. U ula në tavolinë me tre miq të mi të medias. Kohë pa i takuar. Muaj pa qeshur aq shumë me vëzhgimet e holla dhe komentet e profesionit. Më kishte marrë malli. Shumë. Gazetarinë nuk kam për ta lënë dot mënjanë kurrë. Rrjedh ne dejet e mia, që fëmijë.
  7. Vlera, jo plehra – thoshte statusi i dikujt në Fb. Po. Duam vlera, jo plehra. Po…..
  8. Pse vetëm në Qendrat tregtare në Shqipëri dëgjon fëmijë që ulërijnë? Tekanjozë. Qaramanë. Bezdisës? Pse edhe nëse je në ndonjë qendër tregtare në Hong Kong a në Japoni, apo kudo që të shkosh e sado larg, po dëgjove një fëmijë që qan e çirret nga tekat, shokuar dëgjon të ëmën që i flet shqip? Pse fëmijët tanë ulërijnë???? Pse kryesisht vetëm këta? Hmmmm.

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Opiumi i radhës: O sa mirë me qenë shqiptar (?)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2016
M T W T F S S
« Sep    
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: