Off record

21 May 2013

From Russia, with love.

Kjo e ka emrin Rruga Malisheva. C’vështirësi ta deshifroj. Serbo-kroatishtja ime është e vjetër, autodidakte dhe e çalë. Plus, gërmat ruse nuk janë të gjitha të njëjta me ato që di unë dhe kjo ma vështirëson leximin.

C-e-n-t-r. Mezi lexoj gërmat cirilike, që i kam mësuar pa dashje 22 vjet më parë. Në kohë të mirë me diell, me antenën e thjeshtë në shtëpi, na merrte vetëm HRT1 dhe HRT2, kanalet publike kroate, që i kujtoj si të mbushura me programe të pashijshme e me një gjuhë të rëndë. Por edhe me Santa Barbarën. E aty, përditë, mësoja njëkohësisht edhe anglishten fillestare, edhe kroatishten po kaq fillestare. Asnjërën prej gjuhëve nuk dija. E prapë se prapë, shikoja me këmbëngulje çdo seri të Santa Barbarës, sa herë që merrte HRT-në. E për forcë zakoni, zbuloja se para tij, shkruhej TЄЛЄФИЛМ (telefilm) apo në përfundim të tij, mu përpara lajmeve, shkruhej ВИЈЄЅТИ ПРОГРАМ (Vijesti program), dhe spikerja gjithmonë niste me Dobrovecen apo Dobrodan-in e saj, shoqëruar me fjalën Vijesti, e logjika më thoshte që ky duhet të ishte patjetër termi për lajmet.

Njëra dorë lan tjetrën, anglishtja dhe gërmat cirilike filluan të vinin themel. Por, teksa në jetë anglishtja zuri gurin e qoshes, gërmat cirilile më ngelën aty, duke më gërricur qetësinë sa herë që përtej kontinentit, më venë në grupe me kolegë që vijnë nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Se për ta, jemi akoma një. Pa idenë se Shqipëria është botë më vete.

E tek shkel rrugëve kaq të gjera të Yekaterinburgut, më vijnë ndër mend gërmat që së pari ndesha në fillimin e viteve ’90, dhe shumë nga deja-vu-të e qyteteve të para këtyre viteve në Shqipëri.

Ajri është i freskët dhe mushkëritë e mirëpresin në çdo frymëmarrje. Vetëm se era që fryn është e athët. Thëllim nga ai që të pret veshët e të than majën e hundës. Mesi i Majit ka kaluar, e prapë, vetëm gjethet e disa plepave mezi kanë guxuar të shpërthejnë sapo kanë parë diellin të shfaqet sipër kokës së tyre. Për 6 muaj me radhë, temperaturat janë luhatur mes -15 e -30-ës. Bora dhe akulli kanë qenë zotët e çdo sipërfaqeje. Ndaj duket se pemët dhe bari mezi kanë pritur edhe disa minuta diell, e jo më ditë të tëra prezence të tij.

Semaforët duket sikur e kalojnë numrin e nevojshëm. Rrugët janë të gjitha njëlloj të gjera e kjo e vështirëson pak ndarjen e bulevardeve nga rrugët kryesore apo dytësore. Me gjithë këtë shtrirje gjeografike, ka shumë kuptim që të mos ngushtohen rusët për të fituar terren rrugicave. Edhe ato janë disa-fish më të gjera se tjetërkund të Europë.

Le që këtu, nuk jam fare në Europë. Kufiri që na ndan me të është vetëm 20 km larg, ama është. 20 km në brendësi të Azisë, me temperatura akoma të ulëta, me malet me të afërta Uralet, me kaq hapësirë dhe qiell e tokë që më duken të pafundme, është e pritshme që vetja kujton se jam në një botë tjetër.

Anglishtja nuk flitet jashtë hotelit ku jemi akomoduar, e ku në vetvete,është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar, ndaj kuptohemi lehtë.

Në rrugë, autobuz, dyqane, restorante, hiç. Rusisht. Unë vetëm buzëqesh dhe hapi i parë është që me përpjekje të mëdha, po zëvendësoj “Thank you” me “Dasvidania” dhe më duket çudi si njeriu i shekullit të globalizmit nuk e ka blerë akoma “Thank you”-në.

Në fakt, shenjat e globalizimit këtej pari janë akoma të numërueshme. McDonalds dhe iPhone këtu janë, bashkë me mallrat e tjerë super të shtrenjtë nga Europa. Por, gjuha, sistemi lëvizës, mënyra e administrimit, ndërtesat, transporti, kultura, veshja, trajtimi i skenës dhe mbizotërimi i teatrit, kanë ngelur të pa-infektuara. Sa shumë teatro. Një muaj përpara, vështirë se kanë ngelur bileta. Për to dhe për baletet. E më kujtojnë Nurejevin. Skur janë të gjithë si ai. Për një diletante në njohjen e baletit, kështu duken. Por, përderisa shoh përkushtimin e tyre me orë të gjata, gjithë ditën e përditë majë gishtave, dhe krejt larg nga ai, nuk duhet të jenë.

Mbretërinë time e gjeta vetëm 150 metra larg strehëzës sonë. Është 4 katëshe, me sipërfaqe kaq bujare, si gjithçka tjetër këtu përreth, që edhe më tremb me gjerësinë e saj.

Në hyrje, vetëm buzëqeshjet u morën vesh në çdo tavolinë recepsioni që më përcillnin. Më në fund, njëra u dorëzua: на английском языке. только русский язык. Или немного по-французски.

Franceski?! E kapa. Kaq e kuptova.

“Oui, oui. Francais aussi. Ca va.” –nxitova me buzëqeshjen e shpejtuar, nga frika se mos ndryshonte mendje. Dhe a mori serish ne rusisht, unë vijoja të buzëqeshja. Më në fund, me katër gishta bashkë, duke më treguar shkallët, mora vesh që po më drejtonte në katin e katërt.

“Quatrième étage. Merci, merci beaucoup” – dhe sytë edhe unë tek shkallët, kurse ajo e shkreta, vijonte të dukej e pasigurtë.

E ‘kishte në kat të 4-ët? Alliance Française on Ekaterinbourg. Ok,këtu u morëm vesh kollaj, e pas 5 minutash, isha në seksionin e librave në gjuhë të huaj. Skanova më shpejt nga ç’mendoja, dhe e mbajta frymën tek autorët rusë. Kalova dorën mbi radhët e librave, si për t’u bindur që i kisha aty. Retë me pantallona ma bënin po aq me sy sa Ana Karenina apo Kozakët. Por, ngado që shëtiste, syri kthehej tek Solzhenitsyn. Iu binda tundimit dhe e lashë Rrethin e Parë të më çonte në Rusinë e fillim-viteve ’50. Që pas ditës së Ivan Denisovich, dora e Aleksandr Solzhenitsyn më duket sikur më çon magjishëm aty ku ka jetuar e përjetuar vetë Rusinë që sjell faqeve të verdha të kësaj biblioteke masive.

Aty, vendosa t’i dorëzohem përkundjes ruse, e ta shtyj eksplorimin e saj me Trans-Syberian për në një kohë më të vonë. Jo të paarritshme ama. S’kam dëshirë të takoj gjeneralët rusë që mundën Napoleonin, ndaj do i ruhem udhëtimeve në Nëntor, Dhjetor e Janar, ama tani, e deri atëherë, do ta zbuloj se s’bën këtë vend kaq të veçantë, të sojit të rrallë, ku dikur ka bërë të flenë bashkë luftën e paqen, e sot herë më përzë nga dyqanet e firmave të mëdha, kur një fustan zyre kushton një mijë dollarë, e herë më tërheq me forcë në baret jashtë qytetit, ku duket jeta e vërtetë e rusëve, që ngelen kaq unikë.

Për sot, fiton Solzhenitsyn.

Vijon

_______________________________________
14 Janar 2013

Jetë. Nënë.

“Buongiorno bella signora. Come stiamo oggi? “

Zëri i Barbarës është po aq i qeshur sa edhe fytyra e saj. Mamit i jep jetë kjo ardhje. Dhe lëshon në mënyrë automatike përgjigjen e saj të përhershme:

“Bene. Grazie”.

Në fakt, sot i dhemb koka më shumë se dje dhe nuk i ka bërë dot 20 minuta në sallën e ndenjies. I pëlqen të rrijë me kokën mbi jastëk, dhe pjesën e tij të shtratit, e mban më poshtë se ditët e tjera. Ngjyra e fytyrës e ka tardhëtuar pak, por sytë i shkëlqejnë si përherë.

“Pse i thua ‘bene’? Ajo nuk ka dëshirë t’i bësh qejfin? Nëse të dhemb koka, duhet t’iu themi, që të marrin masat”

“Po ja, nuk dua të krijoj varësi nga ilaci”

Buzëqeshja ime ka ngrirë. E saja vazhdon të jetë sa inkurajuese, aq edhe kërkuese për miratim, shpresë, siguri se gjithçka është mirë.

“Renato, mi aiuti un po con la Piera qua” – Infermierja ka kaluar tashmë tek pacientja ngjitur, që nuk di të gjejë paqe në pozicionin që e detyrojnë tubat të rrijë.

“In un attimo saro lì. Intanto, verifichiamo un po se la bella Gjipali sta veramente bene come dice” – dhe nuk ikën nga imë më, deri sa ka parë me vëmendje parametrat në aparaturën mbi shtratin e saj.

Mëngjesi është i qetë, edhe pse në korridor dëgjohen tavolinat lëvizëse të infermiereve që fillojnë turnin e mëngjesit me mjekimet e para.

“Hapi pak grilat,- thotë mami, me një përzierje dëshire për të parë dritën e një ndjenjë clirimi  që edhe dita e sotme, u gdhi relativisht mirë. – Thuaju mirëmëngjes e pyeti se mos duan ndonjë ndihmë” – më thotë duke më treguar tre gratë e tjera me të cilat ndan dhomën në repartin e onkologjisë.

Përballë nesh, Maura buzëqesh. Eshtë me e reja e dhomës. Ka komplikacionet më të mëdha gjithashtu. Por nuk rresht së buzëqeshuri e së dhëni kurajo: “Sto benino, grazie. Non ti preocupare. Staro benissimo. Dobbiamo vincere,perche c’abbiamo tanto da fare nella vita”.

Mami e shoqëron me buzëqeshjen e saj sfiduese.

“Ashtu qoftë. Ashtu. Po s’e di. C’të thonë mjekët. C’të thonë ata”.

Në 10.30, vijnë. Sot ekipin e kryeson Setierri. “Tutti i parenti fuori per favore. Il dottore viene a fare le visite”.

Marr në dorë Murakamin, shoqëruesin tim të ditëve të mia këtu. E shfletoj vetëm kur mami bie në qetësinë e saj të imponuar, me dorën mbi kokë.  Në këtë orar, nuk largohem dot përtej derës së dhomës. Kur vjen radha e shtratit 3.3, Barbara nxjerr kokën: “Figlia di Gjipali? Vieni un attimo dentro per favore”.

Dhe fillon rituali i përditshëm. Cdo pyetje e mjekut, ka vetëm një përgjigje nga ime më: “Bene. Si. Bene. Tuttto a posto”.

Setierri kthehet menjëherë në Enrico. Hija e rëndë e mjekut i bie dhe me dorën mbi supin e mamit, i flet asaj, pa më parë fare mua. “Ma, po të thotë se nuk je e detyruar të thuash që je mirë. E dinë që radioterapia është e vështirë dhe e shohin që po të krijon disa enjtje në kokë. Kjo të shkakton presion dhe pak peshë në të dy anët, por është e pritshme për tre javët e para të terapisë. Mirë”?

“Mirë” – zëvendëson ajo në shqip “bene-n”e saj të përhershme.

“Non guardare la figlia. Guarda me.  Ci fai sapere se hai bisogno di gocce per il dolore, vero?” – këmbëngul ai më vështrimin mbi sytë pak të zmadhuar të mamit, që detyrohet t’ia kthejë vështrimin mjekut, pa harruar të buzëqeshë, e të shohë edhe nga unë, si për t’i thënë: “Për mua, sa c’është e rëndësishme fjala jote, aq është tregues edhe reagimi i fytyrës së saj”.

E pamundur ta bësh të ndjehet e rënë.

Në 10.30, më kërkon të shkojmë tek salla e ndenjies. Eshtë momenti i saj i preferuar. Nuk më lë t’ia marr unë makiaton. I rri pas tek makineta, teksa shtyp vetë masën shtesë të sheqerit dhe shoqëron me sy cdo lëvizje të mekanizmit të shpejtë që i përgatit makiaton me shumë qumësht. Në spital mësoi të mos e pijë kafen pa sheqer apo pa qumësht. Dikur e lëhtë për të, sot makiato është bërë e vetmja dalje e saj nga menuja e kontrolluar e ushqimit dhe lëngjeve spitalore.

Me gotën e vakët në dorë, më ulet përballë në divanin e dhomës së ndenjies së pacientëve. Me tjetrën, herë me shtrëngon krahun, herë më përkëdhel flokët, herë më fshin sytë.

“Ke fjetur keq sonte. T’u bënë gjithë ato netë mbi karrike. Më mirë mos fli më këtu. As motra. As babi. Se lodheni shumë. Natën nuk më vijnë mjekë. Mos u lodhni”

E shoh ngultas. Po hoqa vështrimin, heq edhe qetësinë prej saj. Qetësinë time. Lotët që paskan qenë kaq tradhëtarë.

“Dëgjo mamin. Ke shumë kunguj. Dhe nuk janë as të dobishëm. Leri të bien. Të gjithë. Gjithcka lere. Për Mirin”.

Drita e syve të saj është familja. Gjithmonë ka qenë kështu. Ne. Fëmijët. Babi. Asnjëherë ajo e para.

Zgjatem ta puth tek damarët e qafës.  Pranon vetëm një cast, pastaj e merr sërish ajo në dorë rolin e përkujdesjes.

“Cohu ta bësh valixhen gati. Nuk duhet të bëhesh vonë”

Ecën ngadalë deri tek shtrati. Mbulohet lehtë. Ngul sytë në tavan. Pastaj kthehet për të më shoqëruar me sy teksa bëhem gati të dal.

“Ma, do vij prapë”

Buzëqeshja e saj më ther.

“Mirë. E di mami. Ik tani. Shih punën. Dhe mos mbaj strese”.

…….

Kur kthehem, kortizoni i ka enjtur cdo venë në fytyrë. Radioterapia ka frenuar dhimbjen e kokës, por  receptorët e saj negativë të estrogjenit, progresteronit dhe HER2-it, janë bërë më të paparashikueshëm se asnjëherë. Toradoli nuk ka më asnjë fuqi mbi dhimbjen dhe drita e syve të saj është zëvendësuar me një konfuzitet që endet në cdo cep e mbi cdo shprehje fytyre.

Përmbys i dhëmb në mes të shpatullave. Kthyer në shpinë nuk e le kraharori. Ngritur nuk e ndihmojnë këmbët. Shtrirë nuk e le asnjë gjymtyrë. Dhe koka e tërheq poshtë.

Eshtë nata e 4-ët pa gjumë. Pa zë. Pa mundësinë për të gënjyer as veten, as spektatorët e lodhur, që e shoqërojnë me sy të dorëzuar.

Ime motër ka hequr dorë nga delikatesa. Shoqërimin për në seancat e radioterapisë e zëvendësoi me netët në spital, pastaj me ato në shtëpi, ku mësoi të bëhet infermiere pa alternativë tjetër.

I shpon barkun e enjtur. I jep pikat në gojën e tharë. Por nuk di c’t’i japë më në sytë e picërruar nga kërkimi për pak shpresë.

“Ik co djalin në shkollë. Nisu, se vajti vonë. Më ler mua. S’ke c’të më bësh më. Më ler”

Por është më shumë lutje. Për të mos e lënë, për ta ndihmuar. Për t’i thënë dicka, që as vetë nuk e beson më.

Vendin e gruas aktive, energjike, të fortë, përherë në kërkim e në organizim të gjithckaje, e ka zënë tani një trup që përpëlitet, e që nuk do t’i dorëzohet dhimbjes. As humbjes.

Rënkimi nuk del përtej gojës së saj. I rri përbri dhumbjes pa i lënë vendin që po e kërkon me kaq ngulm që prej një viti.

Sa e fortë ishte beteja e saj, aq e egër u tregua edhe prishja e kodit të saj qelizor, agresiv deri në pamundësi. Hileqar. I shpejtë. I pandalshëm. Freno në një krah, shpërthe në krahun tjetër. Në kohë pa kohë.

Ajo vuan.

…dhe lë në ajër një pikëpyetje që po merr formën e shumëckaje përreth.

Nënë.

________________________

29 Prill 2012

Duhet kurajo, këmbëngulje, vullnet i fortë, besim e vizion në jetë.  Duhet patjetër aftësi , eksperiencë dhe përgatitje për gjithçka. Por mbi të gjitha, duhet durim. Durim që t’i vësh në punë të gjitha të mësipërmet, e durim që të dalësh mbi çdo sulm e ndërhyrje që të vjen përballë.

Duhet të dish të presësh e të dish të vendosësh prioritete.

Sot, prioriteti im është vënia në shërbim të një numri kauzash që i mbroj, e që duhen marrë përsipër me një grup njerëzish të cilët gëzojnë një veti që unë e kam të shtrenjtë, e rrallë kam fatin ta ndesh: integritetin personal e profesional.

Me këtë vlerë thelbësore, e me dëshirën e mirë për të qenë pjesë e ndryshimeve pozitive, në shërbim të drejtësisë në të gjitha dimensionet e saj njerëzore e intelektuale, hap një kapitull të ri.

Vlerësimet kanë tendencën të jenë subjektive.  Ama bindjet dhe qëndrimet nuk duhet të jenë ashtu. Ndaj, për të bërë ndryshimin, hedh sot hapin që mua më çon në natyralitet, e lexuesit në vëzhgimin nga një tjetër këndvështrim.

E drejta nuk harron të shkojë në vendin që i takon. Mendje-hapur dhe me durim, rri tani në pjesën e re të modernizmit politik, ku integriteti dhe drejtësia kërkojnë me zë të lartë më shumë hapësirë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


%d bloggers like this: