Çadra, plehra dhe apati

04/03/2017 at 19:11 Leave a comment

Botuar në gazetën Shekulli, 4 Mars 2017.

Çadra e opozitës vijon të rrijë e ngulur para kryeministrisë, stoike. Ajo nuk ndryshon. Vetëm pretendimet dhe pikat e opozitës ndryshojnë çdo ditë. Nuk kanë zënë vend akoma. As në mendjet e tyre, as në sytë e veshët  e sehirxhinjve. Një çadër më e madhe dhe më moderne sesa ato të PS-së, ngulur mu në të njëjtin vend ca vite me parë. Vetëm cilësia dhe forma e mbulesave ka ndryshuar. Kurse mënyra e bërjes opozitë në Shqipëri është po aq mjerane.

Përtej formës së çadrës, ndryshimet e tjera me katrahurën që bëri PS në 2010-ën, janë të pakuptueshme. Edhe kronikat në media janë po aq melodramatike dhe të fryra me propagandë. Veçse se në grevën e PS-së, kishte çdo ditë nga një ambulancë që merrte pjesëmarrës vetëm me praninë e kamerave, dhe po ata të sëmurë çadristë, i shohim sot nga llogoret e PS-së e studiot e saj televizive teksa vënë në lojë çadrën e kundërshtarëve. Mbase nuk ju pëlqen ngjyra e tyre. Apo hapësira ku vihen shtretërit. Apo mënyra se si bëhen muhabetet si në kafene në ngrehinën e re. Apo edhe fakti se me shpërthimin e rrjeteve sociale sot, selfiet dhe pamjet nga çadra dalin më të bukura si formë promovimi sesa ato të 2010ës.  Cilatdo që të jenë arsyet, grevistët me çadra të kutive, nuk kanë i kanë bërë asnjë “like” çadrës së madhe stil dasmash që instaloi PD-ja.

Por më shumë sesa palët, ata që të bien në sy, janë grupet jashtë tyre. Populli. Njerëzit në emër të të cilëve palët pretendojnë se po rrinë pa gjumë e po mendohen thellë të gjejnë zgjidhje. Populli dëgjon, por asgjë nuk ftillon dot. Nuk reagon më. Nuk pret. Ha propagandë. Dhe rri gojëhapur, me politikën që i ka zënë gojën, e çuditet: ç’janë këto lojëra? Pse nuk arrin dot politika t’i qetësojë  gjakrat, ujërat, trazirat? Pse jetesa e shqiptarëve nuk përmirësohet dot, as nga qeveria e çadrave të para, e as nga kjo e të dytave?

Por vazhdon lufta gjoja në emër të njerëzve, kur këta njerëz akoma varen nga gjysma e familjes që kanë jashtë, emigrantë, duke lënë kockat pastrimeve e fabrikave, e një euro tepër mezi e  gjejnë për ç’kanë lënë pas në Shqipëri?

E në Shqipërinë e dashur, miliona euro në ditë qarkullojnë xhepave të politikanëve pasanikë që janë ca në çadra, ca në parlament, ca në studio televizionesh, ca nëpër institucione, e ca nëpër gjykata.

Janë këta që përvëlohen me lojëra fjalësh për drogën e krimin, për shkelje e prishje. Këta që janë vetë kultivuesit dhe konsumatorët më të mëdhenj edhe të drogës, edhe të krimit, dikur në Lazarat e ndonjë fshat, e sot në çdo cep ku ka varfëri e shfrytëzim. Të zhytur deri në fyt vetë, familjarët, fëmijët, bashkëpunëtorët. Përfitues të fondeve e privilegjeve që vijnë me pushtetin këta, palët që iu bie sheqeri në ujë se nuk rrinë dot pa pushtet. E ngrenë çadra absurde, “në kërkim të zgjedhjeve të lira e qeverive teknike”.

Absurde edhe çadrat e 2010-ës, siç e tregon sot arroganca me të cilën ushtrojnë pushtetin gjithë rilindasit që larg qoftë, nesër të ngelen pa pushtet, çadrën direkt do e ngrenë prapë. E ndërkohë që e djathta është pa pikë gjumi për enigmën e zgjedhjeve që do vijnë, e nuk pret dot Qershorin, por kërkon që t’i bëjë që sot , e majta dhe media heqin të tjera valle.

Tenderat shumë milionëshe të mjekësisë vazhdojnë, treten xhepave të zakonshëm, sikundër prokurimet e drejtpërdrejta në transport, qeverisje lokale, financa e ekonomi.

Dhe propaganda është bërë aq e bezdisur e qesharake, saqë edhe armatat e prodhimit dhe riprodhimit të fotove që tregojnë  zellin e punës së partisë për popullin, ndjehet e lodhur nga ritmi propagandistik. Ndërsa media e pavarur dhe plot mençuri, me politikat e zgjuara e të thella editoriale, drejtuar nga njerëz që janë lidhur me politikën më keq se palët politike vetë,  na jep për të ngrënë vetting mëngjes, drekë e darkë.

Në harmoni të përkryer, palët kujdesen që të mos merret vesh asgjë për tonelatat e plehrave të zhdukur, për bisedimet e fshehta të ndalimit të dekriminializimit, për tenderat shkatërrues të mjekësisë, për papunësinë masive, e mbi të gjitha, për mungesën e besimit që ka hedhur tanimë rrënjë të forta mes shqiptarëve.

Apati totale. Publiku reagon pak në mediat sociale. Palët pretendojnë të kundërtën, por po të heqësh armatën e komentuesve e ri- shpërndarëseve të statuseve shabllonë, njerëzit  e thjeshtë marrin pjesë shumë pak në diskutimet për politikën e ditës. Thjesht ndjekin të shastisur dhe pa asnjë shpresë se si bëhet teatër në emër të tyre.

Kryeministri sot, njëlloj si ai dje, shkon shkollë më shkollë e fshat më fshat e thotë sa e bukur është jeta e shqiptarëve. Tani është lule. Edhe katër vitet e tjera. Në 2021 do nxihet jeta jonë prapë. Por të mos mërzitemi, se atëherë do vijë sërish PD në pushtet, dhe do vijë kryeministri tjetër, në të njëjtat fshatra, shkolla, mjerime e rëndesa, e do thotë me të njëjtën bindje e entuziazëm se jeta jonë është lule, që ditën që në pushtet do jetë ai.

Ndërkohë, në 2021, çadrat para kryeministrisë do jenë sërish të PS-së, prapë do flasin grevistët me pasion për zgjedhje të lira e të ndershme. Asnjë politikan nuk do jetë futur në burg. Gjyqtarët e prokurorët do vijojnë të veshin vetëm rroba firmato, fëmijët do i kenë me studime në Zvicër, 70 mijë euro në vit, e drekën do e hanë vetëm aty ky një shishe verë bën sa rroga mesatare e një shqiptari.

Ama nga ekrani, ne do vijojmë të shikojmë të ndarë më dysh, po kaq apatikë e të pashpresë si sot, se si palët do përvëlohen për një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Do shohim edhe këshilltarët e raportuesit e huaj që vijnë të na shohin ç’bëjmë, se është gjynah të refuzohen misione që paguhen me 2 mijë euro dita.

Dhe votuesi në emër të të cilit bëhen kaq shumë gjëra, do jetë akoma duke kërkuar një vrimë se si të dalë nga Shqipëria që atëherë do ketë 31 vjet e dalë nga diktatura komuniste, por jo nga kthetrat, mësimet, sjelljet dhe pasojat e saj. Asnjë mendje që mendon në mënyrë kritike dhe të papërlyer nuk do ketë mbijetuar.

Ndaj çadra, politikanë teatralë, sistem zhdrejtësie dhe ndërkombëtarë po kaq skenikë, do kemi me shumicë edhe për disa vite të tjerë. Eksperienca flet më shumë se çdo retorikë tjetër, ndaj, nëse ka skenarë të tjerë, i diskutojmë në çadrat e PS-së së Qershorit 2021.

 

 

Advertisements

Entry filed under: Politikë, Uncategorized.

Audienca: pasive dikur, apatike sot Pse më mbërthyen zgjedhjet në Francë?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
March 2017
M T W T F S S
« Feb   Apr »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  

%d bloggers like this: