Urbanizimi dhe qytetërimi

24/07/2010 at 18:15 4 comments

Nga Tirana në Durrës nuk ka pothuajse asnjë segment të pabanuar, sic nuk ka nga Tirana në Fushë-Krujë apo sic do të ishte deri në Elbasan, po ta lejonte Kërraba. Shtrirja e zonave të banuara vërtet ka fashitur kufijtë e qyteteve, por me mungesën totale të planimetrive apo urbanizimit, këto shtrirje ngjajnë më kaotike dhe shqetësuese se shumëçka tjetër në Shqipërinë e sotme.

Lëvizjet demografike të 15-20 viteve më parë vërtet ishin të pa-kanotrolluara dhe as që mendohej se mund t’iu vihej një fre. Por e keqja është se edhe pas 20 vitesh, katrahura urbanistike vazhdon të jetë po aq e frikshme dhe kaotike sa në vitet e para, atëherë kur familje e fise të tëra nga zonat rurale dhe ato të thella malore, filluan të pushtojnë rrethinat e Tiranës, Durrësit, Shkodrës apo Vlorës. 

Me kalimin e kohës, shtëpitë me dërrasa u kthyen në ndërtesa dy-tre katëshe, që banorët vetë pëlqejnë t’i quajnë vila. Ndërkaq, teli me gjemba që u përdor për të rrethuar “tokën e askujt” u zëvendësua herë me mure blloku, herë me tulle, e herë me mur të shtrenjtë guri. Oborret filluan të shtrohen me gdhendje e lulishtet kanë filluar të zënë vend kah domateve e specave të mbjella në kopshtet rreth shtëpive.

Me ligjin e ri të legalizimit, këta tel-me-gjemba-rrethues do të kenë në pronësi shtëpi, tokë e kopshte të mbira nga askund. Këta janë pronarët më të rinj të Shqipërisë, që jetojnë aty ku ende quhet periferi dhe “jashtë qytetit”; kurse në perëndim, quhen “zonat e të pasurve”.

Sot nuk ka kuptim, por brezi i dytë dhe i tretë i këtyre familjeve do të kenë mundësinë të quhen të tillë, përderisa urbanizimi po shkon me të shpejtë në këto zona periferike. Shërbimet publike, ujësjellësi, elektriku, ambulancat, qendrat shëndetësore, shërbimet e telefonisë dhe të internetit, transporti publik dhe shumë shërbime të tjera urbane, i kanë shndërruar këto zona në pjesë të padarë të qyteteve që rrethojnë.

Ama urbanizimi është njëra anë e medaljes. Tjetra është qytetërimi, dhe në këtë pikë, hapat janë shumë më të ngadalte, e shpresat akoma të vakëta. 

Pse qytetërimi? C’është ai? Është e vështirë ta përcaktosh qytetërimin me të njëjtën saktësi që përkufizohen për shembull figurat gjeometrike apo dukuritë fizike. Si pjesë e shkencave humane që është, qytetërimi është i përjashtuar nga përkufiimet e prera.

Për herë të parë, fjala qytetërim “civilasation” (në vetvete një neolegjizëm), është shfaqur në shkencat humane në Francën e shekullit XVIII. Ajo është sajuar duke u nisur nga termat “civilize” (i qytetëruar) dhe civilisier (qytetëroj), të cilat ekzistonin që në shekullin XVI. Në kuptimin e saj të ri, gjithmonë në shkencat shoqërore, fjala qytetërim i kundërvihet në tërësi fjalës barbari. (popujt e egër, primitivë ose barbarë).

Nuk ka dyshim se te kjo fjalë e re, qytetërim, shoqëria franceze që e përdori atë për herë të parë në fund të mbretërimit të Luigjit XIV, shihte me kënaqësi portretin e vet, i cili me doemos josh edhe sot. Sidoqoftë, fjala doli sepse ndihej nevoja e saj.

Kuptimi i atëhershëm ishte: “T’i qytetërosh zakonet, t’i zbusësh ato, t’i bësh civile dhe shoqërore” Kjo nuk duket se ka ndryshuar shumë edhe në Shqipërinë e sotme me zhvendosje masive gjeografike, ku ndërtimet dhe më pas urbanizimi, nuk kanë ndjekur fatkeqësisht të njëjtin ritëm me qytetërimin. Ky i fundit vazhdon të jetë në kërkim të vendit të vet.

Në komshinjtë tanë rreth Europës, fjala qytetërim shoqërohet nga një fjalë shumë më e vjetër: kulturë. Ciceroni dikur thoshte “Cultura animi philosophia esti”, e në atë kohë kjo shprehje përkufiznte tërësisht qytetërimin. Hegeli e përdori dyshen qytetërim-kulturë sërish pothuajse 18 shekuj më pas.

Dhe në të vërtetë, nocioni qytetërim është të paktën i dyfishtë. Marksi dallonte  infrastrukturat (materiale) dhe superstrukturat (shpirtërore), të dytat ngushtësisht të varura nga të parat. Charles Seignobos thoshte: ”Qytetërimi janë rrugët, portet dhe skelat”, çka me fjalë të tjera do të thotë se qytetërim nuk është vetëm shpirti. ”Është gjithçka  që njerëzimi ka arritur. Është një minimum shkence, arti, rregulli dhe virtytes” pohon Marcel Mauss.

Pra,qytetërimi ka të paktën dy kate. Këndej buron tundimi i mjaft autorëve për t’i dalluar dy fjalët, kulturë dhe qytetërim në atë mënyrë që njëra fjalë të ngarkohet me dinjitetin e anës shpirtërore, tjetra me të rëndomtën e anës materiale. Ky dallim, në rastin kulturës urbanistike në zgjerimet e reja në Shqipëri, është i dukshëm.

Marrë nga ana studimore, çdo qytetërim është i lidhur me një hapësirë, me kufij pak a shumë të qëndrueshëm; prej këndej rrjedh se secili prej tyre ka një gjeografi të veçantë, të tijën, e cila sjell një mori mundësish, shtrëngesash të dhëna, disa pothuajse të përhershme, që nuk janë kurrë po ato nga një qytetërim në tjetrin.

Për Shqipërinë nuk po flasim për qytetërimet e mëdha, por thjesht për nocionin e qytetërimit, apo civilizimit siç përshkruhet më lart. Tiparet e transmetuara apo të adaptuara duhet që terorikisht të ndjekin të njëjtën linjë zhvillimi si qytetërimet e mëdha. Por, duke qenë se mbi të gjitha qytetërimet në vetvete janë shoqëri, është e vështirë të mendosh një transformim kaq të shpejtë të mendësisë, sa ç’po ndodh me urbanizmin e periferive në qytetet e mëdha shqiptare.

Nocioni “shoqëri” sjell një përmbajtje jashtëzakonisht të pasur, ashtu si nocioni “qytetërim”, me të cilin ai takohet kaq shpesh. Kështu, qytetërimi perëndimor ku sot pretendojmë se jetojmë, varet nga ”shoqëria industriale” që i jep jetë atij. Do të ishte e lehtë ta përshkruaje atë duke përshkruar vetë këtë shoqëri, grupet, tensionet, vlerat intelektuale dhe morale, idealet, rregullsitë, shijet e saj etj; shkurt duke përshkruar njerëzit që mbartin këtë qytetërim e do t’ua përcjellin të tjerëve.

Por, në një vend ku studimet shihen momentalisht si humbje kohe dhe shpjegimet mund të jenë të rrezikshme apo të perceptohen fyese, nuk është shumë e thjeshtë të flasësh për vlera qytetarie që një grup duhet t’ia përcjellë të tjerëve.

Problemi nuk është vetëm shqiptar.

Shekulli i 21-të shihet tashmë botërisht si shekulli i urbanizimit. Qytetet e do të jenë më të shtrirë, me shumë qendra, të ndryshëm, të fragmentizuar, të ndërprerë dhe të lidhur nga rrjetet, të ndërthurur me shkëmbimin global, autonomë përsa i përket nocioneve shtetërore, në ndërthurje masive ekologjike, shoqërore e kulturore.  Teknologjia do ta shndërrojë akoma më shumë jetën e njerëzve që jetojnë diku, punojnë diku tjetër e familjarët i kanë në tjetër kah. Pra, hovi i zhvillimit të qyteteve në shekullin XXI do të sjellë me vete edhe një ndryshim rrënjësor të qytetërimeve dhe tipareve që janë trashëguar brez pas brezi prej tij.

Në kuadër të globalizimit që po pushton botën, pritet për shembull që Kina të ndërtojë 400 qytete të reja deri në 2030-ën, ku 300 milionë njerëz që sot jetojnë në fshatrat e saj, do kërkojnë të zhvendosen në qytet, ose ndryshe, do jenë “viktima” e eksodit nga fshati. Bashkë më largimin prej tij e përqasjen në qytetet konglomerate, edhe kulturat e qytetërimet që ata kanë ruajtur do të pësojnë ndryshime apo asimilim. Pra Shqipëria duket sikur i ka të pa përfillshëm problemet e saj krahasuar me këtë gjendje.

Në ditët e sotme, 13 nga 20 qytetet më të populluara në botë gjenden në Azi. Lagosi në Nigeri, Dhaka në Bangladesh Tianjin në Kinë dhe Lahora në Pakistan, që po rriten me një shpejtësi marramendëse. Pritet që vetëm pas një viti, kryeqyteti nigerian, Lagos, të jetë qyteti i tretë në botë për nga popullsia, pas Tokios dhe Bombeit. Kurse pas 10 vjetësh, Milano, Parisi dhe Londra nuk do të jenë me në listën e 30 qyteteve më të populluara në botë.

C’tregon kjo për qytetërimet?

Në vendet perëndimore qytetërimi ndjehet i konsoliduar me zhvillimin urban të tij; kurse në vendet në zhvillim, tiparet e urbanizimit janë duke e tërhequr masën më shumë sesa qytetërimi brenda tij. Zhvendosja e popullsisë në kryeqytet shpesh është edhe anarkike, e pakontrolluara dhe e pamundur për t’u kontrolluar nga shteti apo për t’u rregulluar nga normat e qytetërimit.

Në qytetet perëndimore, ku qytetërimi dhe kulturat e tij e kanë lënë tashmë shenjën e tyre, kanë filluar të marrin formë të qartë tre nën-ndarje të qyteteve: 1) Periferitë e përzgjedhura urbane, me infrastrukturë të shkëlqyer, shtëpi të ndara, me kopsht, hapësirë, parking, fqinjësi të zgjedhur, natyrë plot pemë dhe qetësi të garantuar. Këtu jetojnë përgjithësisht përfaqësuesit elitarë të qytetërimeve të sotme. 2) Qendrat e qyteteve, mbushur me njerëz, me transport publik, frekuentuar nga shtresa e mesme, por ku janë akoma të vendosura e mbajtura me kujdes muzetë dhe qendrat historike si dëshmitare të prejardhjes së qyteteve. 3) Zonat e rrezikshme, getot, ku askush nuk shkon të jetojë me dëshirë. Aty dominon mungesa e sigurisë, lulëzon kundra-vajtja ligjore dhe komunitetet i vendosin vetë rregullat e përditshmërisë. Sipas studimeve të bërë nga MIT, kjo e fundit është pjesë e qytetit, por jo e qytetërimit dhe kulturës që mbart ai.

Kjo vlen të shikohet si një mënyrë zhvillimi edhe për Shqipërinë. Jashtë, ndërtimi, shtimi dhe shtrirja e urbanizmit do të sjellë ndryshime edhe në mënyrën e jetesës së njerëzve. Prej tyre pritet që tashmë të udhëtojnë më shumë, më gjatë dhe gjeografikisht të mbulojnë më shumë hapësirë se më parë. Gjithçka do të ndikojë në mënyrën e jetesës së mëtejshme këtë shekull, duke filluar që nga fleksibiliteti dhe shumëllojshmëria e bizneseve, aktivitetet personale, ritmi i çrregullt i punës dhe udhëtimeve, dobësimi i shpirtit të përbashkët komunitar apo të fqinjësisë, prejardhja familjare, institucionet dhe autoritete për të cilat do të punojmë.

Të gjitha këto do të kontribuojnë në ri-organizimin e lidhjeve tona shoqërore. Pritet që individualizmi të jetë me i dukshëm dhe fqinjësia ta humbasë në një farë mënyrë kuptimin, teksa jeta nuk do të jete e përqendruar më pranë shtëpisë, por do të jetë e përhapur në të gjithë hapësirën e qytetit ku banon.

Qytetet do të shndërrohen në platforma të ndryshimeve të shpejta teknike, ekonomike e urbane, por edhe ndryshimesh sociale e kolektive. Teknologjia do të mundësojë jo vetëm bashkëjetesën e ritmin e ndryshimit të rezidentëve, shoqërive e autoriteteve, por edhe shpejtësinë e rrjetëzimeve dhe ngadalësinë e marrjes së vendimeve të përbashkëta. Por, sido që të jetë, urbanizimi i ri perëndimor, ndryshe nga ai i vendeve në zhvillim, është në përgjithësi i mbikëqyrur; nga kamerat regjistruese, nga ligjet, normat shoqërore, frika e së panjohurës, nga masivizimi i qyteteve. Pra, edhe individualizmi rrezikon të jetë me i tkurrur dhe ruajtja e ndryshimeve kulturore më e vështirë për t’u pasqyruar.

Qytetet mund të kenë të përcaktuar planin  e tyre urban, zhvillimin e infrastrukturës apo zgjerimin e hapësirës së banimit, por, është shumë e vështirë të parashikosh se çdo të ndodhë me qytetërimin, me aktivitetet që mund të kënaqin më shumë shpirtërisht njerëzit, me vendet ku ata duan të shkojnë brenda qytetit, mënyrën se si do ta jetojnë jetën në këto kushte të reja të ndryshimeve të përshpejtuara urbane në botë.

Urbanizimi i kthyer qytetet në bashkësi konglomerate, ku shumë tipe njerëzish e kulturash jetojnë bashkë. Ama marrëdhëniet, aktivitetet, shqetësimet dhe jetesa e të gjithëve mund të rregullohen për bukuri edhe në një qytet kaotik siç është Lagosi në Nigeri. Arkitekti i tij Rem Koolhaas nuk mund ta merrte me mend mbipopullimin e skicës që ai ndërtoi; por sot një mungesë e tillë parashikimi nuk është më e tolerueshme. Urbanizmi në rritje po bëhet, të paktën në perëndim, me një kujdes edhe më të madh në planifikim, duke i lënë hapësirë rritjeve demografike të pa-parashikuara.

Qytetërimi i sotëm përcaktohet në fjalorin e Oxfrodit si: një gjendje e avancuar e shoqërisë njerëzore, në të cilën është arritur një nivel i lartë kulture, shkence, industrie dhe qeverisje. Pra, qytetërimi sot shihet jo vetëm si bartës i kulturës, por edhe sigurues i mirëqenies dhe lehtësirave më se shumti të gjendura nëpër qytetet urbane.

Qytetërimet janë mendësi kolektive.

Në çdo kohë një farë paraqitje e botës dhe e gjërave, një mendoi kolektive zotëruese depërton tërë masën e shoqërisë. Kjo mendësi që imponon qëndrimet, drejton zgjedhjet, rrënon paragjykimet dhe nxit lëvizjet e një shoqërie, është në mënyrë të dukshme një fakt qytetërimi. Shumë më tepër se rastësitë ose rrethanat historike dhe shoqërore të një epoke, kjo mendësi është fryt trashëgimish të largëta, besimesh, frikërash, shqetësimesh të vjetra shpeshherë të pavetëdijshme; pra, në të vërtetë fryti i një molepsjeje tepër të madhe, burimet e të cilave humbasin në të kaluarën dhe janë përcjellë nëpërmjet brezash.

Qytetërimet janë ekonomi

Çdo shoqëri, çdo qytetërim varet nga të dhënat ekonomike, teknologjike, biologjike e demografike. Kushtet materiale dhe biologjike peshojnë pa fund mbi fatin e qytetërimeve. Rritja ose zvogëlimi i numrit të njerëzve, shëndeti ose rënia fizike, lulëzimi apo rënia ekonomike ose teknike vijnë si jehona si përmes ndërtesës kulturore ashtu dhe asaj shoqërore. Në  kuptimin e gjerë të fjalës, ekonomia politike është studimi i të gjithë këtyre problemeve të mëdha.

Si përfundim, ashtu si në gjithë botën, edhe në Shqipëri urbanizimi priret të shfaqet ne dy forma 1) I planifikuar, që kërkon kohë, muaj, apo mbase edhe vite për t’u hedhur në letër; 2) Urbanizim që vjen natyrshëm për t’iu përgjigjur modernizimit dhe zhvillimit të jetës e industrisë në një zonë (si në rastet e vendeve në zhvillim)

Urbanizimi shihet si një mënyrë për të përmirësuar qytetërimin, duke i sjellë atij më shumë progres dhe zhvillim. Më rritjen e industrisë,  krahut të lirë të punës, kompanive zinxhir, tregtisë së përbashkët dhe ndikimeve globaliste, duket se urbanizimi po e tërheq gjithë popullsinë drejt tij, përfshirë edhe atë të fshatit. Por, në c’shkallë ndikon urbanizimi që këta njerëz të civilizohen dhe të behën pjesë e një qytetërimi të ri, sot kjo është e vështirë të përcaktohet. Urbanizimi sjell zhvillim industrial dhe mirëqenie ekonomike, por jo kulturë shoqërore, që është thelbi i një qytetërimi. Pra, urbanizimi i shërben qytetërimit në të dy kahet  e tij; ndihmës, por edhe trazues i qytetërimit të vërtetë. 

 gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Analize, Sociale.

Kur vendos liria e kufizuar Pa punë, pa shpresë, pa të tashme

4 Comments Add your own

  • 1. merita  |  15/05/2012 at 16:03

    good

  • 2. shtriga e bukur  |  07/06/2012 at 14:54

    urbanizimi i till eshte

  • 3. shtriga e bukur  |  07/06/2012 at 14:55

    ne duhet te mesohemi me te pasi shkakton edhe te mira por edhe te keqija

  • 4. Klajdi  |  14/07/2012 at 21:22

    e vertet

Leave a comment

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
July 2010
M T W T F S S
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031