Pse më mbërthyen zgjedhjet në Francë?

24/04/2017 at 15:17 Leave a comment

Kishte më shumë se një arsye për t’i ndjekur me kërshëri, me zell e me luhatje perceptimesh zgjedhjet e Francës. Jo pse i nxorën rezultatet brenda 4 orësh; apo pse humbësit dolën menjëherë të thonë “Faleminderit, tani të vijojmë me A dhe B”; as pse Franca ka Macron që del e ikën nga Partia mëmë Socialiste, kurse ne kemi “Mjaft” që futet me kokë e më këmbë në Partinë Socialiste (E asnjë shans të kemi njerëz me këllqe, kapacitet apo karizëm të shkëputet nga tjetra, Partia Demokratike). Të gjitha këto dhembin e krijojnë pesimizëm, por janë disa arsye të tjera që të tërhiqnin në mënyrë të pashmangshme nga zgjedhjet franceze këtë fundjave, sepse:

  1. Dy partitë e mëdha që kanë bërë ligjin në Francë për vite të tëra, të majtët socialistë e të djathtët republikanë, dalin nga skena e qeverisjes së vendit me më pak se 40% të votave të dy palët së bashku. Imagjinoni sikur PS dhe PD të marrin të dyja po kaq vota në Shqipëri. Çfarë çlirimi. Por duhen ca ingredientë të tjerë, të cilët nuk i kemi.
  2. Në vitin 2002, si pjesa tjetër e botës që nuk jetonin në Francë, dëgjova për herë të parë mbiemrin Le Pen. Ishte i Jean-Marie Le Pen, që drejtoi (lexoni mirë) 29 vjet partinë  e Frontit Nacional në Francë, dhe bota mori vesh për ekzistencën e tij vetëm në Prill 2002, kur depërtoi në raundin e dyte të zgjedhjeve presidenciale në Francë. Po po. Të gjithë prisnin që në raundin final të dilnin presidenti i djathtë Jacques Chirac dhe kryeministri i majtë Lionel Jospin. Për habinë e gjithëve, në finale doli Le Pen, duke lënë me gisht në gojë sondazhet, analistët, politologët, parashikuesit e gjithkënd tjetër. Por kaq shumë u shokua Franca në 2002-in nga ky kandidat që e quajtën Fashist, saqë të majtë e të djathtë bënë fushatë që të gjithë të votonin për Chirac-un. Dhe ashtu ndodhi, duke i dhënë më të thellën fitore thonë francezët, që nga koha e Napoleonit.
  3. Le Pen shfaqet sërish, në të njëjtin skenar. Por Franca ka ndryshuar. Edhe Europa ka ndryshuar. Le Pen, e bija, shfaqet në pozita më të forta se i ati, dhe më e votuar se ai. Klima nacionaliste në Europë është më favorizuese për vajzën që është aq “e brishtë”, sa e përzuri të atin Le Pen në 2015-ën, nga partia që ai krijoi vetë. Për dijeni, babë e bijë kanë ide të çuditshme anti-emigrantëve, flasin për përplasje qytetërimesh e jo për multi-kulturalizëm, dhe e quajnë publikisht holokaustin si “detaj të vogël të historisë”. Kjo është kandidatja që sot është ngritur që pa gdhirë, a nuk ka fjetur fare, teksa kërkon të vijojë çudinë franceze dhe europiane në skajëzimin e politikës.
  4. Nuk është hera e parë që bija Le Pen kandidon. E ka seriozisht. Në 2012 doli e treta pas Hollande dhe Sarcozy-së. Këtë radhë del kokë më kokë në raundin final me një “djalosh” siç e quan vetë, që e bën të qeshë, sepse sipas saj, Macron harxhon shumë kohë për të folur e për të arritur tek asgjëja që e karakterizon.
  5. Para se të merrem me të, një shenjë lehtësimi në mendjen apo shpirtin e trazuar politik që kam, si gjithkush që politikës i qëndron larg vetëm nga halli: Mjafton për momentin që Macron është përpara Le Pen, që të mos vijonte saga e Farage në Angli apo, Ëilders në Hollandë. Jam kundër ekstremizmit të djathtë, sepse për vendet e vogla si Shqipëria jonë, këta politikanë shtresash, që përçmojnë emigrantët, të huajt dhe lëvizjen e lirë, janë shumë të dëmshëm.
  6. Rezultatet e raundit të së dielës në Francë ishin frikshëm të ngjashëm me parashikimet e sondazheve. Hm. Të marrim francezë për analizat nëpër studio për zgjedhjet tona të ardhshme?
  7. Macron, që gënjeu mentorin e tij politik Hollande, që i iku nga partia e nga qeveria e majtë socialiste për të krijuar lëvizjen e tij të qendrës së majtë En Marche, e që flirton me politikat e djathta të tregut të lirë e të patriotizmit, pa qenë nevoja të jetë nacionalist, jep në fakt shenjat e para se edhe pse i konturuar në qendrën e majtë, ideologjia e tij (hera-herës krahasuar me atë të Blair), duket se po e çon Europën në një kontinent me prirje përherë e më të theksuara nga politikat e djathta, gjithmonë lidhur me ekonominë, me individualitetin e shteteve dhe me politikat jo-miqësore për emigrantët (europiane ose jo).
  8. Risia që sjell Macron me rrëzimin e dy partive të mëdha nga podiumi politik francez, është më e madhe nga sa na i rrok mendja. Kur Tsipras nxori nga skena politike Pasokun, efekti ngeli vetëm në Greqi. Por kur rrëzimi i partive më të mëdha në pushtet nga një i ri i vetëm e pa eksperiencë politike vjen nga Franca, atëherë vendet e tjera duhet të shikojnë me më shumë kujdes. Të mos harrojmë, në Britani ka disa zgjedhje që pozitat e dy partive të mëdha, Laburiste dhe Konservatore, luhaten nga ato që deri dje kanë qenë të papërfillshmet, Liberal Demokratët dhe Fronti Nacional. Po ashtu, në Itali ndodhi çudia e Cinque Stelle. Por u desh të gjendej Macron në Francë që partitë e mëdha në të gjitha vendet të shohin pakëz më me kujdes si qëndrojnë gjërat. Ja që nuk paska ndarje të përjetshme të pushtetit vetëm mes dy forcash të mëdha.
  9. Teksa kandidatët humbës në Francë menjëherë i kanë bërë thirrje elektoratit që në 7 Maj të votojnë me çdo kusht Macronin, që të mos e lënë Francën në duart e një partie që vetë shtypi francez e quan “fashiste”, i vetmi që nuk e shtyn elektoratin e tij në po këtë drejtim është Melenchon, kandidati i të majtës së skajshme. Pak shokuese e ironike lëvizja politike e një të majti ekstrem që nuk dëshiron të udhëheqë elektoratin e tij kundër ekstremit tjetër në Francë. D.m.th. njëlloj sikur Stalini të mbështeste Hitlerin, në terma historikë. Apo e kemi parë këtë film?
  10. Frika qëndron në faktin se Le Pen (nuk ikën dot mendja nga kurba e saj), ka fituar tashmë një vend të caktuar në elektoratin francez, dhe numëroi disa vota të mira edhe mes të rinjve. Pra, e ardhmja qenka pakëz më e ashpër nga ç’do donin skeptikët e të djathtës ekstreme.

Dhe Franca marshon drejt 7 Majit me një ekonomist, bankier, që si i majtë që është, i takon të thojë që ka shitur fiq, apo që ka ngrënë kumbulla të papjekura tek shtëpia e gjyshes, por nuk përmend asnjëherë se në fakt prindërit i ka të dy mjekë e të pasur, e se ka mbaruar shkollën që mbarojnë të gjithë elitarët e Parisit, të destinuar për të hyrë në politikë. Duket pak populist Macron, siç i ka hije një të majti që nuk bën dot pa retorikën e propagandën (fiks si çdo PD-ist i Shqipërisë, se PS-istat e kanë me teserë). Ama është një i majtë i ri, që doli, iku nga Partia Socialiste, nuk iu bashkua asaj.

E përsëris këtë sepse nuk bëj keq ta ushqej shpresën që edhe Shqipëria do ketë këllqe ta mbështesë e ta votojë ndonjë kokëkrisur që i del kryq PD-së e PS-së, por i aftë për të ndjekur rrymën Tsipras, Macron e me radhë në Europë.

P.s. Me ndërgjegje të plotë, LSI nuk futet në asnjë mendim timin politik apo qytetar, duke qenë se nuk plotëson asnjë kriter të përfaqësimit politik, sipas mendimit tim të palëkundur hic, po fare, fare në ketë pikë.

Advertisements

Entry filed under: Politikë, Uncategorized.

Çadra, plehra dhe apati Sheshi është lakuriq

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
April 2017
M T W T F S S
« Mar   Jun »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930

%d bloggers like this: