Sheshi është lakuriq

12/06/2017 at 10:13 Leave a comment

Po, Sheshi 5po. Sheshit fare i kanë dalë vetëm pllakat. Sheshi lakuriq. A është kjo fyerja më e madhe që i bëhet aftësisë sime si qytetare e thjeshtë për të parë e vlerësuar me sy të lirë? Sigurisht që jo. Por është ndër më të hidhurat.

Mëngjesin e së dielës zbrita në sheshin “Skënderbej” me kureshtjen për të parë “Amerikën e vogël” siç e quajti një televizion kombëtar, apo qershia mbi tortën e Rilindjes “që po më dredh gjunjët”, siç e tha fiks mes lotësh mallëngjimi kryeministri, në natën e përurimit.

U futa në shesh nga ana e Bibliotekës Kombëtare (që ende është veshur me skeleri dhe e shndërruar në kantier). Shkela mbi pllakën e parë. Pastaj mbi të dytën, të tretën, të treqindtën, të njëmijtën. I rashë sheshit kryq e tërthor, pllakë më pllakë. Karriget e koncertit të natës së mëparshme ishin grumbull diku në mes. Drita prozhektorësh në mëngjes nuk ka. As dekor. As muzikë. Dielli përvëlues i së dielës së 11 Qershorit ishte më i fortë se prozhektorët elektoralë të një nate më parë. Dhe nën përvëlimin e tij, kërkoja gjelbërimin.

“A ka gjelbërim në sheshin Skënderbej? Përpara një viti kishte 220 pemë sot ka 2 220 pemë, 4,500 shkurre dhe 70,000 lule. Eja numëroi vetë të Shtunën ora 19:30” – më ftonte mua dhe çdo skeptik tjetër kryetari i bashkisë përmes statusit të tij, një prej të shumtëve që ngrinte pritshmëritë për sheshin. Mendova se do ishte vështirë të numëroja 70 mijë lule. Por të paktën shtatë do i numëroja se s’bën. Ose një. Po. Një lule po kërkoja. T’i bëja foto. Foto nga unë, jo nga fotoshopet e bashkisë.

Gjeta vetëm fsakën. Fsakën e malit, me lule të verdha. Atë që e gjen në çdo kodër, gur e mal në jug të Shqipërisë. Atë bimën me gjethe me push që kur thahet, është shumë e mirë për të bërë zjarr partizan. (Phlomis fruticosa, nga familja florale Lamiaceae). Në kohën e qoftëlargut, brigada të tëra mobilizoheshin për ta shkulur e ta për ta bërë togje-togje, që të lironin kullota për bagëtitë, se ajo zinte faqe të tëra mali, aq shumë sa përhapej pa asnjë lloj ndihme, leku e shpenzimi. Sot ajo ishte shkurrja dhe lulja e vetme në sheshin me “70 mijë lule”, mbjellë në anën e Teatrit të Operas dhe Baletit, në sheshin e “të gjithë shqiptarëve”. Fsaka, zaptuesja e maleve të fëmijërisë, qenkej mbretëresha luleve mbi të cilat ndërtohen imazhe të paqena e imagjinare.

U ula e drobitur tek shkallët e Operas, dhe me duart mbështetur në faqe, vëzhgoja sheshin ku një natë më parë, kryeministri aktual ishte përlotur, e kryeministri i ardhshëm, Veliaj, kishte derdhur talentin e radhës për të tërhequr turmën drejt vetes.

Shumë prej punëve të tij i mbështes, i duartrokas, i admiroj, i promovoj. I shijoj dhe i them miqësisht e profesionalisht “Të faleminderit”. Por me duart në fytyrë, në shkallët e Operas, duke vëzhguar pllakat e betonin që më kapte syri e më shkeli këmba, më erdhi për të qarë. Sigurisht jo për të njëjtin mallëngjim që kapi kryeministrin. Por sepse po shihja e po prekja manipulimin që ka verbuar masën. Mbreti lakuriq i Andersenit ngërdheshej përballë meje me pllakat e shëmtuara harqe-harqe e barqe-barqe, dhe tallej me shokimin tim. Televizionet pro e kundër-qeveritare një natë më parë na kishin dhënë racionin e radhës të tru-shpëlarjes, me intervista nga “populli” në shesh, ku disa 60 e ca vjeçarë thoshin të shastisur në mikrofona “Ky shesh i kalon të gjitha parashikimet. Çfarë kemi bërë ne për ta merituar këtë mrekulli”?

Veshëve jo e jo, por as syve nuk u besoj dot më, e jo logjikës së këtyre njerëzve të lodhur e të zhgënjyer. Por, jo, as syve të mi nuk po dija më t’u besoja.

E meqë pllakat nuk mbaronin, e fsaka ma bënte me sy poshtë këmbëve me atë lulen e saj të kotë të verdhë që e njoh plot inat që nga fëmijëria, nuk gjeja dot rehat. Dhe më kujtoi një episod të çuditshëm të vitit të mbrapshtë 1997, kur në Marsin me shkollë të pezulluar në Vlorë, u ngjita mbi një kodër që të çon në Akrokrenaune, dhe poshtë saj dukej fusha, shkolla, e mbeturinat e asaj që dikur kishte qenë “Vatra e Kulturës”. Njerëzit e mbrapshtë të kohës së mbrapshtë i kishin hequr çatinë, dyert, muret, stolat e gjatë të kinemasë së fëmijërisë, dhe atje në mes të sheshit, kishin ngelur vetëm pllakat e stërmëdha të asaj që dikur kishte shërbyer si strehëz e kulturës, edhe pse propagandistike. Dhe e shihja atë shesh të trishtuar pllakash nga një kodër plot me fsaka.

Fiks 20 vjet më pas, ulur në mes të kryeqytetit, me shfaqet po ai shesh pllakash. Nuk e besoj dot. Më vret mungesa e rehatisë dhe logjikës në gjithë këtë absurditet mendor.

U ngrita e u përzieva prapë me turmën që dukej pak a shumë konfuze dhe kureshtare, si unë. M’u duk vetja pjesë eksperimenti. E brenda tij, fillova të shkëmbej biseda me ata që më kalonin përbri. “I bukur ë? Po lulet në cilin krah ishin të lutem? I patë gjë”? Njerëzit kthejnë kokën rreth e rrotull: “Jo akoma jo. Por është shumë i madh sheshi. Mos janë andej”. Dhe gishti tregues drejtohet herë nga hoteli i qendrës, e herë nga krahu i muzeut. Rrotullohem sërish dhe fërkoj sytë. E mori e mira, na ka bërë fushata kaq skeptikë, saqë as vështrimin nuk e përqendrojmë dot. Si u qorruam kështu, dhe nuk arrijmë të shohim dot as 2220 pemët të paktën, mirë 70 mijë lulet, që mund të jenë të vogla.

Pyes edhe disa shqiptarë të tjerë, që duken më të sigurt e më të lumtur se unë: “Ku ishin lulet ju lutem”? Më shohin me po atë buzëqeshje dhe ngazëllim të pashpjegueshëm: “Po ja diku duhet të jenë, se nuk i ka nxjerrë kot televizori jo. Po shih sa bukur e ka bërë ë? Nc, nc, nc. Zheni, Zheni edhe Erioni, edhe Edi Rama. Shyqyr që erdhi kjo ditë për Shqipërinë”.

S’e ndaj dot në e pati fajin dielli apo ata, por u ktheva edhe një herë në hije, te shkallët. U ula dhe hapa Youtube-in me 4G-në (që e ka muajin me 28 ditë e tarifat si nafta e shërbimet, më hajdutët në tokë), dhe kërkova “Sheshi Skënderbej 2017”. Shihja videon e Bashkisë dhe Telebashkisë në Youtube, shihja edhe pamjen që kisha përballë. Shih Youtubin, shih sheshin para syve. Mbase ka një Tiranë tjetër. Mbase ka një shesh tjetër që quhet “Skënderbej” në atë Tiranën që nuk e di ku bie.

Por më dhembi koka. Dhimbje që filloi që pas takimit të fshehtë kokë më kokë e dhëmbë për dhëmbë të dy ish-kryetarëve të tjerë të po kësaj bashkie, Rama e Basha, që në orët e vona të natës e pas-mesnatës së 18 Majit, kush e di ç’kanë kurdisur për Shqipërinë e mjerë.

Dhe shqiptarët shëtisnin në shesh. Shumica dërrmuese qeshnin me kokën përpjetë, të bindur se ajo që thotë kryeministri, kryebashkiaku e telebashkitë, janë me siguri e vërteta absolute. I besojnë atyre, jo syve që kanë në ballë. Dhe pakica vinte vërdallë e mllefosur dhe e paqartë mbi pllaka. Kurse pjesa e padukshme ishin ulur përbri meje, shihnin, mendonin, tresnin vështrimin, mundoheshin të kuptonin ç’është e gjithë kjo komedi në mes të ditës me diell.

Çfarë më shqetëson më shumë? Politikisht nuk e sulmoj kryetarin e bashkisë. Është ku e ku më mirë sesa ai që patëm. Por kjo propagandë dhe manipulim shkon përtej kapacitetit njerëzor. Është shumë i dendur përdorimi i qëllimshëm i teknikave që bazohen vetëm mbi principet e psikologjisë së turmës, ta mbajë atë të angazhuar, të kontrolluar, të ndikuar intensivisht që t’ia orientojë jo mendimin, por edhe bindjen dhe sjelljen drejt një qëllimi specifik. Manipulimi është bërë arti i politikanëve që përmes çdo lloj medie, tradicionale e sociale, mundohen në mënyrë agresive të depërtojnë edhe në mendjen dhe reagimin e më indiferentëve, e jo më të turmës që i ndjek e i adhuron. Vazhdueshmëria në kohë, frekuencë, orar, mënyrë, këndvështrim e pamje është tani më e prekshme se kurrë dhe Bashkia Tiranë nuk e koncepton dot ekzistencën pa këtë makineri. Ama kjo mënyrë e ndërtimit të realitetit po ia kalon edhe vetë përrallave të Andersenit.

E sot që sheshi Skënderbej është lakuriq, shumica dërrmuese e shqiptarëve thonë “Sa të bukura i ke rrobat, o sheshi “mbret”. Dhe për mua që as nuk i shoh rrobat, as nuk di si t’u them edhe të tjerëve: “Nuk ka rroba. Sheshi është lakuriq”, është e pritshme të vërshojë vreri i komentuesve online: “Të paçin sytë që nuk e sheh sa i bukur është sheshi”.

Nga frika, i përpëlit fort sytë, për t’u siguruar që nuk më kanë plasur.

Miq, sheshi është lakuriq. Ka vetëm ca fsaka, e ndonjë fik, që paskan kushtuar 13 milionë euro.

Të qartësohemi: nuk dua as Lulëzim Bashën, as ndonjë nga PD-istët e momentit në krye të Bashkisë Tiranë. Larg qoftë! Thënë këtë, sheshi mbetet lakuriq. Prozhektorët e natës i përvëlon dielli e drita e ditës. Dhe dritës së diellit e syve të mi u besoj.

Ndjesë për drejtpërdrejtësinë!

Advertisements

Entry filed under: Shqiptarizëm, Uncategorized.

Pse më mbërthyen zgjedhjet në Francë?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
June 2017
M T W T F S S
« Apr    
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  

%d bloggers like this: